Panairi i punës, mundësi për të rinjtë
Për të dytin vit radhazi është zhvilluar dje në kryeqytet “Panairi i Punës”. Me anë të tij, u jepet mundësia të rinjve që pas diplomimit të integrohen menjëherë në tregun privat të punës. Në këtë panair morën pjesë dhjetëra kompani të rëndësishme që veprojnë në tregun shqiptar deri tek institucione shtetërore, si Ministria e Ekonomisë dhe Bashkia e Tiranës. Të rinjtë në pritje të diplomimit kanë parë nga afër vendet e punës dhe mundësitë që ofrojnë ndërmarrjet private. Ata kanë plotësuar aplikimet për t’u bërë pjesë e tyre pas diplomimit. Fushat në të cilat ata kanë aplikuar janë bankat, siguracionet, telefonia celulare, distribucioni, komunikimi, marketingu, konsulencë financiare deri te pushteti qendror dhe ai vendor. Panairi është organizuar nga Zyra e Karrierës në universitetin e “New York” në Tiranë. Qëllimi i këtij panairi, sipas organizatorëve, është krijimi i mundësive për punësim për studentët që diplomohen këtë vit akademik.