E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, Pollo: Topi i vonuar me dekretimin

 

ADI SHKEMBI

Një ditë para se Presidenti Topi të vendosë përfundimisht nëse do e kthejë ligjin e dosjeve, maxhoranca e konsideron të vonuar dekretimin e tij. Zv.kryeministri Genc Pollo shprehet se ligji është mjaft i qartë dhe 30 nenet e tij janë krejtësisht të kuptueshme çka bën të panevojshme, sipas tij, vonesën e kreut të shtetit deri në fund të afatit të tij kushtetues. Në një intervistë në "Alsat", numri dy i qeverisë u shpreh se "unë e quaj të vonuar procesin e dekretimit, unë nuk shoh ndonjë arsye për t'u menduar kaq shumë për një ligj me 30 nene, mesazhi i të cilit është i qartë, instrumentet e të cilit janë lehtësisht të kuptueshme". Ish-kryetari i Partisë Demokrate të Re, tashmë i shkrirë në Partinë Demokratike, ka ironizuar edhe dekretin e kreut të shtetit në fillim të dhjetorit, për të kthyer sërish në Parlament, Kodin Zgjedhor të miratuar me konsensus nga dy partitë e mëdha. Sipas Pollos, presidenti nuk është Gjykatë Kushtetuese që të shohë deri në germat e ligjit. "Presidenti i Republikës, sipas Kushtetutës sonë, është një njeri që ka një vizion të caktuar, që mund të kundërshtojë diçka, por duhet të ketë argumente të forta lidhur me përmbajtjen. Dhe e njëjta gjë vlen dhe për Kodin Zgjedhor. Presidenti i Republikës nuk është Gjykatë Kushtetuese që të shikojë germat dhe dispozitat e veçanta në përputhje me dispozitat e tjera. Nuk është një byro politike, Presidenti i Republikës është një figurë e lartë, e cila shprehet me pikëpamjet e veta dhe nuk ka asnjë arsye pse kjo duhet të vonohet më tutje", theksoi më tej Pollo. Duke argumentuar arsyet, përse kreu i shtetit duhet të dekretojë hyrjen në fuqi të ligjit të dosjeve, zv.kryeministri thekson se ka qenë pikërisht Topi i cili tre vjet më parë në cilësinë e Kryetarit të Grupit Parlamentar Demokrat ka hartuar një ligj për hapjen e dosjeve. Madje, sipas Pollos, varianti i dorëzuar në Kuvend nga Topi nuk ka shumë ndryshime nga varianti përfundimtar që tashmë ndodhet në tryezën e punës së Presidentit. "Unë do të kisha shpresuar që të ishte deklaruar fuqimisht pro këtij ligji sepse njeriu ka një konsistencë në vendimin dhe veprimin e tij. Dhe kur presidenti i sotëm ka qenë kryetar i grupit të deputeteve demokratë dhe në të shkuarën ka qenë propozuesi dhe mbështetësi kryesor i këtij ligji. Çfarë është propozuar tre vjet përpara, për fat të keq na u deshën tre vjet që të vinim në këtë ditë, nuk ndryshon shumë nga ajo që është votuar dhe është dërguar tashmë në Presidencë. Dhe normalisht një njeri me një pikëpamje, me një bosht politik dhe me një drejtim, nuk mund të luhatej ose nuk ka arsye për t'u luhatur", vijoi më tej Pollo. Prej dy javësh maxhoranca është investuar publikisht me përfaqësuesit e saj më të lartë, për t'i kërkuar kreut të shtetit të dekretojë hyrjen në fuqi, ligjin e dosjeve. Kryeministri Berisha është shprehur së fundi i vendosur në miratimin e tij edhe në rast të ndonjë surprize të pakëndshme nga zyra e Presidentit. I pyetur pak ditë më parë lidhur me këtë çështje, ai tha se nëse kreu i shtetit do të kthejë për rishqyrtim në Kuvend ligjin, maxhoranca do ta votojë atë sërish të nesërmen. Shumica miratoi të hënën e 22 dhjetorit draftin e saj, megjithë thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për të mos u nxituar, dhe opozitës e cila ofroi konsensusin për një draft të ri.

Godo: Ligji i paplotë, por të dekretohet

Në limitet kohore të kreut të shtetit për të dekretuar ligjin e dosjeve, në lojë hyjnë edhe republikanët. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Sabri Godo tha dje në një prononcim për mediat se ky ligj është i paplotë dhe ka probleme. Sipas tij, varianti i miratuar nga maxhoranca nuk merret realisht me ata që kanë drejtuar sigurimin e shtetit, por me funksionarët e niveleve më poshtë. Megjithatë, sipas tij, ky ligj tashmë u miratua në Kuvend dhe si i tillë duhet dekretuar. "Unë kam thënë se ky ligj mbi dosjet nuk është i plotë. Ky le jashtë ata që kanë organizuar dhe drejtuar sigurimin e shtetit dhe përndjekjen politike dhe merret me funksionarët e dorës së dytë dhe të tretë. Megjithatë ky ligj u bë, ky ligj është më mirë se sa të mos kemi asnjë lloj ligji", u shpreh Sabri Godo. Kreu i Asamblesë Republikane ka kërkuar sërish dje zgjidhjen e çështjes së pronës. "Komuniteti Evropian e ka vënë si kusht zgjidhjen e pronës, ne i kemi bërë kësaj zgjidhje gjysmake sa për t'i thënë shqiptarëve dhe Evropës që 'e zgjidhëm problemin', pa zgjidhur ndonjë gjë në themel. Dhe se zgjidhja përfundimtare është të vejë prona tek i zoti. Këtij formulimi me tre fjale nuk i shpëtojnë dot", tha Godo.

“PD, mllef ndaj Topit për Dosjet”

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi tha dje se Presidenti Topi do ta dekretojë ligjin e dosjeve. "Zoti Topi duhet ta firmosë ligjin dhe ka për ta firmosur ligjin. Nuk është ndonjë zgjidhje e madhe për çështjet dhe krimet e komunizmit, është më shumë një ligj i cili ka të bëjë me çështjen elektorale që po afron", theksoi Shehi. Ai akuzoi maxhorancën për sjelljen e saj ndaj kreut të shtetit. "Gjithë kjo dallgë që vjen kundër Presidentit ditët e fundit nuk është gjë tjetër veçse inati, mllefi se nga na rrëshqiti ky, që pa teser partie hypi në majë të shtetit. Nëpërmjet këtij ligji, rrjedh e gjithë klasa e vjetër politike shqiptare, së cilës nuk i hyn gjemb në këmbë dhe po na drejton e sot e kësaj dite", tha Shehi.

Gruaja e Nelës, letër Presidentit:Hiqjani dekoratën edhe Fatmira Laskës

Bashkëshortja e poetit Havzi Nela, i cili u ekzekutua nga regjimi komunist në shkurt të 1988 si armik i popullit, i ka dërguar një letër Presidentit Topi, përmes së cilës i kërkon anulimin e dekorimit të personit që ka dënuar familjarin e saj. Lavdie Nelaj, në letrën dërguar Presidentit Topi, shprehet e indinjuar dhe e fyer nga dekorimet e fundit të tij për disa juristë dhe ish-gjyqtarë. "Unë që po ju shkruaj këtë letër të hapur jam Lavdie Nela, bashkëshortja e Havzi Nelës, disidentit të fundit të varur nga regjimi komunist më 10 shkurt 1988 në Kukës. Mora shkas nga lajmet e djeshme të datës 12 janar 2009, pasi ajo që më bëri përshtypje ishte deklarimi juaj në media z.President në një takim me të përndjekurit politikë. Ju deklaruat se keni përkrahur dhe do të përkrahni këtë shtresë dhe se e ndjeni ndërgjegjen të pastër pas një akti anulimi të dekorimit të një ish-prokurori të regjimit komunist. U lehtësova pak pasi nga dekorimet tuaja nuk isha vetëm unë e fyer", shprehet në letrën e saj Lavdie Nelaj.
Sipas saj, ka më shumë se një vit që në tavolinën e Presidentit ndodhet kërkesa e Bashkisë Kukës në shkresën me nr. 921, prot të datës 04.10.2007, ku kërkohet që Havzi Nela të dekorohet me urdhrin "NDERI I KOMBIT", por edhe sot e kësaj dite akoma nuk ka një përgjigje nga ana e kreut të shtetit". "Por jo vetëm kaq, si për ironi vitin e kaluar, më datë 10 korrik 2008, dekoruat me Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë ish-gjyqtaren Fatmira Laskaj, e cila ka qenë një nga anëtaret e trupit gjykues që dënoi me vdekje bashkëshortin tim", shprehet ajo. Sipas saj, "ky veprim i juaji z.President pati indinjuar jo vetëm ata që kanë vuajtur si unë gjatë regjimit komunist, por edhe gjithë opinionin e shëndoshë publik dhe unë i falënderoj për mbështetjen morale që më kanë dhënë. Dua t'ju pyes z.President, pse mes propozimeve për dekorim që patët mbi tavolinë zgjodhët persekutorin dhe jo martirin.
Dua t'ju pyes z.President, se cila ishte arsyeja që në 20-vjetorin e varjes nuk dekoruat disidentin e fundit të gjithë Evropës Lindore". "Dua t'ju pyes z.President si arrin ta kesh ndërgjegjen e pastër kur një ish-persekutore e kastës së lartë të regjimit komunist dekorohet nga dora juaj. Së fundmi mbetem me shpresë se ju do e rishikoni edhe njëherë aktin e gabuar të dekorimit të ish-persekutores Fatmira Laskaj, ashtu siç ripatë dekorimin e gabuar të ish-prokurorit Breca, pasi dekorime të tilla mund të firmosen lehtë, por hapin shumë plagë. Me veprimin e drejtë të dekorimit të bashkëshortit tim Havzi Nela, mendoj se do i tregonit opinionit publik se jeni me të vërtetë i interesuar në ndërtimin e shtetit të së drejtës", shprehet Lavdie Nelaj në letrën e hapur drejtuar Presidentit Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›