Alibeaj kontroll dosjeve të Ina Ramës
Trazhgim Sokolaj
Ministria e Drejtësisë i ka dorëzuar krye-prokurores Ina Rama një raport voluminoz kontrolli të zhvilluar në Prokurorinë e Tiranës. Akt-kontrolli i dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme pretendon se 34 prokurorë të Prokurorisë së Tiranës, janë gjetur me shkelje të ndryshme në punën e tyre. Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, 12 nga prokurorët kanë kryer shkelje që duhet të ndëshkohen me shkarkim nga detyra, 10 prokurorë duhet të ndëshkohen me masën e transferimit, ndërsa 12 të tjerë me masën e paralajmërimit. Objekt i kontrollit kanë qenë dosjet penale të regjistruara nga gjysma e dytë e vitit 2007, deri në fund të vitit 2008. Harku kohor i dosjeve në të cilat është kryer kontrolli përkon me kohën kur Ina Rama erdhi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme. Kontrolli ka filluar në shtator 2008, duke marrë në shqyrtim fillimisht dosjet e regjistruara në Prokurori në gjysmën e dytë të vitit 2007. Pas verifikimit të këtyre dosjeve, inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë “kaluar në sitë” të gjitha procedimet penale të vitit 2008. Pas përfundimit të kontrollit të inspektorëve të Ministrisë së Drejtësisë, kjo e fundit e ka dërguar raportin në Prokurorinë e Përgjithshme, duke propozuar masat konkrete për shkelësit, sipas ligjit “Për Prokurorinë” të ndryshuar në vitin 2008.
Hezitimi i Ina Ramës
Raporti i Ministrisë së Drejtësisë ka disa kohë që është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Megjithatë Ina Rama ka vendosur të zbatojë hapësirat që i jep ligji, duke dërguar inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme, për të kontrolluar dosjet e gjetura me shkelje në Prokurorinë e Tiranës. Në këtë mënyrë, kryeprokurorja ka vendosur të “konfirmojë” rastet e shkeljeve nga prokurorët, para se të marrë masa konkrete. Ndërkaq, pak kohë më parë, të gjithë prokurorëve të përmendur në raportin e Ministrisë së Drejtësisë, u është kërkuar të bëjnë oponencën me shkrim për shkeljet e pretenduara nga kontrollorët e Ministrisë së Drejtësisë. Kryeprokurorja Ina Rama duket se është në pritje të përfundimit të akt-kontrollit të Drejtorisë së Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme, dhe oponencës së prokurorëve të gjetur me shkelje, në mënyrë që më pas të zyrtarizojë masat konkrete ndëshkimore që do të marrë. Burime zyrtare nga organi qendror i akuzës nuk bënë komente në lidhje me këtë fakt.
Shkeljet e prokurorëve
Ministria e Drejtësisë shprehet në raportin e saj ende të pa publikuar, se abuzimet kryesore të prokurorëve të Tiranës kanë të bëjnë me kualifikimin e veprave penale. Sipas Ministrisë, ka raste kur vrasje të mbetura në tentativë, janë klasifikuar dhe hetuar me akuzën e plagosjes, duke lehtësuar kështu autorët e ngjarjeve. Kontrollorët e Ministrisë së Drejtësisë, pretendojnë më tej se prokurorët e kryeqytetit kanë shkelur afatet e hetimit të dosjeve, duke i zvarritur ato si dhe kanë gabuar në disa raste në aplikimin e masave të sigurimit. Ministria e Drejtësisë konsideron se ka pasur vendime të gabuara dhe jo në zbatim të drejtë të ligjit në disa raste, kur prokurorët kanë vendosur mosfillimin e çështjeve penale për të cilat ka pasur prova të qarta.
Masat ndëshkimore, nga
Këshilli tek Ina Rama
TIRANE – Ligji i mëparshëm i prokurorisë përcaktonte se procedimi disiplinor duhej të buronte nga brenda sistemit të prokurorisë. Drejtoria e Inspektimit në rast ankese nga qytetarët apo gjatë kontrolleve periodike, hetonte shkeljet e më pas bënte propozime në Këshillin e Prokurorisë, i cili vendimin e tij ja propozonte Prokurores së Përgjithshme. Me ndryshimet ligjore të vitit 2008, të drejtën për të ushtruar kontroll dhe për të propozuar masa disiplinore e fitoi edhe Ministria e Drejtësisë.
Raporti i Alibeajt
12 prokurorë, masë disiplinore me shkarkim
10 prokurorë, masë disiplinore me transferim
12 prokurorë me masë disiplinore vërejtje
Kualifikim i gabuar i tentativave të vrasjes, si plagosje me armë
Zvarritje e procedimeve penale përtej afateve të parashikuara nga ligji
Mosfillim i procedimeve penale për të cilat ka pasur prova
Zbatim i gabuar i masave të sigurimit personal