Partizani, Shpëtim Duro me lajme të mira
Partizani i bëri “bam” topit për herë të parë gjatë vitit 2009. Trajneri Shpëtim Duro zhvilloi seancën e parë stërvitore me të kuqtë, ku dha edhe disa habere të mira. I pari kishte të bënte me një zgjidhje të shpejtë të problemeve financiare, pasi tekniku kishte marrë garanci nga presidenti Albert Xhani për zgjidhjen e problemeve financiare. “Është çështje ditësh”, - tha Duro.
Lajmi i dytë i mirë kishte të bënte me zhvillimin e fazës përgatitore. “Presidenti (Xhani) kërkon që ta bëjmë në Greqi”, - theksoi Duro, ndërkohë që Partizani ka nisur kontakte me disa klube të Superligës greke për zhvillimin e ndeshjeve miqësore.
Lajmi i tretë ishte i fokusuar tërësisht në merkato. “Mund të them, - u shpreh Duro, - “se kanë firmosur me Partizanin: Arian Sheta, i cili ka qenë dhe sot në stërvitje, Skerdi Bejzade, Ardit Beqiri dhe Engert Bakalli”. Partizani, pas 17 javësh në vendin e parafundit me vetëm 13 pikë, po aq sa Lushnja, është drejtuar në këtë pjesë të parë të Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit nga trajneri Hasan Lika e Shpëtim Duro.
Misioni i vetëm i “demave” në sezonin aktual është ai i mbijetesës midis 12 ekipeve më të mira të Superligës, pavarësisht se skuadra e kuqe në 60 kampionatet e zhvilluara nga ana e saj (nga viti 1947) ka dalë 15 herë kampione dhe 29 herë nënkampione.
Pejiç del nga planet e Dinamos
Pero Pejiç nuk ka asnjë mundësi të riveshë fanellën e Dinamos, me të cilën kroati u shpall sezonin e kaluar dhe shënoi 18 gola (i dyti pas Sinanit të Vllaznisë, 20 gola). Lajmi është bërë i ditur nga drejtuesit e lartë të 17-herë kampionëve të Shqipërisë. Sulmuesi shtatlartë, i transferuar të Kapfenbergu në Austri gjatë merkatos së verës, është i dëmtuar. Sipas drejtorit ekzekutiv të klubit, Ismet Saliasi, me Pero Pejiçin janë mbyllur bisedimet edhe pse ai ka qenë në planet e klubit. “Trajneri Daliç e ka takuar personalisht sulmuesin, por vendosi të mbyllë bisedimet me të pasi lojtari ka probleme dëmtimi. Tani po mendojmë për një tjetër sulmues shumë cilësor, i cili mund të jetë shqiptar, por edhe i huaj”, - u shpreh Saliasi. Dinamo është duke vuajtur mungesën e një goleadori race këtë sezon, pasi kroati Frane Petriçeviç rezultoi një blerje e dështuar (vetëm 1 gol në 17 javë), ndërsa Sebino Plaku (8 gola) ndodhet për momentin në Norvegji me skuadrën që zotëron dhe kartonin e tij, HamKamin. Për momentin, Dinamo ka blerë ish-sulmuesin e Partizanit, Elis Bakaj, ndërkohë që të enjten prezantohet argjentinasi Ceco.
Hallaçi fut në “sherr” Dinamon me Tiranën
Rahman Hallaçi është drejt largimit nga Partizani. Mbrojtësi nuk u paraqit në stërvitjen e parë të “demave” dhe, mesa duket, ka vendosur të largohet nga 15-herë kampionët e Shqipërisë, që gjatë këtij sezoni po kalojnë momentin e dytë të errët të historisë së tyre 62-vjeçare. Kuksiani ka shprehur dëshirën të provojë një aventurë tjetër, pasi situata në klubin e kuq vazhdon të jetë e paqartë. Dinamo e kërkon prej kohësh (prej merkatos verore), ndërkohë që edhe Tirana ka hyrë në garë për të përfituar shërbimet e një prej mbrojtësve më të mirë të kampionatit shqiptar. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditura se oferta e presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj, për të është mjaft e kënaqshme. Hallaçi është në pritje edhe të propozimit financiar të bardhebluve të Refik Halilit, që ende janë në pritje të së ardhmes së nigerianit Abraham Aleçenvu, i cili mund të largohet nga bardheblutë. Dinamo mori nga Partizani gjatë merkatos sulmuesin Elis Bakaj, ndërkohë që Tirana i pagoi Partizanit 130 mijë euro gjatë merkatos verore për Tefik Osmanin e Gjergji Muzakës, ndërkohë që Bledar Devolli kaloi si lojtar i lirë te bardheblutë.
Xhafaj, oferta iraniane e kënaq përgjysmë
Daniel Xhafaj është pëlqyer nga kampioni i Iranit, Estegal FC, por formula e transferimit të propozuar nga klubi nga kryeqyteti iranian duket se për momentin përbën edhe pengesën e parë.
Sulmuesit të Tiranës (4 gola gjatë këtij sezoni) i është propozuar një kontratë e mirë financiare me një periudhë më të shkurtër kohore nga sa ishte folur më parë dhe kjo ka bërë që për momentin bisedimet të shtyhen paksa në kohë. Vlonjati Xhafaj, i cili më parë ka luajtur më parë në Zvicër me Nojshatel Ksamaks, përfundon kontratën e tij me Tiranën me përfundimin e sezonit aktual 2008-2009.
Endri Vrapi drejt Qipros
Mbrojtësi i Elbasanit e i Kombëtares shqiptare, Endri Vrapi, mund të largohet në drejtim të Qipros. Ish-lojtari i Tiranës pritet të bashkohet me Omonia Nikosia, skuadër me të cilën luan edhe Klodian Duro.
Jaksimoviç, në provë me Shkumbinin
Mesfushori sulmues Igor Jaksimoviç është në provë e sipër te Shkumbini. 28-vjeçari serb është kështu lojtari i dytë i huaj te skuadra peqinase pas maqedonasit Deliovski. Presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, i ka premtuar tre blerje trajnerit Gugash Magani.
8 Janar 2009