E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhafaj, G 99: “Rritja ekonomike, tymnajë ireale e qeverisë”



Lëvizja G 99 ka komentuar deklaratat e kryeministrit Berisha, sipas të cilit vendi ka pësuar rritje ekonomike dyshifrore. Aktivisti i G 99, Etien Xhafaj, i quajti këto deklarata tymnaja ireale të kryeministrit Berisha të cilat synojnë të mashtrojnë opinionin publik. Duke komentuar debatin Berisha-Bode për rritjen reale ekonomike të vendit, Xhafaj tha se ky debat nuk ishte gjë tjetër veçse qartësim i gënjeshtrave të qeverisë.
“Konflikti nuk na sqaroi se sa është rritur ekonomia, por na bëri të qartë se këtë radhë qeveria ka gënjyer shumë më tepër nga ç’mund të fshehë. Konflikti midis zotërinjve Bode dhe Berisha nuk është mbi besueshmërinë e shifrave të INSTAT-it, por mbi nevojën që kjo qeveri ka për të trumbetuar suksese që nuk ekzistojnë dhe për të fshehur dështimet e korrupsionin, të cilat janë prerogativa e kësaj qeverie. Kjo tymnajë ireale e kryeministrit synon të mashtrojë opinionin publik në një vit zgjedhjesh për të rritur artificialisht një performancë tepër të dobët. Shqiptarët nuk mund të ushqehen me lugën bosh dhe leximi qëllimisht i gabuar që u bëhet parashikimeve të INSTAT-it mbi rritjen ekonomike tregon edhe një herë se kryeministri, ekspert në çdo fushë e zeje, nuk shpreson më të tregojë me punë sukseset e qeverisë që ai drejton, por të gënjejë edhe një herë tjetër”, - tha Xhafaj. Ai kërkoi dorëheqjen e ministrit të Financave Ridvan Bode. “Në vitin 2008, Ministria e Financave nuk arriti të realizojë mbledhjen e të ardhurave, pavarësisht parashikimit të tyre më pak optimist se INSTAT-i. Kështu mundësitë janë dy: ose qeveria gënjen për rritjen nëpërmjet INSTAT-it, ose ministri i Financave është i paaftë të bëjë punën që i është besuar dhe si rrjedhojë duhet të japë dorëheqjen. Gjithsesi, ajo që është mëse e qartë në këtë pikë është se konfliktin e interesave e ka kryeministri, i vetmi që është gati të bëjë gjithçka për të evituar të vërtetën e hidhur që e pret në zgjedhjet e këtij viti”, - tha Xhafaj.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›