IFC: Të fshehtat e ofertës së çekëve
Fabiola Çela
Ndërkombëtarët e IFC-së e kanë vlerësuar me nota goxha pozitive tenderin e privatizimit të OSSH-së. Përveç ofertës prej 102 milionë eurove për blerjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së, çekët do të marrin përsipër që të shlyeje borxhet e operatorit. Vlera e këtyre detyrimeve arrin në 15.6 miliardë lekë.
Ndërkombëtarët
Vetëm pak ditë pas zhvillimit të tenderit të OSSH-së dhe përfaqësuesi i kompanisë IFC, Angelo Dell'Atti dhe kryetari i komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Neritan Alibali, kanë shpjeguar në detaje zhvillimin e këtij procesi. "Jemi shumë të lumtur të ndajmë sot me ju, mendimin tonë për rezultatet e arritura deri tani. Në fillim do të donim të theksonim që privatizimi në fjalë përfshin vetëm asetet e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, që do të thotë rrjeti i shpërndarjes, nënstacionet etj. Ndërkohë asetet dhe aktiviteti i prodhimit dhe transmetimit të energjisë mbeten në duart e shtetit dhe popullit shqiptar", ka thënë ai. Kompania e përzgjedhur në këtë proces, CEZ, është një kompani shumë e mirë evropiane me reputacion dhe eksperiencë në prodhim, shpërndarje dhe tregtim të energjisë elektrike, si dhe me shtrirje ndërkombëtare. "International Finance Corporation" (IFC), pjesë e grupit të Bankës Botërore, e cila është e specializuar për të mbështetur sektorin privat, si dhe për të ndihmuar dhe këshilluar qeveritë në procesin e privatizimit në sektorët kyç të infrastrukturës, ka këshilluar qeverinë shqiptare në procesin e privatizimit të OSSH-së. IFC-ja ka marrë pjesë në 170 projekte privatizimi në 60 vende të botës. "Bazuar në eksperiencën e gjerë dhe si pjesë e Bankës Botërore ne jemi të bindur që procesi i privatizimit të OSSH-së deri tani është zhvilluar në mënyrë transparente dhe të drejtë i kryer sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, dhe me pjesëmarrjen e 4 ofertuesve seriozë të para-kualifikuar", ka vënë në dukje përfaqësuesi i IFC-së.
Oferta
Sipas blerjes i ofruar nga CEZ, i kalon së tepërmi parashikimet e kryera. Çekët kanë ofruar 102 milionë euro për blerjen e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Por ajo çka është edhe më interesante është fakti se kompania ka pranuar të paguajë të gjithë borxhin afatgjatë, që i është alokuar OSSH-së nga huatë afatgjata që qeveria shqiptare ka marrë për sektorin e energjisë. Vlera e këtij borxhi është 15.6 miliardë lekë. Përveç kësaj, kompania çeke do të investojë plot 200 milionë euro gjatë 5 viteve të para të operimit dhe duke u bazuar në targetat e humbjes në shpërndarje, të cilat CEZ-i në ofertën teknike të tyre pranoi t’i arrijë.
Privatizimi i OSSH
102 milionë euro për 76% të aksioneve, korrespondojnë me 134.2 milionë euro për 100% të aksioneve të OSSH-së. Kjo është e barabartë me 16.5 miliardë lek
15.6 miliardë lekë është vlera e borxhit që kompania çeke do të paguajë për OSSH-ë
200 milionë euro do të jenë investimet gjatë 5 viteve të para
52.7 miliardë lekë arrin shuma totale që CEZ do të kontribuojë tek OSSH, duke marrë këtu parasysh investimet, çmimin e paguar për aksionet dhe borxhin e caktuar të OSSH-së