Alibeaj mbështet nismën e FDE-së për të shpallur 17 janarin ditë lutjeje
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar dje mbështetjen për nismën e ndërmarrë nga Forumi për Demokraci dhe Etikë për ta shpallur 17 janarin si ditë lutjeje dhe reflektimi kombëtar. Gjatë një takimi me përfaqësues të Forumit për Demokraci dhe Etikë, ministri Alibeaj pranoi ftesën e tyre për të marë pjesë në Marshimin e Paqes, që do të organizohet më 17 janar në Tiranë. Përmes kësaj nisme, Forumi për Demokraci dhe Etikë, sipas drejtorit Ekzekutiv të saj Arian Galdini, synon që qytetarët shqiptarë dhe bashkë me ta dhe politikanët të bëhen pjesë dhe autorë të Aleancës së Madhe të Mirëkuptimit. Sipas tij, të gjithë qytetarët, demokratë dhe socialistë, monarkistë dhe republikanë, besimtarë dhe laikë, duhet të marrin pjesë në datën 17 janar në këtë lëvizje shprese kombëtare.
Berisha uron bektashinjtë në Ditën e Hashures
Kryeministri Berisha vizitoi dje në mesditë Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, me rastin e Ditës së Hashures. Kryeministri Berisha i përcolli kryetarit të Kryegjyshatës, Baba Dede Reshat Bardhi, si dhe të gjithë besimtarëve bektashinj, urimet më të përzemërta për këtë ditë të shenjtë. Në urimin e tij, kryeministri Berisha u shpreh se Dita e Hashures është dita e mirëkuptimit dhe tolerancës njerëzore. “Uroj të gjithë bektashinjtë shqiptarë, të gjithë besimtaret shqiptarë, në këtë ditë të bardhë, ditë të madhe, ditë të shenjtë, siç është Dita e Hashures. U uroj këtë ditë bektashinjve, të cilët, pas besimit te Zoti, virtytin më të madh kanë shpirtmadhësinë e tyre, tolerancën, mirëkuptimin dhe frymën e pafundme njerëzore. Le të jetë kjo ditë dhe ky vit, viti më i mirë për bektashinjtë shqiptarë dhe për të gjithë shqiptarët”, - u shpreh Berisha.
9 Janar 2009