Tiranë, digjet shtëpia e 5 familjeve
TIRANE - Një shtëpi e vjetër dykatëshe është përfshirë nga flakët mëngjesin e djeshëm dhe është shkrumbuar totalisht, duke nxjerrë në rrugë 5 familje që banonin aty, të cilët aktualisht janë të pastrehë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:45, në rrugën "Qemal Stafa", pranë "Shkollës së Kuqe", në Tiranë. Banorët e godinës së përfshirë nga zjarri, të cilët ndodheshin brenda në momentin e ngjarjes, kanë dalë menjëherë përjashta dhe fatmirësisht nuk janë rrezikuar nga flakët dhe nga shembja e mureve. Ata kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikëset dhe policinë, të cilët kanë shkuar shumë shpejt në vendin e ngjarjes. Fatmirësisht ngjarja është mbyllur pa njerëz të lënduar, por burime nga policia sqaruan se ndërtesa dykatëshe është shkatërruar totalisht dhe është e pabanueshme. Në këtë mënyrë anëtarët e 5 familjeve që banonin në atë godinë, tashmë janë të pastrehë. Grupi hetimor që është ngritur për të zbuluar shkaqet e rënies së zjarrit, kanë përcaktuar si shkak paraprak amortizimin e rrjetit elektrik, pasi shtëpia ishte shumë e vjetër, ndër më të vjetrat në kryeqytet. Sipas policisë ka mjaftuar një shkëndijë elektrike, për të shkrumbuar çdo gjë brenda mureve të saj, të cilat pas shuarjes së zjarrit janë shembur, duke mos mbetur asgjë në këmbë. Banorët e ndërtesës së djegur kanë kërkuar ndihmën e pushtetit vendor, pasi aktualisht kanë mbetur në rrugë dhe përveç kësaj, gjithçka që ata kishin brenda shtëpive të tyre është kthyer në hi. e.d