E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj, sherr me gjyqtarët: Nuk ndryshon urdhri im për sekretaret

I kërkuar me ngulm nga togat e zeza të Gjykatës së Tiranës, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka vizituar dje për të dytën herë brenda tri ditësh këtë institucion. Por kësaj radhe, në ndryshim nga mbledhja e dy ditëve më parë me sekretaret e gjykatës, kreu i dikasterit të drejtësisë duket se është gjendur nën sulmin e gjykatësve, të cilët e kanë konsideruar si të paligjshëm urdhrin e tij për detyrat e reja të sekretarisë gjyqësore. Takimi ka nisur në ora 8.30 dhe ka zgjatur plot dy orë, gjatë së cilës një situatë kaotike është krijuar në ambientet e gjykatës, për shkak të shtyrjes së gjyqeve të parashikuara dhe sorollatjes së qytetarëve që prisnin gjyqtarët të dilnin nga takimi.

Që në fillim të takimit, gjyqtarët i kanë kërkuar shpjegime ministrit lidhur me urdhrin e tij, i cili është i vlefshëm vetëm për Gjykatën e Tiranës dhe që i detyron sekretaret e gjykatës të përgatisin raporte ditore për punën e togave të zeza. Ministri është përgjigjur se ai është një urdhër gojor dhe se ende nuk është formalizuar në mënyrë shkresore, por që megjithatë ka hyrë në fuqi dhe do të zbatohet me çdo kusht nga administrata gjyqësore. Por gjyqtarët kanë thënë se kjo detyrë e re do të kryhet gjatë orarit zyrtar kur sekretaria është në shërbim të funksionimit të gjykatës dhe si i tillë ky urdhër nuk është i drejtë. Ata gjithashtu, kanë këmbëngulur që urdhri është dhënë në tejkalim të kompetencave të ministrit, pasi ky i fundit shkarkon dhe emëron kancelarin e gjykatës, por kjo nuk i jep të drejtën të urdhërojë sekretaret, pasi ato janë në funksion të gjyqësorit dhe jo të ekzekutivit. Burime konfidenciale nga mbledhja thanë për "Shqip" se gjyqtari Altin Shkurti është shprehur se këto lloj urdhrash cenojnë pavarësinë e gjykatës. "Ju kërkoni të na varësoni neve ndaj sekretareve. Të kemi ne frikë sekretaret se çfarë do të shkruajnë ato në raportin që do t‘ju dërgojnë juve për ne", mësohet të ketë thënë Shkurti. Ndërkaq, kryetarja e shoqatës së gjyqtarëve, Manjola Bejleri, ka qenë mjaft e ashpër me Alibeajn, teksa ka deklaruar se sekretaret duhet të bëjnë punët e ngarkuara me ligj për gjykatën dhe procesin gjyqësor. "Ato e kanë të ndaluar me ligj që të kryejnë detyra të tjera gjatë orarit të punës, qoftë kjo edhe raporte për Ministrinë e Drejtësisë, që nuk i përket gjyqësorit, por është ekzekutiv", është shprehur Bejleri, e cila nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se sekretaret gjyqësore janë kërcënuar nga ministri se nëse do të konstatohet se raporti i tyre nuk do të jetë i vërtetë në ndonjë pjesë, ato do të shkarkohen nga detyra.

Duke përforcuar kundërshtimin e tyre dhe kritikat ndaj ministrit, gjyqtarët janë shprehur se Ministria e Drejtësisë ka në dispozicion për të kontrolluar funksionimin e gjyqësorit punonjësit e vet, administratën e vet dhe inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas tyre, ligji për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë, bashkë me ligjin për sistemin gjyqësor, përcaktojnë qartë kompetencat e ministrisë në lidhje me gjyqësorin, kompetenca që janë tejkaluar dukshëm në rastin e urdhrave të fundit të nxjerrë nga Alibeaj.

Në takim nuk ka munguar edhe diskutimi i problemeve të tjera që shqetësojnë gjykatën më të madhe në vend. Gjyqtari Ritvan Hado ka folur për ngarkesën e madhe që u duhet të përballojnë gjyqtarët. "Jemi tej mase të ngarkuar me çështje, që vijnë dhe rriten çdo ditë. Numri i gjyqtarëve nuk rritet dhe po ashtu ambientet e gjykatës as nuk përmirësohen dhe as nuk shtohen. Po punojmë jashtë çdo limiti të arsyeshëm kohor", mësohet të ketë thënë ai. Gjyqtarët e tjerë kanë folur edhe për presionin e madhe që bëhet për ditë ndaj tyre, ndërsa ministri ka konfirmuar se ai personalisht do të vazhdojë të shtojë presionin ndaj gjyqtarëve.

Batutat e takimit

Sekretaret me bikini

Në përgjigje të insistimit të gjyqtarëve lidhur me kompetencën dhe bazën ligjore për urdhërimin prej tij të sekretarisë gjyqësore ministri ka deklaruar:

"Ato (sekretaret) janë në varësinë time dhe unë mund t‘u urdhëroj çfarë të dua. Madje edhe të dalin me bikini".

Gjin Gjoni: Nuk e dimë nëse e lejoni ju administratën në Ministrinë e Drejtësisë apo në zyrën tuaj që të dalin apo jo me bikini, por këtu në gjykatë nuk mund të ndodhë një gjë e tillë

Ministri: Mos u kapni pas fjalëve, ishte vetëm një shembull

Broci për korrupsionin

Artan Broci: Kur flisni për afera korruptive duhet të jepni fakte dhe të vini gishtin në persona konkrete. Unë nuk pranoj që të bëj pjesë tek ai përgjithësimi që bëni ju. Mua për vete dua të më dallosh, sepse nuk ka asnjë burrë që të kërkojë ndonjë lekët e veta në xhepin tim. A ke ndonjë fakt kundër meje?

Ministri: Jo, ndaj teje nuk kam gjë. Unë pazare me ty nuk kam bërë.

Manjola Bejleri: Me kë keni bërë pazare zoti ministër?

Ministri: As me ty nuk kam bërë.

"Kërkoni falje për fyerjet"

Manjola Bejleri: Gjyqtari e ka detyrim ligjor që të ruajë figurën e tij dhe të mos lejojë askënd ta cenojë atë, qoftë ky edhe ministri i Drejtësisë.

Ministri: Unë kam mendimin tim. Po deshët më hidhni në gjyq.

Manjola Bejleri: Edhe atë e bëjmë

Artan Broci: Ne ju kërkojmë juve që të kërkoni falje publikisht ndaj gjyqtarëve, për të gjitha akuzat e pavërteta dhe fyerjet që u keni bërë gjyqtarëve.

Ministri: Unë nuk kam ndër mend ta bëj një gjë të tillë.

Deklaratat e ministrit

Gjykata e Lartë, më e paafta

Gjatë debatit janë evidentuar edhe problemet që gjyqtarët e shkallës së parë kanë me vendimet e Apelit dhe Gjykatës së Lartë. Në këtë pikë ministri ka reaguar shumë ashpër duke thënë: Gjykata e Lartë është gjykata me e paaftë në Shqipëri.

Gjyqtarët nuk janë të besueshëm

Në përgjigje të një pyetjeje drejtuar nga gjyqtarja Shefkije Demiraj lidhur me besueshmërinë ndaj gjyqtarëve të Tiranës, Ministri i është përgjigjur: Nuk jeni të besueshëm, as ju si gjyqtarë dhe as administrata gjyqësore.

Dhjetëra gjyqe të shtyra

Gjatë dy orëve që u zhvillua takimi i ministrit me gjyqtarët, u anuluan të gjitha proceset gjyqësore që ishin parashikuar. Kjo shkaktoi një situatë të rrëmujshme në korridoret e gjykatës, me shumë qytetarë që rrinin në pritje të gjyqtarëve, pa ditur se çdo të bëhej më proceset e tyre. Foto: F.Serjani

Alibeaj:

Situata aq e rëndë, sa është për t‘u korrigjuar

Zoti ministër, dy mbledhje brenda tri ditësh. Kaq e rëndë është situata në Gjykatën e Tiranës?

Është aq e rëndë, sa është për t‘u korrigjuar. Dhe do të korrigjohet.

Por gjyqtarët thonë se ju jeni duke e ngarkuar administratën e gjykatës me detyra spiunazhi, jashtë funksionit të tyre ligjor...

Por janë duke lehtësuar gjyqtarët nga punët e tjera. Gjyqtarët do të bëjnë vetëm punën e gjyqtarit, sekretaret do të bëjnë sekretarinë.

Edhe në rastin kur ato duhet të bëjnë raporte për t‘ju lidhur me veprimtarinë ditore të gjyqtarëve?

Jo, ato bëjnë informacione për procesin gjyqësor. Asgjë tjetër.

A mendoni se po flitet shumë pak për luftën kundër korrupsionit në gjykata?

Kjo është pjesë e luftës për të rregulluar procesin gjyqësor, që këta njerëz (tregon me dorë nga njerëzit që ndodhen përpara gjykatës) të mos qëndrojnë dhe të presin përpara dyerve të gjykatës. Që do të thotë: seancat të fillojnë në orar, gjyqtarët të vishen ashtu siç ligji ua kërkon. Që do të thotë të kenë më shumë respekt dhe nder për qytetarët. Kjo është e gjitha, asgjë tjetër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›