E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia italiane sekuestron 723 kg hashash

 

ITALI - Policia italiane ka sekuestruar dje 723.57 kilogramë marihuanë, për të cilën dyshohet se kishte mbërritur nga Shqipëria. Droga ishte e fshehur në 70 çanta të mëdha në një ngarkesë me 18 tonë portokaj, në një anije, të cilat do të shpërndaheshin në formën e ndihmave humanitare për qytetarët e Abruzzo-s, të prekur nga tërmeti. Zbulimi u bë nga Guardia di Finanza gjatë një kontrolli të zakonshëm në portin e Ankonës në një anije që vinte nga Patra e Greqisë, që kishte kaluar në Vlorë dhe më pas do të shkonte në Holandë. Ngarkesa ishte fshehur me kujdes, duke u maskuar edhe nga frutat, ku aroma e marihuanës nuk mund të dallohej mirë pasi përzihej me arorën e portokajve. Sipas kolonelit italian Gaetano Scazzeri droga ishte e një cilësie mjaft të lartë, njësoj si bima narkotike, që kultivohet në Shqipëri. Në pranga kanë përfunduar shoferi i kamionit që transportonte portokajtë dhe pronari që kishte sponsorizuar për frutat që të shkonin në Abruzzo, që të dy me kombësi greke dhe nënshtetas holandezë. Droga që u sekuestruar dje në Itali arrin vlerën e 500 mijë eurove. Ngarkesa e drogës u zbulua nga skaneri i portit, nëpërmjet të cilin po kalonin portokajtë që vinin nga Greqia. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe 6 mijë euro dhe pesë telefona celularë. Mes autoriteteve italiane dhe atyre greke ishte një marrëveshje humanitare që ngarkesa prej 18 tonë portokajsh të shkonte për personat e prekur nga tërmeti në Abruzzo, disa ditë më parë. Dikush ka përfituar nga kjo lëvizje e ligjshme e anijes nga Patra e Greqisë, në Vlorë dhe më pas në Ankona të Italisë, për të trafikuar edhe sasinë prej 723 kilogramësh hashash. Mësohet se dy grekët e arrestuar kanë mohuar të kishin dijeni rreth hashashit, që u zbulua, por kanë hedhur dyshime se mund të jetë ndonjë porosi e nisur nga Vlora në drejtim të Italisë. Ndërkohë, deri tani ende nuk është ndaluar asnjë shqiptar, që ndodhej në anije, por policia ka nisur hetimet për të zbuluar personat që fshihen pas këtij trafiku. Sipas mediave Italiane dyshohet se këtë herë droga që vinte nga Shqipëria nuk kishte si destinacion Italinë, por Holandën, pasi kamioni pas ndalesës në Ankona do të nisej për në Holandë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›