Nikola Zorzi: Kujdes me operan, të kuptohet mirë se çdo të thotë moderne dhe klasike
Këtu duhet pasur kujdes! Kemi të bëjmë me një premierë me të vërtetë klasike, premierë ku dëgjohet zëri muzikor i të famshmit Gaetano Donizzeti dhe heroina Luçia e Lamermurit (personazh i operas “Lucia de Lamermoor”) do të rishfaqë mes melankolisë, dhimbjes dhe trishtimit të saj problemin e vjetër sa bota, atë të sundimit maskilist mbi ndjenjat, shpirtin dhe psikologjinë e një femre. Luçia është një heroinë e realizuar me të gjitha dimensionet skenike, ku tashmë po bëhen përpjekje nga regjisori Nikola Zorzi që dhe zëri dhe fjalët e solistes të jenë të mishëruar tek ajo. Gjatë ditëve të përgatitjes së premierës “Lucia de Lamermoor” në bashkëpunim me trupën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë dhe Teatro del Maggio Fiorentino, është pëlqyer ideja e regjisorit Nikola Zorzi që të ruhet linja klasike, kjo jo vetëm se e vë në sprovë regjinë e tij dhe talentin e protagonistëve, por për palën shqiptare ka shumë rëndësi; që më parë se të kryhen eksperimente moderne, publiku i çmësuar për shkak të mungesës së veprave të tilla gjatë sundimit të diktaturës komuniste, ka nevojë të përmbushet dhe mandej të ngopet me këto nivele veprash. Ky mendim ka lindur mes profesionistëve aty në skenë, ndërsa këto ditë përgatitej premiera në bashkëpunim me të dy trupat e artistëve. Donizzeti, gati-gati i panjohur, portreti i Luçias së Lamermurit, gati-gati i paparë, mjaftojnë për të ruajtur thelbin e konsistencës së ngjitjes në skenë të një opera të këtij niveli.
“Lucia de Lamermoor” ngjitet sot në Teatrin e Operas dhe Baletit, në orën 19.00 të mbrëmjes, duke e pasur të gatshme skenografinë e ideuar nga mjeshtri italian Alfredo Troisi, po ashtu edhe kostumet janë sjellë nga Teatro del Maggio Fiorentino. Koncertmaestri që do të drejtojë orkestrën e TKOB-it është italiani Gianluca Martinenghi dhe do të ketë asistent të dirigjimit të korit shqiptarin Dritan Lumshi, ndërsa asistent dirigjimi italianin Andrea Albertin. Premiera “Lucia di Lamermoor” si bashkëpunim shqiptaro-italian do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas me regji të Nicola Zorzi-it, ndërsa do të asistojë edhe si mjeshtre kori, zëvendësministrja e Kulturës, zonja Suzana Turku Kashara. Interpretët italianë Francesca Micarelli, Gianluca Terranova, Marco Camastra, Cristiano Oliveri do të këndojnë bashkë me ata shqiptarë që do të interpretojë për premierën “Lucia di Lamermoor”, me solistët e njohur Marjana Leka, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Rudi Sata, Armando Lika, Erlind Zeraliu. Një rol të rëndësishëm kanë edhe kori me Orkestrën Simfonike të TKOB-it.
***
“Lucia de Lamermoor”, ngjitet në skenë si prurje e domosdoshme dhe si premierë absolute. Dje, më mesdrekë skenografia pothuaj ishte e përfunduar, dikush merrej me saktësimin e ndriçimit dhe piktori lyente me ngjyra vjeshte ndonjë gjethe rrapi të rrëzuar përdhe për t’i shtuar më shumë detaje imazheve skenografike, gri. Edhe solistët kishin mbaruar punë. Ishte aty i fundit regjisori Nikola Zorzi, ai që për çudi edhe në orën 15.00 të mesdrekës nuk ishte larguar, ai që matej të ikte dhe kthehej sërish mbrapsht. Gjithçka për të duhej të ishte e përkryer. Kjo premierë që shfaqet sot për publikun e Tiranës do të jetë sprovë për të, sepse mësojmë se për veprën “Lucia de Lamermoor” ka marrë pjesë vetëm njëherë si asistent regjisor dhe në Tiranë ngjit në skenë premierën e parë të kësaj vepre. Nga intervista me regjisorin Nikola Zorzi kuptojmë se nuk ka rëndësi vendi, Itali, Shqipëri, Spanjë, etj, se ku do të jepet shfaqja, për një artist brendia e një vepre arti është e çmuar njësoj në çdo skenë të botës. Regjisori Zorzi është i etur të bashkëpunojë, është nga ata regjisorë që, më shumë se gjithçka, çmon gjatë bashkëpunimeve të tilla, marrëdhënien humane, më shumë se sa ngjarjet e jashtme objektive, si nga cili vend vjen.., shkolle arti.., apo i cilës kombësie je.., etj. Në intervistën për gazetën “TemA”, Nikola Zorzi rrëfen më tepër detaje që njëherësh spikasin edhe vlerën e një bashkëpunimi të tillë, por edhe përpjekjet që ai bën për ruajtjen e zhanrit të operas si një nga vlerat më të çmuara të kulturës botërore. Për ruajtjen dhe jo shpërbërjen e saj, që nganjëherë kjo shpërbërje vjen edhe në formë tendencash apo performancash e jo rrallëherë na ka ndodhur të kemi parë opera që na shfaqen me kostume dhe skenografi telenovelash në skenë. Pikërisht për këtë që Nikola Zorzi e bën me përkushtim të madh dhe pa u lodhur, na intereson, krahas cilësisë së mirë të shfaqjes që publiku pret sot, edhe mendimi i një regjisori që di ta bëjë këtë gjë, që di ta konservojë e risjellë po aq të freskët, atë çfarë kultura e operas klasike ka më të çmuar. Këtu duhet parë e dëgjuar me kujdes. Kemi një shfaqje të një opera të vërtetë klasike, e për më tepër të një premiere si “Lucia di lamermoor” që për vite me radhë na ka munguar.
II. Intervista
Dhurata Hamzai: Keni preferuar që të ruani linjën klasike të operas “Lucia di Lamermoor” të Donizzetit, në çfarë marrëdhëniesh e shihni këtë premierë me tendencat për një opera moderne ?
Nikola Zorzi: -Po ta shohësh, skenografia dhe kostumet janë vërtetë klasike, por mënyra e interpretimit është gjithmonë me prirje nga modernia, tenton nga e reja, nga e sotmja. Ka efekte skenike dhe gjithçka tjetër që sillet në këtë premierë që tregojnë pamjen e modernes, siç janë efektet në skenat e Luçies, që tregojnë një tendencë për tek modernja, për tek e reja. Domethënë nuk janë të portretizuar si personazhe klasikë, domethënë futet vizioni regjisorial, duke hequr këtu mënjanë pjesën e skenografisë ose të kostumografisë, gjithë vizioni im për ngjitjen në skenë tenton tek modernja.
Dhurata Hamzai: Jemi kurioz të dimë se si është se si është zhvilluar deri më sot në botë kjo tendencë, kjo përplasje mes modernes dhe klasikes. Mos ndoshta ekzagjerohet, ose abuzohet në emër të një niveli artistik më cilësor përshtatur për kohët e reja?
Nikola Zorzi: -Pyetje shumë e bukur. Ka regjisorë që me modernitetin e tyre kanë dhënë një tjetër stil për sa i përket operas dhe ka regjisorë të cilët nuk duan të dinë për të sjellë diçka moderne dhe ka regjisorë që qëndrojnë akoma tek klasikja. Pastaj duhet të kuptohet mirë se çdo të thotë moderne dhe klasike. Ka opera të cilat edhe pse janë krijuar dhe janë vënë në skenë më mënyrë klasike mund të jenë jashtëzakonisht më moderne se ato opera të cilat mundohen të vihen sot në një mënyrë moderne.
Dhurata Hamzai: Dhe kur ka opera të cilat u ngjajnë nganjëherë më shumë telenovelave, kur luhen në skenë me kostumet apo skenografinë, do të isha kurioze se si do ta komentonit këtë problem, si do të donit ju që të bëhej më mirë?
Nikola Zorzi: -Duhet të ketë një ekuilibër për mendimin tim në mënyrën se si vihen gjërat në skenë. Ka opera si “Aida”, operat e Verdit që janë masive, janë të perceptueshme për masën e gjerë, gjë që ndonjëherë të krijon lehtësi të biesh në prehrin e të përgjithshmes, të së zakonshmes. Ka opera si “Butterfly”, “Bohema” që janë opera më të thjeshta, ose opera si “Toska” që edhe me ato mund të arrihet që të mos jetë diçka shumë e rëndë për ta shfaqur. Ka sintezë të një imazhi, të një dramaturgjie dhe ato mundet të dalin në shumë elemente jo shumë të ekzagjeruara. Pra duhet pasur kujdes për të mos rënë në kurthin e një shfaqjeje që lë lehtësisht imazh të mirë, por të jemi si krijues, si regjisorë në trupin e një shfaqjeje që të bëhet e mirë para se ajo të shfaqet. Imazhi që ngrihet lehtë, po aq lehtë fshihet nga memoria.
Dhurata Hamzai: Le të kthehemi tek kjo opera që do të ngjitet në skenë, çfarë keni bërë ju për të qenë Donizzeti vetë Donizzeti, dhe për të qenë opera ashtu si duhet, të ruajë gjatë imazhin?
Nikola Zorzi: -Kam dëgjuar shumë muzikën, kam lexuar jashtëzakonisht shumë edhe pjesën. Kam dëgjuar shumë interpretime muzikore të kësaj vepre, sepse gjithmonë ndryshon tempi, ndryshon zëri, ndryshon orkestra, ndryshon ngjyra e zërit dhe kam parë e dëgjuar më parë gjithçka për të arritur në një sintezë personale. Mandej e kam parë Luçinë si femër shumë të fortë sidomos në raportet midis saj dhe vëllait dhe jam munduar të vë në dukje të vetmet momente ku ajo ndihet e dobët dhe ky është vetëm momenti kur ndjehet e lënë pas dore nga Edgardo. Në skenën e çmendurisë ajo arrin vetëm e vetëm sepse ka një rritje të jashtëzakonshme të elementit dominues mashkullor mbi të, sepse është e rrethuar nga një botë jashtëzakonisht maskiliste që e detyron të bëjë një vrasje dhe të vdesë pastaj jo vetëm nga çmenduria që i ndodh, por edhe nga gjendja e saj shpirtërore, nga dhembja e saj e zemrës.
Dhurata Hamzai: Në këtë premierë si është zbuluar në gjuhën e muzikës drama e Luçies, si i bashkohet imazhit tuaj në interpretimin muzikor?
Nikola Zorzi: -Maestro Martinenghi ka bërë një punë të mrekullueshme me orkestrën e TKOB dhe ka gjetur gjëra shumë interesante dhe ka bërë bërë një punë jashtëzakonisht të mirë në mënyrën e të kënduarit me korin, sepse nga ana regjisoriale kori i ngjan korit grek që është komplet i distancuar nga çfarë ndodh.
Dhurata Hamzai: -Keni bërë gjithë atë punë që përmendët më sipër për t’i bërë gjërat si duhet, a nuk u shqetësuat në nisje të kësaj pune, (nëse do ta quajmë bashkëpunimin e dy trupave të operas së Tiranës me trupën e teatrit tuaj si një përzierje), pra nuk u shqetësuat ju aspak nga kjo përzierje mes artistëve të dy trupave?
Nikola Zorzi: -Jo, jam mësuar të punoj me ansamble që janë të përzier. Kushdo që ma bënë këtë pyetje unë do t’i thosha pak a shumë të njëjtën përgjigje që jam shumë i lumtur kur e bëj dhe e arrij këtë bashkëpunim sepse unë përfitoj shumë nga ana humane. Mua nuk më intereson në ngjitjen e një premiere në skenë thjesht vetëm ana artistike, mua më intereson shumë edhe ana humane.
Dhurata Hamzai: Pra, nuk ju shqetësojnë ju diferencat midis shkollave, formimit, kulturës muzikore, apo mendoni se talenti mbetet talent kudo që të jetë..?!
Nikola Zorzi: -Defekti i vetëm që kam vënë re tek këngëtarët shqiptarë është se ata duhet të përqendrohem më tepër në fjalët që thonë, se çfarë fjalësh po deklamojnë në momentin që po këndojnë. Nuk bëhet fjalë për defekte profesionale aspak. Kjo është e vetmja vështirësi. Kjo vjen për shkak të gjuhës. Unë jam munduar së bashku me asistenten, Linën, që të shpreh gjithçka, që t’u shpreh gjithçka për idenë se çfarë thotë kori, t’ju bëjë të qartë gjendjen e tyre shpirtërore, ose gjendjen dhe ndjenjat e protagonistëve të tjerë kur këndojnë pra t’ua bëjë të qartë nga fillimi deri në fund.
Dhurata Hamzai: Për të satën herë vihet prej jush kjo vepër në skenë?
Nikola Zorzi: -Unë e kam ngjitur këtë vepër për herë të parë në operan e Romës, si asistent regjisor, ndërsa si regjisor është hera e parë që e vë vetë këtu.
Dhurata Hamzai: Ju e theksuat se i shihni marrëdhëniet e bashkëpunimit me një ansambël artistik si marrëdhënie humane, a e keni parë edhe bashkëpunimin me trupën e Tetarit të Operas dhe Baletit në Tiranë si një marrëdhënie humane mes shqiptarëve?
Nikola Zorzi: -Është thjesht një shkëmbim emocional, dhe është thjesht shkëmbim përvojash, idesh. Ndodh këtu dhe mund të ndodhë kudo në çdo vend të botës. Kur bëhet kjo punë kështu ndodh gjithmonë.