Prifti: Maxhoranca ka bllokuar projektligjin e LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkoi dje forcave politike në vend, të majtë e të djathtë, të mbështesin ligjin "Për përkujdesjen ndaj moshës së tretë". Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, u shpreh se më shumë se katër muaj më parë ka dorëzuar në Parlament një projektligj, i cili është zgjidhje për problemet e mëdha të moshës së tretë dhe pensionistëve në Shqipëri. Në Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve, LSI akuzon qeverinë se nuk ka bërë asnjë përpjekje për aprovimin e këtij projektligji. "Kostoja financiare e këtij ligji është vetëm 70 milionë dollarë, një kosto e cila është plotësisht e përballueshme nga buxheti i shtetit. Mjafton 1/3 e rritjes vjetore e buxhetit të shtetit, t'i jepet për zbatimin e këtij ligji, ligji është menjëherë i zbatueshëm", tha Prifti. Sipas nënkryetarit të LSI-së, "ligji ofron një seri shërbimesh dhe përkujdesjesh ndaj moshës së tretë, duke filluar që nga shërbimi shëndetësor falas, për të gjitha shërbimet dhe aparaturat, që nga shërbimi shëndetësor në familje, shërbimi falas me ilaçe, trajtimi me strehim prioritar, vendosjen në qendrat e kujdesit ndaj moshës së tretë, një pension i trembëdhjetë për moshën e tretë, e drejta e transportit pa pagesë apo me gjysmë çmimi për moshën e tretë".