Vendimi i Këshillit Bashkiak: “Hiqen Pesë Heronjtë e Vigut”
SHKODËR – Pas mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar, vihet në shënjestër për tu hequr edhe monumenti simbol i qytetit të Shkodrës “Pesë Heronjtë e Vigut”. Autoritetet vendore të qytetit verior kanë marrë vendimin për ta hequr monumentin që deri më tani ka qenë pjesë e jetës së përditshme të banorëve të asaj zone. Këshilli Bashkiak ka diskutuar për disa orë propozimin dhe pasditen e së enjtes, me propozimin e këshilltarëve të djathtë, është vendosur heqja e këtij simboli. Por, kjo ka hasur në kundërshtimin e këshilltarëve të majtë, të cilët e kanë cilësuar këtë vendim si antikombëtar.
Vendimi
Mbrëmë ka përfunduar mbledhja e Këshillit Bashkiak në Shkodër e cila ka vendosur me shumicë votash ekzekutimin e heqjes së monumentit simbol të qytetit, atë të “Pesë Heronjve të Vigut”. Burimet zyrtare raportojnë se Këshillin Bashkiak ka zhvilluar një mbledhje maratonë, plot me debate dhe tension mes këshilltarëve të partive politike të përfaqësuara në këtë institucion. Këshilltarët kanë diskutuar gjatë gjithë mesditës së djeshme mbi atë nëse duhet të hiqet nga vendi ku ndodhet, monumenti aq i njohur për Shkodrën. Projekti i Bashkisë është që simboli i qytetit të dërgohet në Varrezat e Dëshmorëve (!) dhe në vend të tij, të ndërtohet një shatërvan.
Burimet në mbledhjen e nxehtë të Këshillit Bashkiak bënë të ditur se në debat, anëtarët që përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe të tjerat e mazhorancës aktuale, ishin pro heqjes së monumentit.
Kurse këshilltarët që përfaqësonin partitë e majta, këmbëngulën që një hap i tillë që e konsideruan antikombëtar dhe antiatdhetar të mos hiqet, duke paralajmëruar se janë kundër dhe për këtë demonstruan dhe votën refuzuese. Në fund të mbledhjes, me shumicë votash, u vendos që monumenti të hiqet nga qendra e qytetit të Shkodrës dhe të përfundojë te Varrezat e Dëshmorëve.
Monumenti, ndodhet në qendër të qytetit, te rrethorja siç e njohin shkodranët, dhe është një pikë shumë e rëndësishme referimi për të gjithë banorët, por dhe ata nga gjithë Shqipëria dhe turistët nga vende të ndryshme të botës.
Rastet
Para disa muajsh Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve mori nismën për të hequr mozaikun që ndodhet në pjesën ballore të Muzeut Historik Kombëtar. Një hap i tillë u mbështet edhe nga ish-drejtori i këtij institucioni, Beqir Meta. Por, kjo ngjalli reagime të partive politike dhe rretheve të ndryshme intelektuale. Ndonëse u diskutua një gjë e tillë, ende nuk është hequr mozaiku që simbolizon luftën dhe përpjekjet e klasës punëtore për ndërtimin e shoqërisë komuniste. Një tjetër rast i ngjashëm është edhe propozimi i bërë për heqjen e emrit të Ismail Qemalit të Universitetit të Vlorës. Kjo ngjalli debate të ashpra në të gjitha qarqet politike, intelektuale dhe mediatike, duke detyruar më pas që nismëtarët e ndryshimit të emrit të tërhiqen nga realizimi i këtij projekti.
Masa, mbetet në qeli eksperti që mori ryshfet 10 mijë euo
VLORË - Gjykata e Vlorës vendosi masën e sigurisë "arrest në burg pa afat" për 49-vjeçarin Besnik Kuçi, që ushtronte veprimtarinë private të ekspertit të lëndës drusore, i ndaluar para katër ditësh pasi u akuzua për korrupsion dhe vjedhje përmes mashtrimit. Në seancën e zhvilluar dje, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Vladimir Skënderi shqyrtoi në tërësi provat që kishte paraqitur prokuroria në ngarkim të të ndaluarit, ndërsa ky vetë tha se është i pafajshëm dhe nuk e pranoi akuzën, të cilën e quajti "të sajuar nga persona me interesa të caktuara". Në përfundim të seancës, trupi gjykues e vlerësoi të ligjshëm ndalimin e Kuçit dhe arriti në përfundimin se ky kishte kryer "elementë të veprës penale të korrupsionit pasiv dhe vjedhjes përmes mashtrimit". Kuçi u ndalua të hënën pasi u denoncua në prokurori nga dy përfaqësues të një firme që shfrytëzon masivet pyjore, të cilët pretendonin se ai u kishte kërkuar shpërblim financiar në shkëmbim të ndryshimit të ekspertizës dhe favorizimeve në një proces gjyqësor penal. Denoncuesit, Qatip Veshi e Adil Laskaj, po përballeshin në këtë proces me akuzën e shkatërrimit të pyjeve, ku aktin e ekspertimit e kishte kryer Kuçi. Në përfundim të një operacioni të policisë atij iu kapën edhe 10 mijë euro, të cilat ua kishte marrë Veshit e Laskajt, pas premtimeve që u kishte bërë. Arrestimi i Kuçit ndodhi pikërisht ditën që do të zhvillohej seanca në ngarkim të 18 zyrtarëve të akuzuar për abuzim me fondin pyjor në rrethin e Vlorës. Kjo solli shtyrjen e procesit gjyqësor. Vetë Kuçi kishte premtuar se do të bëjë vlerësimin e dëmit në shifra më të ulëta sesa ato që ishin deklaruar më parë. Por, ai mendohet t’iu ketë kërkuar zyrtarëve të pyjores, të cilët po hetohen në gjendje të lirë, shumën prej 10 mijë eurosh.
26 Shtator 2008