“Merrni masa për sezonin turistik”
Masa të forta për të garantuar një sezon turistik brenda parametrave normalë. Ky ka qenë apeli që Ministria e Shëndetësisë u ka bërë të gjitha strukturave të rretheve. Sipas këtij dikasteri, nuk duhet të tolerohen shkeljet në kushtet higjieno-sanitare për zonat e plazheve. “Rrjeti i kanalizimeve në shumë zona është i amortizuar dhe kërkon kontrolle dy herë në ditë. Duhet të bëhet ndryshim i nivelit të klorit sipas nivelit të konstatuar të ndotjes”, u shpreh dje drejtori i Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. Zonat më të ndotura sezonin e kaluar ishin plazhi në zonën e Shkëmbit të Kavajës, plazhi i ri në Vlorë si dhe pika të tjera, për të cilat drejtues të Shëndetësisë kërkojnë që edhe vetë qytetarët të mos i zgjedhin ato për të pushuar. “Në rrethin e Durrësit ka nisur mbyllja e disa lokaleve për shkak të kushteve të rënda higjieno-sanitare”, tha Bejtja. Ministria e Shëndetësisë u ka shpërndarë të gjithë drejtorive manualin me sanksionet dhe gjobat që duhet të vendosin në çdo rast.