E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjidhja e çështjes së Kodit është teknike, mund të realizohej edhe me dispozita ligjore

Deputetë të Partisë Demokratike theksojnë se ngërçi politik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbyllet shumë shpejt me kalimin në kuvend të një dispozite ligjore për dekretimin e zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, edhe pse ende s’ka një afat për rishqyrtimin e Kodit në seancë plenare

Rikthimi i Kodit të ri Zgjedhor në Kuvend, nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, hapi edhe njëherë debatin për reformën zgjedhore dhe njëherazi angazhimin e disa partive të vogla, për të përfituar nga ky veprim i kreut të shtetit. Por, ajo që mbetet primare, është se edhe pse ligji i ri zgjedhor është përsëri në Kuvend, interesat e të vegjëlve nuk janë në rend të ridiskutimeve, pasi bëhet fjalë vetëm për një dispozitë lidhur me karakterin teknik të çështjes së dekretimit të zgjedhjeve që duhet të bëjë presidenti i Republikës. Në këtë aspekt, Partia Demokratike, thekson se Presidenti Topi, nuk ka hyrë në detaje të të gjithë Kodit të ri Zgjedhor.
Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi anëtar i komisionit parlamentar të ligjeve, Dashnor Sula u shpreh për gazetën 55, lidhur me ngërçin që është krijuar për zgjedhjet e para parlamentare me Kodin e ri Zgjedhor, se PD bashkë me PS dhe me një pjesë të partive të vogla, janë shprehur me zotim se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të zhvillohen në qershor të 2009-ës.
Sipas deputetit Sula, është bërë një llogari që në bazë të kodit të ri i takon që Presidenti i Republikës të shpallë datën e zgjedhjeve nëntë muaj përpara datës së zgjedhjeve. Por, theksoi ai, duke pasur parasysh që për këto zgjedhje nuk mund të plotësohet një afat i tillë, mendoj që duhet të ishim treguar më të kujdesshëm, mund të kishim pasur një dispozitë kalimtare për ta përcaktuar datën e dekretimit nga Presidenti, dhe nuk do të kishim një problem të kthimit të kodit.
Sipas tij, zgjidhja ligjore, apo ajo më e drejta, duke mos i hyrë në detaje të Kodit, duke pasur parasysh që do të pranohet dekreti i Presidentit nga ana e Kuvendit, me anë të një dispozite kalimtare e cila sigurisht kërkon një shumicë të cilësuar në Parlament, do të zgjidhë problemin për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
“Më qëllim që Presidenti të dekretojë këto zgjedhje me një afat jo siç parashikohet në kod, pra jo nëntë mujor, por më pak se nëntë muaj nga Presidenti Topi. Duke pasur parasysh dhe që Komisioni për Reformën Zgjedhore e ka përfunduar mandatin e tij ligjor, pra ka pushuar së funksionuari, mendoj se rruga ligjore do të jetë Komisioni i Ligjeve i cili do të hartojë këtë dispozitë kalimtare dhe do t’ia kalojë seancës plenare për votim”, vuri në dukje deputeti demokrat.
Ai theksoi se, si Komisioni i Reformës Zgjedhore ashtu edhe deputetët në Parlament, duhet të ishin treguar më të kujdesshëm dhe mund të ishte kaluar me një dispozitë kalimtare.
Duke komentuar veprimin e Presidentit, për kthimin e ligjit zgjedhor, deputeti Sula, nënvizoi se “unë si jurist do të thosha që çështja është juristësh, pra ju takon atyre ta vlerësojnë, mund të kalojë por edhe mund të mos kalojë. Mendoj se Presidenti i ka qëndruar strikt çështjes së afatit. Duke pasur parasysh se një ditë më pas mund të kishim akuza nga politikanë të caktuar ndaj Presidentit Topi, ku do të thuhej se ka shkelur Kushtetutën, mendoj që Presidenti për këtë çështje ka të drejtë, duke pasur parasysh gjithmonë çështjen e afateve, pasi ai nuk i ka hyrë problemit në tërësi të Kodit dhe që të kemi debate të tjera. Është thjesht një çështje teknike, është një problem i zgjidhur”, tha Sula....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›