Alibeaj paralajmëron: Rishikim edhe për imunitetin e gjyqtarëve
TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, paralajmëroi dje ndryshime në ligj dhe në Kushtetutë lidhur me imunitetin e gjyqtarëve. Vetëm pak kohë pas miratimit të ligjit që u hoqi imunitetin prokurorëve në të gjithë vendin, kreu i Ministrisë së Drejtësisë ka pohuar dje për mediat se në vazhdim të reformës në drejtësi do të ketë një ndryshim në ligje dhe në Kushtetutë lidhur me përcaktimin e imunitetit të gjyqtarëve. "Një hap është bërë me ligjin për Prokurorinë, ku koncepti i imunitetit është shfuqizuar. Për gjyqtarët është ndryshe. Ligji për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor parashikon dispozitat e imunitetit të tyre, e cila është një parashikim ligjor që bazën e ka te Kushtetuta. Për gjyqtarët, koncepti i imunitetit është i shkruar në Kushtetutë, çka do të thotë se nëse do të ketë tentativë dhe duhet të ketë, për ridimensionimin e konceptit të imunitetit është e domosdoshme që kjo të reflektohet në ligjet respektive", tha ministri i Drejtësisë, Alibeaj. Lajmi është konfirmuar prej burimeve zyrtare në dikasterin e Drejtësisë, sipas të cilave ridimensionimi i imunitetit të gjyqtarëve do të jetë në frymën e kufizimit të imunitetit për zyrtarët shtetërorë në tërësi. Burimet nuk sqaruan nëse në rastin e gjyqtarëve bëhet fjalë për heqje imuniteti, ashtu si për prokurorët apo thjesht për një kufizim të tij. Dispozitat e heqjes së imunitetit kanë qenë mes pikave më të kritikuara në draftin që Ministria e Drejtësisë hartoi për ndryshimet e miratuara tashmë në ligjin për Prokurorinë. Lidhur me gjyqtarët, ministria ende nuk ka bërë publike nisma konkrete, ndërsa Alibeaj paralajmëroi dje "reformë" në këtë drejtim. tr.so