Skadon afati, Topi nuk firmos “Dosjet”
ADI SHKEMBI
Presidenti Topi pritet të mos e kthejë për rishqyrtim Ligjin e Dosjeve, por do ta lërë atë të hyjë në fuqi pasi të kalojë afati prej 20 ditësh, i parashikuar nga Kushtetuta. Pak orë para skadimit të këtij afati, gazeta ka arritur të zbulojë se kreu i shtetit nuk do ta firmosë ligjin e debatueshëm. Në këtë mënyrë Topi duket se ka zgjedhur rrugën e mesme, duke mos e rikthyer për rishqyrtim, por as duke dhënë miratimin e tij për hyrjen në fuqi të këtij ligji. Në nenin 84 të Kushtetutës, parashikohet pikërisht e drejta e Presidentit për të mos u shprehur për ligjin, i cili hyn në fuqi menjëherë pas kalimit të këtij afati. "Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85", thuhet në pikën 1 dhe 2 të këtij neni. Megjithë presionin e maxhorancës për miratimin e ligjit, kreu i shtetit i është shmangur gjithmonë pyetjeve në publik, nëse do ta dekretojë hyrjen në fuqi të këtij ligji. Para marrjes së vendimit përfundimtar, Topi ka pasur një takim edhe me të përndjekurit politikë. Duke iu referuar debatit të ditëve të fundit, që pas miratimit të tij në Kuvend nga shumica qeverisëse, Topi u shpreh se "çështja e pronave është shumë e ngjashme me çështjen e dosjeve të lustracionit". Madje kreu i shtetit ka akuzuar maxhorancën, duke shtuar se individë të caktuar që janë bërë pjesë e këtij debati kanë pasur lidhje me regjimin e kaluar. "Njerëz, që mund të kenë qenë të lidhur në një mijë mënyra me regjimin, ngrihen dhe akuzojnë të tjerë që s'kanë pasur asnjë lloj lidhje me regjimin. Pra, kësaj shoqërie duhet t'i kthehet morali!", tha Presidenti i Republikës. Shoqatat që u takuan me kreun e shtetit shprehën rezervat e tyre lidhur me nenin 4 të ligjit, i cili sipas tyre ka përjashtuar nga papajtueshmëritë e funksioneve publike kategori të tjera funksionarësh të lartë si ministrat, drejtuesit e institucioneve të tjera të larta politike apo shtetërore, sekretarët e partisë dhe zyrtarët e lartë të aparatit të Komitetit Qendror. Drejtuesit e dy shoqatave u shprehën për nevojën e zgjerimit të hapësirës së ligjit për pastërtinë e figurës së funksionarëve të administratës publike edhe për bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja.
Ligji i
Prokurorisë
Ndërkohë, përveç Ligjit për Dosjet, një tjetër dilemë e madhe e kreut të shtetit është edhe Ligji i Prokurorisë. Por në ndryshim nga i pari, ai i organit të akuzës është miratuar me konsensus të dy partive më të mëdha. Kreu i shtetit ka afat deri më 20 janar për kthimin e ligjit në Kuvend ose dekretimin e tij. Ndërkohë burimet në presidencë bëjnë të ditur se nisur nga kundërshtimet e mëdha që ka pasur organi i akuzës, Topi prej disa ditësh ka nisur konsultimet, të cilat do të jenë vendimtare për verdiktin që do të japë ai. Ndryshimet në Ligjin e Prokurorisë u miratuan me rreth 120 vona në Kuvend, por ato u kundërshtuan ashpër nga Prokuroria e Përgjithshme, veçanërisht në nenin që kishte të bënte me heqjen e imunitetit të prokurorëve dhe atë të inspektimit të Ministrit të Drejtësisë. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, doli hapur në Parlament kundër marrëveshjes mes PS dhe PD për ligjin. Sipas Ramës, por edhe ekspertëve të tjerë, ky ligj cenon pavarësinë e Prokurorisë
Të huajt, të gjithë kundër “dosjeve”
Thuajse në një zë, i gjithë Komuniteti Ndërkombëtar në Shqipëri, por edhe jashtë saj, ka qenë kundër miratimit të ligjit të dosjeve në Kuvend. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasada Amerikane në Tiranë, Këshilli i Evropës dhe misioni i OSBE- ODIHR, i kanë kërkuar maxhorancës të mos e votojë ligjin, pasi ai ngre shqetësime serioze kushtetuese. Madje, edhe njëri prej zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Daniel Fried pati një bisedë telefonike me Kryeministrin Berisha, për të mos e votuar këtë ligj.