E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koeficientet, skemë e re për pikët e maturantëve para 2008

 

Zirina Llambro

Skemë e ndryshme në llogaritjen e pikëve për më shumë se 13 mijë kandidatë të universiteteve. Bëhet fjalë për të gjithë ata që shkollën e mesme e kanë përfunduar para vitit 2008. Ndryshe nga 35 mijë maturantët që mbyllin këtë vit gjimnazin, për ta nuk do të zbatohen të njëjtët koeficiente. Burime nga Agjencia e Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve sqarojnë se gjithçka vjen në zbatim të rregullores së maturës shtetërore të këtij viti. ”Për të gjithë ata që shkollën e mesme e kanë përfunduar para vitit 2008, këtë vit në rregullore siç është bërë e ditur është parashikuar mbartja e provimeve me zgjedhje. Pra, do të thotë që nuk do t’i rihapin dhe do t’u njihen notat”, sqarojnë specialistët e AVA-s. Sipas tyre, për secilin llogaritja e pikëve do të bëhet me koeficientet e vitit kur kanë mbaruar gjimnazin. ”Pra, nëse maturanti i ka dhënë provimet me zgjedhje në 2007-ën, nota është po ajo dhe pikët do të llogariten me koeficientet e atij viti. Ndërsa maturantët e këtij viti do të grumbullojnë rezultatet për në universitet me koeficientet që janë miratuar së fundmi”, nënvizojnë specialistët. Gjithsesi, sipas tyre, ndryshimet nga viti në vit sa i përket këtij komponenti përgjithësisht nuk janë shumë të mëdha. Shumica e lëndëve janë njësoj. Sipas të dhënave të AVA-s, 30% e kandidatëve që do konkurrojnë në universitete nuk i përkasin maturës së këtij viti. Kërkesat e atyre që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2008, e që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në vitin e ardhshëm akademik, janë më të lartat në këto tre vitet e fundit. Pas mbledhjes së të dhënave të depozituara nga të gjitha drejtoritë arsimore të vendit, rezulton se rreth 47 mijë maturantë kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta për vitin e ardhshëm akademik. Ata tashmë kanë plotësuar formularin A1, me anë të së cilit kanë caktuar lëndët me zgjedhje. Provimeve për to do t’u nënshtrohen në datën 10 korrik. Përpara tyre duhet të japin patjetër edhe lëndët e detyrueshme, atë të letërsisë dhe matematikës, përkatësisht në datat 2 dhe 11 qershor. Formularin A2 do ta plotësojnë sapo të marrin rezultatet e këtyre dy provimeve. Ministria e Arsimit ka këshilluar që të mos nxitohen, por me të marrë notat të bëjnë një llogaritje paraprake të pikëve. Preferencat për degët e fakulteteve ku duan të ndjekin studimet do t’i vendosin sipas një rendi zbritës, nga më e preferuara në më pak të dëshiruarën prej tyre. Zgjedhja e 10 degëve është kusht, pasi në të kundërt formularit A2 nuk i njihet vlefshmëria.

Ankesat, 10% të drejta

Në tre vitet e fundit 10% e ankesave të nxënësve për notat e letërsisë, matematikës dhe provimeve me zgjedhje kanë qenë me vend. Ky është konkluzioni në të cilin kanë arritur ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të nxënësve. Por rregullorja e Maturës Shtetërore të viteve të mëparshme nuk e parashikonte rivlerësimin e testeve. Këtë vit për herë të parë, specialistët sqarojnë se ngritja e një komisioni që do të rivlerësojë ankesat është futur edhe në rregullore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›