E Shtunë, 31 Tetor 2026

Telefonatat drejt Londrës, tabulatet e zyrës së Bashës në sirtarët e Prokurorisë

Dyshimi për kontakte me bankat që dhanë kredi për “Rrëshen-Kalimash”. Skadimi i afateve të hetimit pengoi analizimin e mëtejshëm të këtyre të dhënave

Habjon Hasani

Tiranë - Të gjitha telefonatat e kryera nga numri i zyrës së ministrit të Transporteve, Lulzim Basha(2005-2007), janë të detajuara në tabulatet analitike, të cilat janë siguruar zyrtarisht nga organi i akuzës. Ndër telefonatat që ka kryer ish-ministri i Transporteve spikatin sidomos disa kontakte të dendura të zyrës së tij me një numër të madh thirrjesh drejt disa zyrave apo institucioneve në Angli. Verifikimi i këtyre telefonatave ishte lënë si faza e fundit e hetimit nga ana e prokurorisë, por skadimi i afateve dhe problemet që sollën ato kanë paralizuar këtë plan, ndërsa dosja tashmë i është drejtuar Gjykatës së Lartë. Prokurorët vendosën që të kalonin “në filtër” këto tabulate për vetë faktin se intensiteti i telefonatave me Londrën shtohej gjithnjë në mënyrë harmonike sa herë që ndërmerrej ndonjë veprim procedural për rrugën Rrëshen-Kalimash. Megjithatë, ky fakt ngeli në kufijtë e një dyshimi pasi prokurorët dhe oficerët gjyqësorë që mbulonin këtë dosje nuk patën mundësinë të përqendroheshin në zbërthimin e këtyre telefonatave, pasi afatet hetimore skaduan.
Dyshimet
Një numër shumë i dendur telefonatash drejt Anglisë është regjistruar sidomos në muajt qershor-korrik 2006, kohë në të cilën mendohet se u ideua dhe ideja e ndërtimit të segmentit Rrëshen-Kalimash nëpërmjet firmës amerikane “Bechtel”. Jo më larg se dy ditë më parë, ish-drejtori i Projekteve dhe Urbanistikës në këtë ministri, Arben Meçe, dëshmoi publikisht se “disa ditë para se qeveria të ndërmerrte Vendimin Nr. 418 për ndërtimin e rrugës nga “Bechtel”, vetë Berisha ka zhvilluar takime me drejtuesit e kësaj firme ku unë kam qenë prezent në njërin prej këtyre takimeve”. “Albania” ka mësuar se pikërisht në këtë periudhë është kryer edhe një numër i madh telefonatash nga zyra e ministrit Lulzim Basha drejt Londrës. Por oficerët gjyqësorë të çështjes kishin si pistë kryesore të hetimit të këtyre telefonatave mundësinë e implikimit të Bashës në kredimarrjen që qeveria bëri për ndërtimin e kësaj rruge.
Huamarrja
“Kredia tregtare është marrë nga “Alpha Bank, a.e , National Bank of Greece, s.a.” si rregullues dhe “Alpha Bank, a.e”, dega Londër, si agjent, për shumën 230 milionë euro për financimin e projektit të rrugës Rrëshen–Kalimash. Marrëveshja e kredisë është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në prill 2008. Interesat që do të paguhen për këtë kredi janë 139 916 400 euro, plus tarifa dhe shpenzime të tjera në shumën 3 270 000 euro. Bazuar në konkluzionet e aktit të ekspertimit rezulton se vlera e përgjithshme që do t’i kushtojë shtetit shqiptar ndërtimi i rrugës Rrëshen-Kalimash, 60.1 km e gjatë, me katër vija kalimi (përfshirë tunelet) është 1 027 536 635 euro”, - shkruhet në kërkesën që prokurori Kraja ka dërguar në Gjykatën e Lartë për gjykimin e çështjes. Por ndërsa Kraja çoi kërkesën për gjykim (i detyruar nga pezullimi i afateve hetimore), duket se oficerët gjyqësorë nuk mundën të hetonin nëse mes telefonatave të Bashës dhe kredisë së marrë mund të kishte ndonjë lidhje antiligjore.

Prokuroria: Dëmi i shkaktuar, 232 milionë euro, i barabartë me kredinë e marrë

Janë 232 milionë euro dëme të shkaktuara nga “vepra e shekullit” që u iniciua dhe u “orkestrua” nga Andi Toma dhe Lulzim Basha. Pikërisht këtë dëm u ka paraqitur prokurori Arben Kraja anëtarëve të Gjykatës së Lartë në finale të analizës dhe hetimit të dosjes “Rrëshen-Kalimash”. “Duke shumëzuar diferencën e kostos për m2 rrugë dhe m2 ura me sipërfaqen e përgjithshme të rrugës dhe urave sipas projektit të miratuar për segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, ekspertët kanë llogaritur një diferencë për rrugën 177 075 500 euro dhe për urat 54 934 083 euro. Në total kemi një diferencë 232 009 583 euro, që kosto e rrugës dhe urave në segmentin Rrëshen-Kalimash ka kushtuar më shumë se kostoja e rrugës Kalimash-Morinë”, - konkludon prokurori lidhur me dëmin. Më tej, prokurori shton se nga krahasimet që janë kryer rezulton se çmimet për njësi të zërave të aplikuara në kontratën e lidhur me shoqërinë “Bechtel-Enka” janë shumë më të larta. “Nga shumëzimi i diferencës së çmimeve për njësi me volumet e punës të parashikuara sipas projektit përfundimtar për rrugën Rrëshen-Kalimash rezulton se shoqëria “Bechtel-Enka” është favorizuar me një shumë prej 114 851 604 euro krahasuar me shoqëritë që po ndërtojnë segmentet e rrugës në vazhdim, pra nga Kalimashi deri në Morinë”, - saktëson Kraja në kërkesën e tij.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›