E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali amerikan “Balkan Alliance” prezanton investimet

 

Pas afro një vit e gjysmë nga hapja e tij, spitali amerikan "Balkan Alliance" prezantoi dje arritjet në fushën e shëndetësisë. Në panel veç drejtorit të përgjithshëm, Klodjan Allajbeu, ishin edhe ambasadori amerikan John Withers, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ministri i Mbrojtjes Gazmend Oketa. "Ky spital privat ka trajtuar me cilësi shumë pacientë. Vijimësia e këtij investimi shkon në vijë të drejtë edhe me një nga prioritetet tona më të rëndësishme, atë të nxitjes së sektorit privat", tha ministrja e Shëndetësisë. Ndërsa kreu i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, theksoi se parë në syrin e qytetarit është një ndihmesë shumë e madhe hapja e këtij spitali, i cili ofron shërbime mjaft cilësore. Më tej fjalën e mori ambasadori amerikan John Withers. "Jam i kënaqur që marr pjesë në prezantimin e arritjeve të këtij investimi kaq të madh për shëndetësinë shqiptare, e cila në kushtet aktuale ka vërtet nevojë për ndihmë. Gjithashtu jam krenar që ky spital tashmë i përket një investimi amerikan. Mendoj se duke punuar paralelisht sektori publik me atë privat shëndetësia tek ju do të zhvillohet", tha Withers. Sipas tij, në spitalin "Balkan Alliance" mundësohen shërbime cilësore me një teknologji bashkëkohore. "Balkan Alliance", aktualisht po operon në fushat e kardiologjisë, kardiokirurgjisë dhe transplanteve të veshkës, duke realizuar më shumë se 2 000 koronarografi dhe rreth 500 ndërhyrje në zemër dhe aortë. Ndërhyrje këto të cilat realizohen me metodat dhe aparaturat më moderne. Në mars të vitit 2009 do të hapet materniteti i parë privat në vendin tonë. Pjesë e spitalit amerikan "Balkan Alliance", godina e të cilit është drejt përfundimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›