E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, arroganca dhe pandershmëria

ERISA XHIXHO 

Çdo ditë e më shumë po bindem se Edi Rama dhe rrethi ngushtësisht pranë tij, nuk do të jenë kurrë të ndershëm në politikë. Rasti i ...fundit është mosmiratimi i projektbuxhetit në mbledhjen e Këshillit Bashkiak nga këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ky vendim i këshilltarëve tanë solli për pasojë reagimin e menjëhershëm të mediave pranë Ramës, të cilat e shitën këtë lajm me gërma të mëdha e të zeza në formën e bashkëpunimit LSI-PD. U ndjeva keq, sepse pas disa deklarimesh nga eksponentë të njohur të PS-së, se duhen ulur tonet mes dy partive tona, mendoja se vërtet drejtuesit e PS-së mendonin realisht për një të majtë të fortë të madhe dhe të bashkuar; të paktën pas zgjedhjeve. Dhe e keqja më e madhe ishte se zjarrit më shumë i frynte dje deputetja e një partie përherë satelite, kryetari i së cilës acarohet sa herë sheh ndonjë dorë të zgjatur mes PS-së dhe LSI-së. Me tone jo të paqta foli dje edhe ish-nënkryetarja e bashkisë, aktualisht zëdhënëse e Partisë Socialiste, zonja Kodheli. E nuk kishte si qëndronte indiferent edhe drejtuesi i G99. Vetëm se të gjitha këto reagime nuk kishin asnjë lidhje me projektbuxhetin, por vetëm akuza për vendimin e gjashtë këshilltarëve të LSI-së, duke e bërë gjithçka politike dhe në përpjekje të ethshme për të justifikuar qëndrimet e kryetarit të tyre. 
Gjithsesi bindja ime është se Rama nuk do të dojë kurrë një qetësim me LSI-në. Nuk do të dojë kurrë një bashkëpunim luajal dhe të ndershëm. Nuk do të dojë kurrë aleatë, por vetëm shërbëtorë të bindur.
Buxheti i paraqitur në mbledhjen e këshillit bashkiak, pavarësisht se rrezikonte të mos kalonte sërish (siç edhe ndodhi), pavarësisht se ishin ngritur shumë e shumë probleme, pavarësisht rezervave dhe kontestimeve jo të pakta, u paraqit pa asnjë reflektim, madje dhe nuk u mbrojt fare nga kryetari i bashkisë, por nga dy nënkryetaret e tij. Prej këtu nis edhe arroganca e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste. Aspak vlerësim për ata dhjetëra burra e gra që do të diskutonin se si do të shpenzoheshin në 2009-ën taksat e qytetarëve që e kanë zgjedhur atë në krye. Aspak mirënjohje për punën e njerëzve të tij, që keq apo mirë kishin përgatitur atë projekt. Aspak respekt për këshilltarët e opozitës, apo edhe për këshilltarët e aleatëve potencialë.
U trishtova, sepse në projektbuxhet as nuk ishin vlerësuar propozimet tona që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me rininë në shkolla. Dhe të mos harrojmë se Rama shpreh një afrimitet të madh për ta, për sistemin e ngrohjes për shkollat dhe çerdhet ka kaq vite që e lë pas listës së prioriteteve. U trishtova kur në projekt nuk pashë asnjë seriozitet për trajtimin e personave në moshën e tretë. Ende ka mbetur si relike një gjysmë premtim për një kafe falas në mëngjes, që natyrisht u zbatua vetëm një ditë para kamerave. Nuk kishte asnjë rresht-projekt për ngritje-funksionimin e qendrave sociale për shtresat në nevojë, për paraplegjikët e tetraplegjikët. Nuk figuronin investime në infrastrukturë, por nuk mungonin shpenzimet e bollshme administrative, pavarësisht kërkesave të përsëritura për shkurtimin e tyre.
Së bashku me këto e të tjera si këto, kryebashkiaku as nuk u mundua të diskutojë dhe debatojë për realizimin e buxhetit të vitit të shkuar, por zgjodhi rrugën e mospërballjes, dhe kjo nuk ishte hera e parë. Për këto arsye ne votuam kundër. Sepse duam që taksat e qytetarëve të kryeqytetit të shpenzohen në mënyrë produktive në interes të qytetarëve. Ne duam që shpenzimi i tyre të bëhet transparent dhe jo të mbulohet nga lajle-lulet mediatike. Ne duam që qytetarët tanë të shohin dhe të ndjejnë realisht se paratë e tyre nuk po hidhen në erë. Kjo dëshirë është një përgjegjësi për ne, jo vetëm politike, por qytetare në radhë të parë. Si pjesëtarë të këtij komuniteti që na ka besuar dhe na ka votuar.
Nuk është aspak e vërtetë që ne bashkuam votat me PD-në. Kjo është një akuzë e pandershme e ardhur nga mediat pararoja të Ramës.
Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të ishim dakord edhe në miratimin e projekteve për parkingjet, siç ranë dakord PS dhe PD, apo edhe projekte të tjera, jo të bëra publike në media, sepse natyrisht nuk prekej interesi i kryebashkiakut. Ne nuk kemi asnjë interes. Interesi ynë i vetëm janë qytetarët. Dhe për ta do të jemi të gatshëm për çdo sakrificë. Pavarësisht keqdashjeve, arrogancës dhe pandershmërisë së kujtdo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›