E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon 12 vite burg për ish-kryetarin e komunës së Kasharit



Tiranë - Ish-kryetari i komunës së Kasharit, që akuzohet për abuzime me pronat, rrezikon 12 vite burg. Prokurori i dosjes, Armand Gurakuqi, kërkoi masa të rrepta dënimi për të pandehurit gjatë seancës së djeshme. Masa e dënimit, që u kërkua nga prokuroria, ishte për Alfred Sulën 12 vite burg dhe 15 milionë lekë gjobë, për Ismail Sulën 10 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë, për Faik Fejzën 9 vite burg dhe 10 milionë, për Islam Sherën 8 vite burg dhe 6 milionë; për Bardhyl Kamberin 2 vjet provë me kusht, për Shefqet Alikon 6 vite burg dhe 5 milionë lekë gjobë dhe për Xhevahir Hykën 7 vite burg dhe 6 milionë lekë gjobë. Pretenca e djeshme cilësohet si më e ashpra për masën e dënimit të zyrtarëve ndër vite.
Pendesa
Zyrtarët e Kasharit, të arrestuar për abuzimet me pronat, i kërkuan gjykatës disa seanca më parë gjykim të shkurtuar. Të arrestuarit për pronat kanë pranuar aktet në gjendjen që ndodheshin duke e përshpejtuar kështu procesin gjyqësor. Pak muaj më parë, Task Forca preu fletarrestet për tetë ish-zyrtarë të Kasharit, të cilët akuzohen për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “falsifikim të dokumenteve zyrtare”, “mashtrim” etj. Falë këtij vendimi fillimisht u arrestuan Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i komunës Kashar, Naim Karaj 45 vjeç dhe Faik Fejza 56 vjeç, ish- kryetarë të kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i zyrës së Kadastrës si dhe Ismail Sulaj 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. E njëjta masë sigurie u vlerësua edhe për shtetasin Ilir Sula, 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të komunës Kashar, i cili u kap në kushtet e flagrancës me një armë pistoletë “TT”, pa leje. Sulës iu rikthye liria falë vendimit të Gjykatës së Lartë pak ditë më vonë. Pas përfundimit të hetimeve, prokurori i çështjes solli për gjykim dosjen në gjykatë.
Arrestimi
Tetë të pandehurit e këtij procesi u arrestuan në Tiranë, në kuadër të operacionit “Kashari 2”, i cili u organizua nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me njësinë “Task Force” në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, të kryera me metoda speciale të hetimit, shtetasit e mësipërm dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumentet e ndarjes së tokës, kanë pajisur me vërtetim pronësie persona të ndryshëm, jo banorë të komunës Kashar, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Madje, personat që kanë përfituar padrejtësisht tokë rezultojnë të afërm, familjarë ose miq të të arrestuarve të operacionit “Kashari 2”. Atyre iu bllokuan me cilësinë e provës materiale shumë dokumente dhe formularë që komprometojnë veprimtarinë e tyre, në ushtrimin e funksioneve që kryenin si përfaqësues vendorë në komunën e Kasharit, në Tiranë.

Pretenca për Kasharin
Alfred Sula 12 vjet burg, 15 milionë lekë gjobë
Ismail Sula 10 vjet burg, 5 milionë lekë gjobë
Faik Fejza 9 vjet burg, 10 milionë lekë gjobë
Islam Shera 8 vjet burg, 6 milionë lekë gjobë
Bardhyl Kamberi 2 vjet provë
Shefqet Aliko 6 vjet burg, 5 milionë lekë gjobë
Xhevahir Hyka 7 vjet burg, 6 milionë lekë gjobë

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›