Eksperti nga SHBA: Pse vdiq Kosta Trebicka
Trazhgim Sokolaj
Një raport i detajuar në të cilin shpjegohet me hollësi ngjarja që i mori jetën Kosta Trebickës, ndodhet në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë. Raporti voluminoz që mesa duket u jep fund enigmave rreth vdekjes së dëshmitarit të dosjes "Gërdeci", nuk ka më shumë se 48 orë që ka mbërritur në organin qendror të akuzës në Tiranë. Materiali i hartuar nga eksperti autoteknik i policisë së Virxhinias në SHBA, ka mbërritur në mënyrë konfidenciale në zyrën e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Është ende e paqartë nëse Kryeprokurorja është njohur me ekspertizën e ngjarjes, për shkak se zyrtarisht Prokuroria e Përgjithshme deklaronte dje se, "jemi në pritje të mbërritjes së raportit nga SHBA". Mirëpo burime të konfirmuara nga organi qendror i akuzës, thanë se raporti i hartuar nga eksperti amerikan ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme së fundi, se dhe për këtë fakt janë në dijeni aktualisht vetëm një rreth i ngushtë i zyrtarëve të akuzës qendrore. Sipas burimeve, mësohet se materiali i hartuar nga eksperti autoteknik amerikan Kevin Teter, i cili hetoi në Shqipëri për pesë ditë vdekjen e Kosta Trebickës, ashtu sikurse ishte parashikuar, ka mbërritur me postë sekrete në adresë të Kryeprokurores Ina Rama. Zyrtarët e Prokurorisë së Përgjithshme sqaruan se raporti i ekspertit amerikan do të dërgohet ditën e sotme në Prokurorinë e Korçës, ku është regjistruar procedimi penal për hetimin e rrethanave në të cilat vdiq biznesmeni 52-vjeçar Kosta Trebicka. Prokuroria shqiptare kishte hartuar një listë me rreth 14 pyetje, të cilave eksperti amerikan duhej t'u jepte përgjigje. Ai mësohet se ka rindërtuar skenën e ngjarjes, shkaqet e daljes së makinës nga rruga, mënyrën si ajo përfundoi në drejtim të kundërt nga lëvizja fillestare 43 metra larg kufomës si dhe mekanizmin se si trupi i biznesmenit doli nga automjeti, u godit në këtë moment dhe mbeti i vdekur.
Dosja e dëshmitarit
"Pasi grupi hetimor i Prokurorisë së Korçës të njihet me këtë raport bashkë me ekspertët shqiptarë, do të ketë një vendimmarrje për çështjen. Vendimi përfundimtar do të iniciohet nga Prokuroria e Korçës, por e gjithë procedura do të zhvillohet në Prokurorinë e Përgjithshme, në dijeninë e titullares së institucionit dhe prokurorëve që u angazhuan me mbikëqyrjen e hetimeve për këtë çështje", thanë burimet nga organi qendror i akuzës. I gjithë hetimi për rrethanat në të cilat vdiq denoncuesi i skandalit ndërkombëtar të shitjes së armëve dhe municioneve nga Shqipëria në Afganistan, varej në fakt vetëm nga raport-ekspertimi i specialistit amerikan. Ai mbërriti në Shqipëri rreth mesditës së 18 shtatorit dhe për pesë ditë me radhë deri mëngjesin e 23 shtatorit qëndroi në Korçë, ku verifikoi nga afër skenën e ngjarjes ku vdiq Kosta Trebicka, ekspertoi makinën dhe mbajti shënime të rregullta mbi të gjithë elementët e ngjarjes, përfshi gjurmët në skenën e vdekjes së dëshmitarit si dhe deklarimet e personave që gjetën kufomën, që flisnin për pozicionin e trupit të pajetë, sendeve personale të Trebickës dhe vendin ku kishte ndaluar makina. Pas pesë ditë qëndrimi në Shqipëri, pa dhënë asnjë koment verbal, qoftë edhe në momentet e pushimit me hetuesit dhe ekspertët shqiptarë, eksperti amerikan u largua në SHBA bashkë me shënimet dhe disa prova të ngjarjes. Tetë ditë pas largimit të tij, pikërisht ditën e djeshme, burime të konfirmuara nga Prokuroria e Përgjithshme pranuan se raport-ekspertiza e specialistit amerikan ka mbërritur në Tiranë, por aktualisht ndodhet në zyrën e Prokurores së Përgjithshme. Për shkak të debateve që shkaktoi vdekja e dëshmitarit të dosjes "Gërdeci", Kryeprokurorja ka kërkuar hetime të kujdesshme nga vartësit e saj mbi këtë ngjarje, madje ajo udhëtoi vetë në drejtim të Korçës, ku zhvilloi takime dhe analiza me Prokurorinë dhe policinë lokale, nga të cilat kërkoi hetime të plota për zbulimin e rrethanave në të cilat vdiq denoncuesi i skandalit të tregtisë së municioneve Shqipëri-Afganistan.
Hetuesit shqiptarë: Ishte aksident,por nuk dimë shkaqet që e sollën
TIRANE - Vdekja e Kosta Trebickës mund të ketë ardhur nga aksidenti, ndërsa trupi i viktimës është shtypur nga automjeti që e ka zënë atë poshtë. Versioni, sipas të cilit ngjarja ka qenë një aksident, është ai që mbështetet nga hetuesit dhe ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme që janë angazhuar me këtë çështje, të cilët megjithëse thonë se bëhet fjalë për një aksident, pranojnë se në fakt nuk ka asnjë ide për mënyrën si u shkaktua ai. Trupi i biznesmenit Trebicka, sipas burimeve të Prokurorisë, mund të ketë dalë nga baxhaja e hapur e kabinës së mjetit "Nissan Patrol", që ishte modifikuar posaçërisht për gjah. Ky pritet të jetë versioni i mundshëm i hetuesve të Prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me aksidentin e biznesmenit shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka, të datës 12 shtator të këtij viti. Të njëjtat burime nga organi qendror i akuzës kanë pohuar se ekspertët në kushtet e mungesës së koeficientit të saktë të fërkimit për terrenin ku ndodhi ngjarja, kanë marrë disa prej varianteve të mundshme në shqyrtim. Këto variante janë marrë me hamendje nga ekspertët, të cilët nuk kanë pasur mundësi të zbulojnë përmes një studimi konkret koeficientin e fërkimit në të gjithë terrenin dhe skenën e realizimit të ngjarjes. Ky aksident, sipas hetuesve, ka nisur me një devijim të mjetit në të majtë të tij, duke dalë nga rruga në një terren të thyer me shkallë të lartë pjerrtësie. Më pas mjeti është përmbysur në të djathtë në krahun e pasagjerit, duke e kthyer sërish në gjendje për të lëvizur, ndërsa ka përfunduar atje ku është gjendur, rreth 40 metra larg rrugës dhe fiks 43 metra larg kufomës. Në vendin e përmbysjes, sipas ekspertëve, trupi ka dalë nga sedilja, duke qenë se nuk ishte i lidhur me rrip sigurimi. Pesha e mjetit mësohet se i ka shkaktuar edhe plagën biznesmenit, duke i marrë jetën. Hetuesit dhe ekspertët, megjithëse kanë në dorë disa nga variantet e përllogaritura prej tyre me koeficientë të njëpasnjëshëm, kanë kërkuar gjetjen e saktë të koeficientit në të gjitha pikat ku ka lëvizur mjeti, nga momenti i hyrjes së tij në aksident deri në momentin e daljes së tij në pozicion pushimi. Këto të dhëna, pavarësisht se nuk janë zyrtare, pritet të formulohen në raportin përfundimtar të ekspertëve, që mund të jetë i përbashkët ose individual i secilit prej tyre. da.bi
"Deklarimet e gruas mes provave kryesore"
TIRANE - Prokuroria e konsideron dëshminë e dhënë nga gruaja e Kosta Trebickës si një nga provat kryesore për këtë çështje. Pavarësisht 18 ekspertizave shkencore të urdhëruara nga Prokuroria e Korçës, hetimit të të gjitha pistave të ngjarjes dhe marrjes së deklarimeve nga më shumë se 30 persona si dhe përsëritjes së këqyrjeve në vendin e ngjarjes dhe një sërë verifikimesh komplekse, organi i akuzës i konsideron si një nga provat kryesore deklarimet që ka dhënë bashkëshortja e Kosta Trebickës, gjatë pyetjes së saj në Korçë dhe në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, mësohet se thëniet e bashkëshortes së biznesmenit, Brunilda Trebicka. Ajo në fakt ka folur për çastet e fundit të bashkëshortit para nisjes së tij nga Tirana drejt Korçës më 11 shtator, për itinerarin e lëvizjeve që ka kryer ai gjatë rrugës, pasi ka komunikuar me të në telefon si dhe për veprimet që ka bërë biznesmeni atë natë në mbrëmje dhe të nesërmen. Itinerari i ngjarjes që është përshkruar nga e shoqja e biznesmenit referuar telefonatave të vazhdueshme që ka pasur me të shoqin, ka dhënë përshkrime të dobishme për hetimin si dhe të besueshme deri në një kohë rreth 2 orë para se Kosta Trebicka të gjendej i vdekur në rrugën Lekas-Voskopojë, 6 km larg nga kjo e fundit. tr.so