E Diel, 1 Nëntor 2026

Divorci, plagosen bashkëshortët

 

Etleva Delia

Kërkesa për divorc për pak sa nuk shkaktoi një tragjedi familjare në Tiranë për dy bashkëshortët.  Burri tentoi të vriste gruan, duke e qëlluar me një plumb në kokë. Më pas ai tentoi të vriste edhe veten, por nuk ia ka arritur. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 16:30, në vendin e quajtur "Rruga Ura" në Tiranë. Genci Ilnica, 27 vjeç, sapo është kthyer nga puna ka nisur një debat të ashpër me bashkëshorten, Elsa Telhai, 19 vjeçe, me të cilën bashkëjetonte prej rreth një viti. Sipas dëshmisë që ka dhënë në polici Agim Ilnica, babai i 27-vjeçarit, mësohet se prej disa muajsh çifti po kalonte zënka të vazhdueshme. Shkak i mosmarrëveshjeve besohet se ka qenë kërkesa e gruas për divorc, çka duket se bashkëshorti i saj nuk e pranonte. I njëjti debat mësohet se është zhvilluar edhe dje mes çiftit, disa minuta para se të ndodhte ngjarja. Konflikti mes bashkëshortëve ka marrë përmasa të tjera dhe duket se për këtë shkak në gjendje gjaknxehtësie 27-vjeçari ka përdorur armën. Ilnica ka marrë pistoletën që mbante pa leje, të fshehur në shtëpi dhe ka qëlluar bashkëshorten në kokë. Më vonë, u dërguan në Spitalin Ushtarak, ku ndodhen në reanimacion, jashtë rrezikut për jetën.
NGJARJA
Rreth orës 16:30 Agim Ilnica ka telefonuar sallën operative të Policisë së Tiranës. Ai njoftoi policinë se kishte gjetur të plagosur në shtëpi djalin dhe nusen e tij 19-vjeçare. Babai i autorit të ngjarjes, ka kërkuar një ambulancë pasi gjendja e të plagosurve po përkeqësohej nga humbja e gjakut. Efektivat e Komisariatit Nr.4 shkuan në vendin e ngjarjes, në një banesë përdhese në vendin e quajtur "Rruga Ura" në kryeqytet në hyrje të rrugës për Kinostudio. Policia dërgoi në spital Genci Ilnicën dhe Elsa Telhain, të dy të plagosur në kokë. Në vendin e ngjarjes shkuan edhe oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, të cilët sekuestruan armën e krimit dhe bënë këqyrjen e vendit të ngjarjes. Gjithashtu, është shoqëruar për të dhënë deklarime në polici babai i 27-vjeçarit, i cili kishte lajmëruar për ngjarjen. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas kërkesës së vazhdueshme për divorc nga ana e 19-vjeçares. Dje ajo i ka pohuar bashkëshortit se do të ikte tek prindërit e saj, pasi nuk mund të jetonte me të. Çifti kishte një djalë të vogël një vjeç, i cili ndodhej në shtëpi në momentin e ngjarjes. Mësohet se gruaja ishte e papunë dhe qëndronte gjatë gjithë kohës në shtëpi, ndërsa Ilnica ishte i punësuar si shofer tek Radio Televizioni Shqiptar dhe gjatë gjithë kohës ishte në lëvizje. Kjo ka qenë edhe arsyeja për të cilën bashkëshortja e tij kërkonte divorcin. Këto fakte i ka deklaruar në polici Agim Ilnica, i cili ka sqaruar edhe rrethanat se si ka ndodhur ngjarja. Ndërkohë, oficerët e policisë presin përmirësimin e gjendjes shëndetësore të dy të plagosurve, në mënyrë që të marrë edhe deklarimet e tyre rreth ngjarjes. Policia ka sekuestruar armën e krimit, një pistoletë tip "TT" dhe dy gëzhoja, të cilat mbaheshin pa leje nga autori i ngjarjes.

Dëshmia e babait të autorit

TIRANE - Personi që është marrë në pyetje nga policia dhe që ka hedhur dritë rreth ngjarjes së djeshme është Agim Ilnica, babai i 27-vjeçarit të plagosur. Ai ka treguar për policinë se çifti ishin të martuar prej një viti, kishin një djalë të vogël një vjeç, por kishin zënka të vazhdueshme me njëri-tjetrin, pasi gruaja kërkonte herë pas herë divorcin. Sipas tij, ky mund të ketë qenë motivi i vetëm, që e ka shtyrë djalin e tij të bënte një veprim të tillë. Babai i autorit të ngjarjes mësohet se ka pranuar se ishte në dijeni të mosmarrëveshjeve mes bashkëshortëve. Ai ka qenë dëshmitar okular në disa momente konfliktesh mes tyre, ndërsa divorci sipas policisë është shkaku i ngjarjes. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›