Kryeministri pret në një takim Avokatin e Popullit Ermir Dobjani

“Avokati i Popullit, qëndrim ligjor ndaj dhunimit të të drejtave të qytetarëve”
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Avokatin e Popullit, z. Ermir Dobjani. Avokati i Popullit, e njohu kryeministrin Berisha me të gjitha përpjekjet e tij dhe të institucionit që përfaqëson në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Dobjani shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin mes institucionit të Avokatit të Popullit dhe Policisë së Shtetit, por u ndal edhe në disa probleme që janë shfaqur këto javët e fundit në këtë bashkëpunim, probleme të cilat janë krejtësisht të shmangshme.
Kryeministri Berisha vlerësoi veprimtarinë e Avokatit të Popullit dhe institucionit të tij në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Kryeministri e siguroi Avokatin e Popullit për mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë që ai drejton në këtë aspekt.
Kryeministri Berisha kërkoi që Avokati i Popullit të mbajë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj çdokujt që dhunon apo nuk mbron të drejtat e liritë e qytetarëve dhe të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë në mbrojtje të qytetarëve, të cilëve u cenohen të drejtat nga segmentet e administratës. ...