E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e normës së kontributeve, qeveria e shtyn për në maj 2009



Reforma e re për uljen e normës së pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, që sipas premtimit do të zbriste me 5 për qind të pjesës që paguan punëdhënësi e që duhet të hynte në fuqi që nga janari 2009, do të shtyhet. Me sa duket edhe këtë reformë qeveria kërkon ta “shesë” për një premtim elektoral të radhës, duke e shtyrë atë në 1 maj 2009 dhe duke pritur që ajo të ndikojë në formalizimin e tregut të punës. Gjithashtu qeveria synon edhe eliminimin gradual të raportit midis normës së kontributeve që paguan punëdhënësi dhe asaj që paguan punëmarrësi, për të arritur në nivelin e vendeve të tjera. Në buxhet është parashikuar që të ardhurat e kontributeve do të jenë 56.191 milionë lekë, nga të cilat 49.812 milionë lekë kontribute shoqërore, ose 4.7 për qind e PPB-së në vitin 2009, krahasuar me 4.6 për qind në vitin 2008.

Biznesi kërkon nga qeveria rishikimin e pagesave të referencës

Biznesi i ka kërkuar qeverisë që të rishikojë masën e disa pagave të referencës që janë vendosur me vendim të Këshillit të Ministrave gjatë vitit 2008. Vitin e kaluar Konfindustria paraqiti një studim për këtë gjë, nisur nga pakënaqësitë dhe ankesat e bizneseve, kryesisht për gjoba të padrejta si shmangie e referencave nga tregu real. Numri i kontribuesve vitin që shkoi ishte 400 mijë persona. Këtë vit parashikohet rritje prej 56.400 kontribuesish të rinj në skemë, si rezultat i rritjes së numrit të kontribuesve në biznesin e madh me rreth 6 për qind dhe numrit të kontribuesve në biznesin e vogël me rreth 45 mijë.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›