Qeveria mashtron me uljen e pagesës së sigurimit për privatët për vitin 2009
Ervin Koçi
Qeveria, ndryshe nga sa kishte premtuar, nuk e ka ulur aspak tarifën për pagesën e sigurimeve shoqërore që një subjekt privat apo një i vetëpunësuar duhet të paguajë në shtet. Ndryshe nga sa u premtua edhe prej kryeministrit Berisha vitin e kaluar, se “tarifa e sigurimeve do të ulej për të eliminuar informalitetin dhe punën në të zezë”, asgjë nuk ka ndryshuar. Ndërkohë qeveria e ka shtrënguar sektorin privat dhe me afate mjaft të shkurtra, për të bërë të gjitha pagesat për këto kontribute, duke lënë të pashpjeguar ngutjen e madhe të nevojës për të mbledhur para. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, gjatë vitit 2009 parashikohen që të grumbullohen nga subjektet private rreth 56 miliardë lekë të ardhura nga kontributet e sigurimeve. Si afat përfundimtar për këtë pagesë të kontributeve, qeveria ka caktuar datën 20 janar 2009 për t’i paguar detyrimet pranë administratës tatimore. Por, nga riindeksimi i kontributeve del se të vetëpunësuarit në bizneset e tyre apo dhe pronarët për punonjësit që kanë punësuar, duhet të paguajnë më shumë kontribute për sigurimet shoqërore këtë vit. Pas marrjes së vendimit për rritjen e pagave në korrik të vitit 2008 për të gjithë buxhetorët, qeveria mori edhe vendimin për rritjen e nivelit të pagës minimale në të gjithë sektorët, duke e shtuar kështu automatikisht sasinë e kontributeve që privatët duhet të derdhin në skemën e sigurimeve. Kjo shtesë ka reflektuar kështu në pagesat e detyrimeve të kontributeve të sigurimeve për tremujorin e katërt, tetor-nëntor-dhjetor të vitit 2008, që do të paguhet deri në fund të janarit 2009. Paga minimale për të vetëpunësuarit është rritur me 1.681 lekë, që do të thotë se edhe kontributet e tyre, që shkojnë rreth 33.2 për qind, do të llogariten mbi këtë pagë, e cila është 14.830 lekë. Pra tani ata do të paguajnë rreth 4.924 lekë më tepër në muaj.
Sigurimi me detyrim
Si të mos mjaftonte norma e lartë që paguhet nga subjektet private për sigurimin e punonjësve dhe vetësigurimin, në shtator të vitit të kaluar qeveria vendosi edhe numrin referues të punonjësve që duhet të sigurohen detyrimisht sipas aktiviteteve. Kjo gjë do të thotë se edhe nëse një subjekt privat fizik (biznes i vogël), paguan sigurime shoqërore vetëm për një person, ai është i detyruar të sigurojë edhe një tjetër në bazë të xhiros vjetore. “Kur administrata tatimore vëren se numri i të punësuarve, të deklaruar nga tatimpaguesit e regjistruar në biznesin e vogël, për efekt të pagimit të kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nuk është real dhe nuk i përgjigjet vlerës së tregut për shërbimet e punësimit, ajo ka autoritetin të bëjë rivlerësim, sipas llojit të veprimtarive dhe vëllimit të të ardhurave vjetore”, - thekson udhëzimi i Ministrisë së Financave. Numri minimal referues i të punësuarve dhe të vetëpunësuarve, për disa veprimtari të subjekteve të biznesit të vogël është ndarë sipas nivelit të të ardhurave bruto vjetore për bazën e taksës, nga 2 milionë lekë deri në 8 milionë lekë.
Biznesi kundërshton skemën
Përfaqësuesit e biznesit privat e kanë kundërshtuar dje me forcë skemën e qeverisë për të rritur këtë vit masën e detyrimeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Ata kanë kundërshtuar gjithashtu edhe një sërë masash të reja që kishin lidhje me pagesat e taksave dhe rimbursimin e TVSH-së. Gjatë një takimi dje me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, drejtuesit e shoqatave të biznesit ngritën si problem edhe rimbursimin e TVSH-së. Sipas tyre, në ligjin e ri parashikohet që ky rimbursim duhet të bëhet brenda 30 ditësh pas kontrollit financiar, ndërkohë që ka biznese të cilat kanë dhjetë muaj që nuk e kanë marrë, edhe pse kontrolli është bërë. Ndërkohë që drejtuesit e Tatimeve kanë sqaruar se rimbursimet gjatë vitit 2008 kanë shënuar shifrën e rreth 2.4 miliardë lekëve, por një veprim i tillë mund të ketë hasur probleme për shkak se eksportet për vitin që kaloi janë rritur me 47 për qind.
Gjatë këtij takimi, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, ka bërë sqarime mbi ligjin e ri për ndryshimin e taksave doganore për disa produkte. Diskutime ka pasur edhe rreth interpretimit ligjor, ku edhe kryetarja e Dhomës Amerikane të Tregtisë, Floreta Luli Faber, është shprehur se problemet e biznesit nuk vijnë nga ligji, por nga mënyra se si zbatohet nga inspektorët, apo më keq nga mosnjohja mirë e ligjit nga vetë tatimorët.
Si do të bëhet pagesa për detyrimet tatimore dhe sigurimet
Burime zyrtare pranë Administratës Tatimore bëjnë të ditur se për tatimpaguesit e taksës vendore mbi biznesin e vogël është caktuar si afat përfundimtar data 20 janar 2009. Në po këtë datë janë lënë edhe afatet përfundimtare të pagesës së sigurimeve shoqërore për 3-mujorin e fundit të vitit 2008. Pra deri në këtë datë duhet të tërhiqet dhe të dorëzohen formularët dhe listë-pagesat për deklarimin dhe pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me anën e këtij deklarimi bëhet edhe pagesa e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për periudhën tetor-nëntor-dhjetor të vitit të kaluar (2008). Ky është afati zyrtar për pagesat e vitit të kaluar, ndërsa gjatë vitit 2009 parashikohet që të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të arrijnë në 56.191 milionë lekë.
9 Janar 2009