E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kompensimi financiar, 1 miliard lekë"

 

BLEDAR HOTI

Fondi për kompensimin financiar të ish-pronarëve do të shkojë në 10 miliardë lekë të vjetra. Rritja e këtij fondi do të realizohet nga fondet e mbledhura nga privatizimet. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tunxh Vatnikaj, në një prononcim për median deklaroi se "fondi pritet të shkojë në 1 miliard lekë për kompensimin e ish-pronarëve". "Ky fond do të krijohet nga fondet e privatizimeve, si dhe nga shitja e tokave shtetërore që do të realizohet", theksoi Vatnikaj. Për vitin 2009 qeveria ka parashikuar në buxhetin e shtetit një fond prej 600 milionë lekësh për kompensimin e ish-pronarëve. Vatnikaj thekson se këtij fondi do t'i shtohet 10 për qind nga privatizimi i objekteve shtetërore të mëdha. Mënyra se si do të shpërndahet ky fond, kategoritë e ish-pronarëve që do të përfitojnë pritet të përcaktohen me një vendim të veçantë nga ana e Këshillit të Ministrave. Ndërsa numri i dosjeve që AKKP-ja ka kaluar në shqyrtim, sipas Vatnikaj, është 300 më shumë se sa janë kryer në këto tetë vite nga komisionet e kthimit të pronave. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po merret me procesin e ndarjes së fondit prej 500 milionësh lekësh për ish-pronarët, si pjesë e procesit të kompensimit financiar. Në lidhje me këtë proces, nëndrejtori i përgjithshëm, Genci Çelo shprehet se "janë akoma në proces verifikimi të disa prej dosjeve të cilat rezultojnë që janë fitues". Sipas tij, një grup ekspertësh nga AKKP-ja është nisur dje për në Vlorë për të verifikuar disa nga dosjet e depozituara nga ana e subjekteve të shpronësuara të këtij qyteti, për të përfituar nga ndarja e fondit prej 500 milionë lekësh. Ndërsa pritet që numri i fituesve të shkojë deri në 130 persona për ndarjen e 500 milionë lekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›