E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmir Mediu dhe “faktet e reja” rreth Gërdecit

Nga Mero Baze

Faktet e fundit të bëra publike rreth përfshirjes së administratës në një sërë veprimesh klienteliste rreth Gërdecit, duket se kanë nisur që kur prokuroria ka thirrur për t’u marrë në pyetje një ish-këshilltar të zotit Mediu. Këshilltari, i cili ka shpjeguar procedurat e hartimit të VKM apo projektvendimit 550, rezulton se është një jurist, i cili i është ofruar Mediut nga kunati i tij, Ilirian Celibashi. Pra, ky është konsideruar një njeri shumë konfidencial i zotit Mediu. Prokuroria duket se ndjehet e kënaqur nga deponimet e tij dhe pas atyre gjithnjë e më shumë në media po dalin fakte që bashkojnë Berishën me ngjarjen. Kështu, e-mail-et e Enkelejd Alibeajt ishin dëshmia e parë që provoi se Berisha kishte angazhuar struktura speciale për të ndihmuar në kuadrin ligjor. Ai normalisht mund të ngarkonte këshilltarin Juridik apo ministrin e Drejtësisë, Bumçi, por realisht ka ngarkuar këshilltarin Antikorrupsion, i cili nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë përgjegjësi për të hartuar kuadrin ligjor për një çështje që në mënyrë banale përfundoi korruptive deri në vdekje njerëzish. Publikimi i e-mail-eve dhe nga gazeta jonë dhe media të tjera erdhi, pasi ato filluan të qarkullojnë nëpër kompjuterët tanë, pasi këshilltari i Mediut u mor në pyetje. Zyra avokatore e Mediut dhe avokati i tij ri, një ish-prokuror i superakuzuar prej Berishës, duket se kanë bërë kujdes që në opinion publik të dalin fakte që tregojnë se gjithçka është bërë me dijeni të Berishës, madje me njerëz specialë të ngarkuar prej tij. Rasti “Alibeaj” është shumë ilustrativ.

Po e njëjta histori ndodh dhe me faksin e Aldo Bumçit. Redaksia jonë ka kohë që e ka pasur atë mes morish të tjera të provave të përfshirjes së njerëzve të kryeministrit në atë histori makabre korrupsioni, por nuk e ka bërë publike, pasi thjesht tregon se kujt i raportonte qeveria. Po ashtu, këtë faks besoj e ka pas në cilësinë e provës prokuroria që javën e parë të hetimeve. Por ai nisi të qarkullojë pikërisht pas thirrjes në prokurori të këshilltarit të Mediut. Këto dhe fakte të tjera po tregojnë se dita-ditës Mediu po përpiqet të ngushtojë rrethin e fajësisë zyrtare rrotull kryeministrit. Po të vini re detaje të tjera të daljeve publike të Mediut, ato fokusohen rrotull bashkëpunimit të ngushtë me Berishën në çdo hap të këtij procesi. Ai ka qarkulluar thuajse publikisht gjithë hyrje-daljet e djalit të kryeministrit në një periudhë të ngushtë kohore në ministrinë e tij duke fotokopjuar regjistrin e hyrje-daljeve dhe duke lënë pa censurë kamerat e sigurisë. Detaje të tilla, që tregojnë se djali i kryeministrit hyn 50 herë në muaj në zyrën e ministrit të Mbrojtjes në një periudhë të caktuar dhe, pasi kryen punë, nuk shkel më aty, të bëjnë të besosh qartë se ka qenë pjesë e një bashkëpunimi të hapur pa doreza për këtë çështje. Mediu nuk ka pranuar asgjë nga këto publikisht, por mbrojtësit e tij jo vetëm që e kanë kthyer në objektiv të punës së tyre këtë gjë, por po furnizojnë median dhe opozitën me fakte të tilla, që s’ka pas kush t’i ketë pasur veç Fatmir Mediut dhe njerëzve të besuar të tij. Kjo tregon se realisht Mediu është duke kërcënuar me takt Berishën, nëse ai e lëshon, kur situata të bëhet më e nxehtë dhe prokuroria të kërkojë çuarjen e tij për gjykim për vepër penale.

Megjithëse është një lojë e pasinqertë dhe parimisht Berisha dhe Mediu nuk kanë interes të shesin njëri-tjetrin, shihet qartë që Mediu po bën në njëfarë mënyre një përbaltje publike të Berishës jo në emër të tij, por përmes medias që të shkojnë të dy bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës para procesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›