E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, masterat për shkencat sociale e rrethet

 

zirina llambro

Çelen masterat dyvjeçarë për fakultetin e Shkencave Sociale dhe mastera 1-vjeçarë për një sërë degësh në rrethe. Sipas vendimit të qeverisë, studentët duhet të grumbullojnë 120 kredite për të marrë diplomën e nivelit të dytë. Nga sa bën me dije Ministria e Arsimit për t'u pranuar në këto programe kandidatët duhet të zotërojnë diplomë të nivelit të parë, ose diplomë tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar ekuivalente me të. Për fitimin e diplomave është parashikuar përgatitja e një teze, të përpunuar në mënyrë të pavarur dhe krijuese nga studenti. Universiteti i Tiranës ofrojë masterat në fakultetin e Shkencave Sociale përkatësisht në degët "Sociologji e Zhvillimeve Shoqërore" dhe "Punë Sociale" sipas profileve përkatëse. Këto programe studimi të fillojnë veprimtarinë mësimore që këtë vit akademik. Ndërkaq masterat 1-vjeçare janë hapur pranë universitetit "Ismail Qemali", Vlorë në Fakultetin e Edukimit, në degën "Matematikë-fizikë". Universiteti "Luigj Gurakuqi" në  Shkodër, do të mundësojë mastera të të njëjtit lloj në  fakultetin e Shkencave të Edukimit, në lëndën "Gjuhë italiane", dhe "Gjuhë frënge". Në Elbasan aplikantët do të kenë mundësi të ndjekin këtë cikël studimesh në fakultetin e Shkencave të Edukimit, në lëndët "Matematikë-Fizikë", "Matematikë-Informatikë" dhe  "Histori-Gjeografi". Universiteti i Korçës do të ofrojë master 1-vjeçar në fakultetin e Mësuesisë, në lëndët "Matematikë-Fizikë". Për të marrë diplomën e nevojshme studentët duhet të grumbullojnë për një vit akademik 60 kredite. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i vetë universiteteve.

masterat e rinj

Mastera 2-vjeçarë

Universiteti i Tiranës
Në Fakultetin e Shkencave Sociale:
 "Sociologji e Zhvillimeve Shoqërore",
 "Punë Sociale", me profile:
- Drejtim klinik
- Organizim komunitar
- Politikë sociale

Mastera 1-vjeçarë

Universiteti i  Vlorës
Në Fakultetin e Edukimit:
 "Matematikë-fizikë"

Universiteti i  Shkodrës
në Fakultetin e Shkencave të Edukimit:
 "Gjuhë italiane"
"Gjuhë frënge"

Universiteti i  Elbasanit
në Fakultetin e Shkencave të Edukimit:
"Matematikë-Fizikë"
"Matematikë-Informatikë"
 "Histori-Gjeografi"

Universiteti i Korçës
në Fakultetin e Mësuesisë,
 "Matematikë-Fizikë"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›