Dita e Tokës, Vodafone axhendë për nxënësit
“Një vit për energjinë, një vit për planetin” është axhenda e botuar nga kompania celulare “Vodafone”, e cila do t’u shpërndahet nxënësve dhe studentëve. Në Ditën Ndërkombëtare të Planetit, KESH në bashkëpunim me “Vodafone Albania” dhe me mbështetjen e Këshillit Studentor të UT dhe rektorit të UT Prof. Dr. Kule, organizuan në sallën e senatit të UT takimin dhe diskutimin me studentët, në lidhje me problemet e ndryshimeve klimaterike dhe kursimit të energjisë. Në këtë kontekst, KESH dhe “Vodafone Albania”, në bashkëpunim me MASH kanë botuar kalendarin axhendë “Një vit për energjinë, një vit për planetin” i destinuar t’u shpërndahet çdo nxënësi të shkollave të mesme dhe studentëve të universiteteve. Bojaxhi theksoi rëndësinë e kësaj fushate dhe të këtij botimi, që i adresohet personalisht çdo të riu, si dhe nënvizoi kontributin, për të parën herë të biznesit, përfaqësuar nga kompania “Vodafone Albania” në publikimin e këtij kalendari. Kompania “Vodafone Albania” në përkujdesje ndaj mjedisit ku operon ka vënë në zbatim një numër iniciativash të reja mjedisore, të cilat synojnë rritjen e sasisë së energjisë së prodhuar përmes burimeve të energjisë së rinovueshme, zbatimin e sistemeve te teknologjive te avancuara të ftohjes (ftohje e lirë) në stacionet e telekomunikacionit, gjë e cila lejon ulje të konsumit të energjisë për ftohjen e pajisjeve të instaluara në rrjet. Kjo eksperiencë, e para e këtij lloji në tregun shqiptar reflektohet dhe në kalendarin e publikuar, duke mundësuar shembuj konkretë të iniciativave për kursimin e energjisë.