E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Çdo ditë programe të reja. Rama: Pleqëria nuk zbutet me sms

 

Kryeministri Berisha dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht dhe kryetar i PS-së, Edi Rama, kanë takuar dje pjesëtarë të moshës së tretë në ditën ndërkombëtare të tyre. Kryeministri Berisha ka qenë në ceremoninë e përurimit të rikonstruksionit të Shtëpisë së të Moshuarve në rrugën "Ali Demi" në Tiranë, ndërsa Rama me të moshuarit e njësisë nr. 10 në Tiranë. Kryeministri Berisha kërkoi që tek kjo qendër të ketë programe ditore që të moshuarit të mos ndjehen të vetmuar.
"Shfrytëzoj rastin për t'i siguruar të moshuarit në Shqipëri se në axhendën e qeverisë time, ata janë dhe do të mbeten një përparësi madhore. Dy vjet më parë ata linin në shtëpitë e kujdesit 80 për qind të pensionit të tyre, ndërsa ne e zbritëm në 50 për qind dhe kjo kuotë do të zbritet sërish", u shpreh Kryeministri Berisha. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i premtoi të moshuarve të njësisë bashkiake nr. 10, se do t'u rikthejë dinjitetin e munguar gjatë këtyre 17 viteve të qeverisjes në Shqipëri, duke u ofruar vëmendjen dhe gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës dhe strukturave të saj, për përmirësimin e jetesës së kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë sonë.
"Duke qenë se sot në këto kushte, pleqëria nuk mund të zbutet me sms, atëherë është e domosdoshme që ne të gjejmë rrugën për t'ua zbutur atë, duke u dhënë mundësinë që të vazhdoni të keni mes jush, atë kontakt njerëzor që ju ka mbajtur dhe ju mban vitalë, ju mban në këmbë, ju mban të gatshëm për të kontribuar akoma për këtë vend për të cilin keni dhënë shumë dhe i cili nuk do ua lajë dot borxhin që ju kanë në këto vite", u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›