Planifikimi i kaosit
Prof.Dr.Artan Fuga*
Eshtë kënaqësi e veçantë që bashkë me paraqitjen para publikut të numrit të dytë të revistës "Gjeopolitika" që sapo doli në qarkullim me titull "Territori në fokus", të diskutojmë edhe për.. projektligjin e përgatitur nga Ministria e Punëve Publike lidhur me rregullimin e territorit.
Teksti i projektligjit për rregullimin e territorit ka ardhur vazhdimisht në përmirësim. Këtë e kam ndjekur nëpërmjet konsultimit të herëpashershëm të tij në faqen elektronike të Ministrisë së Punëve Publike. Ndjesia e mirë që merr në këto raste është se nëpunësit dhe specialistët e ngarkuar me këtë punë kanë qenë me siguri të hapur ndaj vërejtjeve dhe sugjerimeve që të tjerët iu kanë bërë, shprehje kjo si e një etike profesionale të lartë, ashtu edhe e një kompetence të sigurt në lëmin që ata veprojnë.
Na ka interesuar ky projektligj jo vetëm si qytetarë të kujdesur për të pasur një hapësirë territoriale dhe të banuar sipas kritereve moderne. Larg shkatërrimeve dhe kaosit të sotëm urban që vjen kryesisht nga mbivendosja e presionit të interesave egoiste të aktorëve financiarë mbi nëpunësit dhe vendimmarrësit lokalë që paguhen nga shoqëria dhe komunitetet lokale për të mbrojtur dhe zhvilluar të mirën publike. Por edhe për dy arsye të tjera profesionale.
Së pari, kemi qenë të interesuar si redaksi e revistës shkencore "Gjeopolitika", e cila në fokusin e vet mban marrëdhëniet e gjera dhe të ndërlikuara midis politikës dhe hapësirave gjeografike e territoreve administrative e politike dhe e ndjek këtë problematikë me vëmendje të veçantë.
Së dyti, për shkak se qysh përpara dy a tre vjetësh kam marrë pjesë në një grup studiuesish për të shqyrtuar problematikat e urbanizimit në zonën turistike Durrës-Kavajë.
Vë re me kënaqësi se disa nga shqetësimet themelore që ne ngrinim në atë kohë në studimin tonë, botuar sot pjesërisht në faqet e numrit të dytë të revistës "Gjeopolitika" që promovojmë, gjejnë përgjigje në formulimet që ky tekst projektligji bën sot. Për të mos u zgjatur shumë do të ndalesha në disa nga elementet që na interesojnë më shumë.
Së pari, kombinimi i interesit kombëtar që sigurohet nga autoritetet kombëtare të planifikimit të territorit, me autonominë vendimmarrëse të pushtetit vendor. Pra, kombinimi i kompetencave të autoritetit publik qendror dhe demokracisë vendore, çka është një problem shumë i rëndësishëm dhe që ka marrë zgjidhje të ndryshme në vende të ndryshme të Ballkanit dhe më gjerë, zgjidhje që shpesh rezultojnë problematike për bashkësitë lokale dhe minoritetet etnike dhe kombëtare. E theksojmë këtë aspekt, sepse nga studimi ynë, na rezultonte atëherë se me gjithë avantazhet e pamohueshme, demokracia vendore, nën presionin elektoralist dhe të grupimeve të fuqishme të interesit, nuk ka qenë në gjendje, në nivel komunash së paku, t'i qëndrojë korrekt politikave bashkëkohore të rregullimit dhe planifikimit territorial. Ky është një mendim që qarkullon fort edhe në literaturën e sotme perëndimore. Interesi i komunitetit të ngushtë qytetar mund të vihet lehtësisht në kundërshtim të hapur me interesat e kombit dhe me kriteret standarde të mbrojtjes dhe zhvillimit të burimeve natyrore, kulturore dhe ekonomike me rëndësi kombëtare. Këtë aspekt thelbësor ekuilibrimi projektligji e ka zgjidhur drejt.
Së dyti, ajo çka më ka interesuar në këtë aspekt lidhet me garantimin e kompetencave të qarkut në planifikimin dhe rregullimin e territorit. Ka qenë fare evidente për ne gjatë studimit në fjalë se ka ardhur koha që të ketë një përputhje sa më të saktë midis kufijve të një zone të gjerë gjeografike dhe territorit administrativ. Sikurse ka më se njëqind vjet që këmbëngulet nga autorët më në zë në këtë fushë, çdo shpërputhje midis këtyre dy hapësirave, sikurse shprehet fort mjeshtri i Shkollës së Çikagos, Luis Wirth, (i rimarrë në faqet e numrit të dytë të revistës sonë) krijon pengesa në dinamikat e zhvillimit, prodhon korrupsion dhe shkatërrime të burimeve dhe pasurive natyrore. Qarku është sigurisht më afër konceptimit dhe zgjidhjes së disa problemeve të mprehta të rregullimit territorial në unitetin e një zone gjeografike, sesa të gjitha komunat dhe bashkitë e marra veç e veç e që shtrihen në territorin e tij. Kjo hallkë e dytë e vendimmarrësve është jetike për rregullimin e territorit dhe e përshëndes që rikonfirmohet në këtë projektligj.
Së treti, projektligji jep zgjidhje të vendosura për pjesëmarrjen e publikut, të qytetarëve dhe të aktorëve të interesit në konsultimin e politikave dhe vendimmarrjeve të autoriteteve përkatëse lidhur me rregullimin e territorit. Masat e parashikuara normativisht lidhur me këtë gjë iu japin fund në planin ligjor spektakleve mediatike ku kjo procedurë kaq e rëndësishme në planin politik zëvendësohet nga mbledhje me militantë apo me pensionistë të rastësishëm. Qytetari ka vend të vihet në qendër të politikave të komunikimit dhe të transparencës vendimmarrëse jo si individ i zhytur në një masë anonime njerëzish, por si aktor interesash krejt të përcaktuara.
Së katërti, është me shumë vlera që territori në këtë projektligj nuk është parë thjesht si hapësirë dy-dimensionale, por shumë më gjerë sesa kaq, pra edhe si një hapësirë simbolike vlerash shpirtërore dhe kulturore, edhe si burim pasurish natyrore, edhe për vlerat turistike, sikurse përmbledh edhe dimensionin e tretë të hapësirës, lartësinë, që gjykoj se mbërthen në vetvete të gjitha krizat e marrëdhënieve midis hapësirës dhe shoqërisë, e bashkë me të problematikën e nivelit të pastërtisë së ajrit, të zhurmave, sikurse e trajton territorin edhe si peizazh etj. Humbja e vëmendjes ndaj problemeve të mprehta të lartësisë e bën të dështuar edhe planin më të mirë rregullues për territorin si shtrirje dy-dimensionale. Ky kuptim i gjerë është i domosdoshëm për t'u mbajtur parasysh në zbatimin e këtij ligji.
Ai i shpëton gjithashtu trajtimit të gabuar që bazohet te ngatërrimi kaq i përhapur në të folurit publik te ne midis hapësirës rurale dhe zonave bujqësore. Sikurse e trajton me kompetencë studiuesi i sotëm Marsel Jollivet, i rimarrë edhe në faqet e këtij numri të revistës, me pëlqimin e vet, thjeshtësimi i hapësirës rurale dhe trajtimi i saj thjesht si hapësirë bujqësore, do të ishte ekonomikisht një procedurë administrimi katastrofike për ekonominë e sotme.
Sidoqoftë, nuk mund të mos përfundojmë duke shprehur shqetësimin e një rreziku eventual, i cili mund të kërcënojë vendimmarrësit lokalë gjatë zbatimit të këtij ligji të ardhshëm. Ka dy mënyra për ta zbatuar një ligj apo një normë. Mënyra e parë është për ta zbatuar mbi një realitet që tanimë ekziston. Mënyra e dytë, ka të bëjë me strategjinë për ta zbatuar duke pasur parasysh një perspektivë tjetër nga ajo që na shfaq shpesh brutalisht realiteti i sotëm. Nëse këtë ligj, që e konsideroj shumë pozitiv, vendimmarrësit do ta zbatojnë brenda logjikave që na imponohen sot në planin demografik dhe urbanistik, atëherë, pavarësisht përmbajtjes së vlerësueshme të tij, me të nuk do të bëjmë tjetër veçse do të planifikojmë kaosin, do të legjitimojmë kaosin e sotëm demografik dhe urbanistik. Do të ndodhemi përpara atij fenomeni të dhimbshëm që në logjikat e shkencave sociale e quajmë "racionalizim i absurdes".
Çdo standardizim racional ligjor i një situate reale kaotike, të ndërtuar keq, nuk jep veçse rezultate perverse duke legjitimuar një realitet që në fakt nuk duhet legjitimuar, por ndryshuar, transformuar.
E them këtë sepse prej më se njëzet vitesh ne ndodhemi përpara një procesi kaotik, i cili ka ardhur edhe si pasojë e shpërpjesëtimeve demografike e ekonomike kolosale të kohës së totalitarizmit, edhe si pasojë e ligjit pervers për tokën, edhe si pasojë e mungesës së shtetit për periudha pak a shumë të gjata, që e kthyen vendin në gjendje natyrore për ditë e muaj e vite të tëra, edhe si pasojë e keqkuptimit kulturor për jetën urbane të ngulitur në mendjen e popullsisë rurale, mbijetuar me vite në kushte të rënda jetësore.
Sikurse e parashikon studiuesi amerikan Ezra Park, një referencë e padiskutueshme e mendimit sociologjik dhe filozofik mbi hapësirat sociale, për rrjedhojë, ne ndodhemi përpara faktit të grumbullimeve demografike që iu ngjanë "bashkësive vegjetative". Kjo ka të bëjë me një ngulje të popullsive në hapësira shumë të ngushta urbane, pak a shumë me të njëjtin nivel popullsie si ato të Rripit të Gazës në Palestinë, çka sjell dy pasoja të rënda negative. Së pari, ngushtimin e frymëmarrjes në hapësirat urbane rreth qyteteve të mëdha kryesisht në zonën Tiranë - Durrës dhe prodhon atje tension social dhe kulturor, përpos problemeve ambientaliste. Çfarë i ka bërë pothuajse të pajetueshme kushtet njerëzore atje.
Njoh me dhjetëra e dhjetëra individë të elitës kulturore që po i largohen qytetit të Tiranës për të jetuar jashtë tij. Është fillimi i një procesi që më vonë do të marrë me vete mijëra njerëz. Dhe këta janë individë me kërkesa të larta, të cilat pas njëzet a tridhjetë vjetësh do t'i ketë shumica e qytetarëve. Nuk mund të urbanizohen qytetet me shijet e popullsisë rurale të sapoardhur në qytete dhe me kërkesat e saj, ndërkohë që ajo, me meritë e me të drejtë, sapo i ka shpëtuar "baltës" ku e kishin pas detyruar të jetonte. Së dyti, braktisjen e territoreve kombëtare nga popullsia që ka sjellë dëme të pallogaritshme ekonomike, natyrore dhe të pasurive të kombit. Nëse ne do të urbanizojmë apo planifikojmë rregullimin e territorit mbi këtë bazë përqendrimesh demografike të sotme, kaotike, gjendjeje natyrore e vegjetative komunitetesh që instinktivisht mblidhen në zona të përqendruara për t'u mbrojtur, thjesht për të mbijetuar, ne do të jemi jo vetëm në kundërshtim me interesat e brezave të rinj të nesërm që do të lindin mbi bazën e realiteteve urbane, pra me kërkesa të reja, por edhe në kundërshtim me rentabilitetin ekonomik kombëtar, apo me vetë atë që po ndodh sot në shoqëritë perëndimore, pra me ripopullimin e hapësirave rurale. Nuk do të bënim tjetër veçse do të "racionalizonim kaosin" dhe duke bashkuar normën ligjore racionale me kaosin real nuk do të prodhonim veçse efekte perverse e absurde, që do t'i vuajmë për një kohë shumë të gjatë. Mos të harrojmë se sot për sot popullsia po zhvendoset paradoksalisht dhe përkohësisht në kahje të kundërt me mundësitë e punësimit dhe të burimeve natyrore. Po shkon drejt zonave të papunësisë dhe të një bote virtuale. Kjo kundërshti do të jetë burim krizash ekonomike dhe financiare afatgjata që sot amortizohen nga faktorë të tjerë me veprim të përkohshëm.
Në të kundërt, na duhet që këtë ligj për rregullimin e territorit ta zbatojnë brenda strategjive afatgjata të një përqasjeje krejt tjetër të marrëdhënieve të ardhshme midis popullsisë dhe territorit dhe modeleve ekonomike të së ardhmes.
*Anëtar i Akademisë së Shkencave