E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kashar, si grabiste "mafia e trojeve"

"Mafia e pronave" në Komunën e Kasharit, në periferi të Tiranës, ka "grabitur" 62 mijë metra katrorë tokë, në pronësi të familjes autoktone tiranase, Alla. Trashëgimtarët e saj, në një intervistë në gazetën "Shqip" tregojnë mbivendosjet e ish-kryekomunarit Naim Karaj, i cili është ndihmuar nga regjistruesi i Tiranës, Vladimir Pëllumbi. Ramazan Keçi, një ndër 22 trashëgimtarët e tokës në fshatin Mëzes, në ish-ndërmarrjen qendrore të serave, deklarojnë se edhe sot e kësaj dite prona është bllokuar, ndërkohë që në 1/3 e saj janë ndërtuar biznese private. Më poshtë, trashëgimtarët e truallit prej 62 dynymë tokë tregojë peripecitë me shtetin, duke i bërë thirrje qeverisë të mbajë premtimin: të dënojë faqezinjtë, siç tha Kryeministri.

Pre vitesh jeni endur në dyert e zyrës së regjistrimit të pasurive dhe gjykatave në lidhje me një pronë prej 62 mijë metrash katrorë. Si qëndron problemi?

Problemi i pronës së shpronësuar me subjekt Mersin Alla, Zyber Alla dhe Tiftire Alla (Keçi) qëndron kështu: Në vitin 1917 këta dy vëllezër dhe një motër posedonin në fshatin Mëzez, në periferi të Tiranës, një sipërfaqe toke prej 62 mijë metrash katrorë ose 6.2 hektarë tokë. Kjo tokë është hipotekuar në vitin 1917 dhe mban një numër hipoteke. Në vitin 1945 kjo tokë është shpronësuar me procesverbalin numër 1 datë 27.11.1945 nga komisioni i reformës agrare i fshatit Mëzes, për llogari të ndërmarrjeve bujqësore nga shteti monist dhe ka qenë tërë kohën pronë e shtetit, ndërmarrjes shtetërore. Nuk ka qenë për subjekt privat, as pjesë e kooperativave bujqësore, por vetëm të ndërmarrjes së serave, që kanë qenë me ngrohje qendrore. Këto sera punuan për 20 vjet për llogari të prodhimit bujqësor dhe në vitin 1997 këto kaluan në privatizim. Të drejtën e privatizimit, sigurisht e kishin ata që ishin pronarë të tokës. Subjekti i shpronësuar nuk jeton më, por trashëgimtarët e tyre në radhë sipas dokumenteve juridike që paraqitën në komisionin e njohjes e kthimit të pronave pranë ish-rrethit Tiranë me një vendim numër 106 datë 29.08.1997 K.K.K Pronave të Këshillit të Rrethit Tiranë u është njohur e drejta e kësaj prone, e cila është në truallin e serës numër pesë, numër gjashtë, dy depove të perimeve dhe Kaldajës, të kufizuara sipas pjesës së hartuar nga inxhinierë topografë të kohës dhe e firmosur nga komuna, nga zyra urbanistike e qarkut, si dhe nga kryeplaku i fshatit Mëzes.

Në nëntor të vitit 1997, Agjencia Kombëtare e Privatizimit dega e Tiranës e nxori me shpallje që ndërmarrja e serave që ishte ndërmarrje kombëtare, del për privatizim. E drejta e parablerjes u takonte trashëgimtarëve, kurse të tjerët të konkurronin sipas ligjeve në fuqi. Trashëgimtarët paraqitën dokumentet, të cilët janë afërsisht 22 pronarë dhe u la e drejta të blinin pesë objekte, serën pesë, serën gjashtë, dy depot e perimeve dhe kaldajën. Këto u blenë me ato përqindjet përkatëse, u derdhën paratë në bankë, u derdhëm edhe letrat me vlerë dhe u bë akti i shitblerjes te noteria e autorizuar dhe janë hipotekuar pesë objektet në zyrën e hipotekës, pasi zyra e regjistrimit në atë kohë nuk ishte. Hipotekimi është bërë brenda muajit në përputhje me Kodin Civil, i cili është miratuar në vitin 1994, sipas të cilit brenda muajit duhen regjistruar. Pas regjistrimit është bërë pjesëtimi në tre trungje, pasi anëtarët e tre trungjeve e posedojnë në mënyrë të barabartë me një të tretën. Në funksion të këtyre është bërë hipotekimi i këtyre tri pjesëve. Ne posedonim dokumentet përkatëse edhe dokumentet origjinale të shitblerjes, por edhe të pronësisë të regjistruar në zyrën e hipotekës. Në përpjekje për të rivënë në punë serat për shkak të investimeve që kërkoheshin atje, ne harxhuam për blerjen e tyre një shumë marramendëse rreth 31 milionë lekë afërsisht 310 mijë dollarë, mezi i kemi marrë edhe hua në disa banka private. Por në mënyrë tinëzare, ish-kryetari i Komunës së Kasharit, Naim Karaj, në bashkëpunim me kryeplakun e fshatit Mëzes, Kujtim Mulleti, me një vendim të padrejtë në një periudhë ku administrata e vjetër e strukturës së rrethit u kthye në qark, në periudhën e boshllëkut, përfituan nga rasti në mënyrë spekulative me keqdashje, duke shkaktuar mbivendosje në truallin tonë.

Naim Karaj është arrestuar në kuadër të mbivendosjes së pronave në Komunën e Kasharit. Cili është roli i tij në pronën tuaj?

Me shpirtin e një keqbërësi duke qenë agronom i lartë, duke sqaruar të tërë pronarët, përfshirë edhe mua që jam i kompletuar në drejtim të legjislacionit, nuk pranoi veprimet e kundërligjshme, e cila më dëmtoi rëndë. Veprimet e tij ishin me pasoja për ne, pasi ai (Naim Karaj) brenda ditës me ndihmën e regjistruesit Vladimir Pëllumbi të zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë (ish Hipoteka) i kanë regjistruar mbivendosjet në pronën tonë brenda ditës në kundërshtim me ligjet administrative. Mbivendosja e pronave është bërë në muajin mars 2001. Në vitin 2000, administrata ishte pushuar, komisioni i tokës ishte pushuar, asnjë veprim nuk lejohej nga ana juridike për ketë fuqi prapavepruese, pasi administrata e tillë është mbyllur. Ata të dy donin të bënin ndonjë gol në rrëmujë, duke menduar se ne jemi budallenj të raundit të tretë dhe me radhë, dhe më pas ne bëmë ankimimin zyrtar te komisioni qeveritar i tokës, i cili është ministri i Bujqësisë, në atë kohë ministër ishte Lufter Xhuveli. Gjithashtu, edhe prefektura, ku kryetar ishte Taulant Dedja, anuloi vendimin që ishte dhënë për regjistrim dhe na u kthye përgjigje që veprimet janë anuluar. Në fakt, veprimet nuk janë anuluar asnjëherë, pasi janë bërë mbivendosje në pronat tona duke u bërë një ndarje me katër pronarë, të cilët nuk kanë qenë asnjëherë subjekte të shpronësuara, nuk ekzistojnë në asnjë regjistër që kanë pasur prona. Ata kanë marrë tokë në vitin 1946, por jo aty, pasi ajo ka qenë ndërmarrje shtetërore. Domethënë me dallavere bënë mbivendosje dhe na u bllokua prona për investime. Si rrjedhojë, na janë bllokuar 310 mijë dollarë, që nga ai vit e deri më sot ato janë të vdekura. Por fitimi i munguar është brenda.

Cilat kanë qenë veprimet tuaja pas bllokimit të truallit dhe pas mbivendosjes?

Pasi bëmë ankimimet e njëpasnjëshme, zyra e regjistrimit nuk e liroi, edhe sot e kësaj dite de jure i ka të mbivendosura, por njëkohësisht de fakto në pjesën e 1/3 janë bërë ndërtime të dy objekteve, pronë e një subjekti privat që nuk ka shtetësi shqiptare, të cilët jo vetëm që prishën strukturën e ndërmarrjes tonë, na grabitën tokë, por vunë dorë në një tokë të privatizuar me vendim qeverie. Ne jemi ankuar në gjyq. Gjyqi përkohësisht mori një vendim duke marrë masa sigurie. Masa e sigurisë u ankimua në shkallën e dytë dhe shkalla e dytë e la në fuqi atë. Një farë gjyqtareje skandaloze, e quajtur Pranvera Strakosha, të cilës mezi ia mësova emrin, mori një vendim vetëm në një seancë, duke mos e pranuar kërkesë-padinë, hoqi edhe masën e sigurisë edhe sot e kësaj dite prona ka mbetur e bllokuar. Kemi kërkuar me daljen e ligjit të kthimit dhe kompensimit të pronave në gusht të vitit 2005, kemi bërë kërkesë për kthim prone në zyrën e agjencisë rajonale të kthimit të pronave me dokumentin përkatës. Na e pranuan faturën në korrik të vitit 2006 edhe sot e kësaj dite nuk na është dhënë asnjë përgjigje, megjithëse përfaqësuesi ynë ka shkuar çdo 15 ditë në zyrën përkatëse. Kemi bërë ankimimet në të gjitha instancat përkatëse, duke përfshirë Kryeministrin dhe Presidentin e Republikës dhe deri tani nuk është bërë asgjë.

Krahas veprimeve të deritanishme, cilat do të jenë veprimet tuaja të mëvonshme për të rifituar tokën e grabitur nga nëpunës shtetërorë?

Fondi ynë i depozituar mbetet i bllokuar, përveç vlerës së fitimit të munguar. Do të kërkojmë me çdo mjet deri në kthimin e pronës së "grabitur". Për fat të keq, trashëgimtarët e radhës së parë kanë ndërruar jetë, ndërsa tashmë kanë mbetur trashëgimtarët e radhës së dytë dhe brezi i tretë, të cilët në total janë 85 vetë. Në pamundësi për të zgjidhur problemet do të ndjekim të gjitha rrugët e tjera ligjore, duke shfrytëzuar edhe nga dispozitat e Komunitetit evropian, pra çështja mund të depozitohet deri në Gjykatën e Strasburgut. Prona në kra nuk merret. Skandali që bën shteti, i cili në vend që të mbrojë pronarët e ligjshëm, të paktën shteti monist e mori dhe e ruajti me dokumente të sakta, kërkon që një pjesë ta marrë vetë. Ata keqbërës, megjithëse Kryeministri tha se janë faqezinj, nuk po i shohim njeri me faqe të zezë. Ata kanë ngrënë dhe pirë në kurriz të pronarëve. Kjo është fatkeqësi e një shteti të tillë.

Dosja

Vrasja e Gani Kamberit,

përsëri në "duart" e policisë

Vdekja e Gani Kamberit përplas prokurorinë me policinë. Pas riekspertimit dhe dyshimeve të forta se viktima nuk është vetëvrarë, por është ekzekutuar, dosja i është rikthyer edhe një herë zyrës së vrasjeve në policinë e Tiranës. E bashkë me rikthimin e dosjes janë rihapur edhe debatet për mundësinë e manipulimit të dosjes. Sipas prokurorisë, dosja ka ardhur nga policia me konkluzionin se 50-vjeçari Kamberi ishte vetëvrarë. Por, ndërkohë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm largon përgjegjësinë nga policia për manipulim provash në vendngjarje, me pretendimin se çështja është klasifikuar si vetëvrasje nga ana e prokurorisë. Por prokurorët thonë për "Top Channel" se vetëm pak ditë më parë, sapo është mësuar se Mjekësia Ligjore dhe prokuroria do të urdhëronin zhvarrimin e Kamberit, nga ana e policisë është ndryshuar menjëherë qëndrim, duke dërguar një shkresë tjetër ku thuhej se dyshohet për vrasje. Burime të konfirmuara shtojnë se dosja menjëherë i është deleguar zyrës së vrasjeve pranë Drejtorisë së Tiranës, ku dhe i është bashkangjitur fashikulli i denoncimit të familjarëve të viktimës që nuk pranojnë versionin e policisë, si një rast vetëvrasjeje. Gjithashtu, aty janë të regjistruara konfliktet që viktima ka pasur mbi pronësinë e më se 9 mijë metrave katrorë tokë në Kashar. Por ndërsa Mjekësia Ligjore pritet të zyrtarizojë versionin e saj për mënyrën si është ekzekutuar 50-vjeçari, pritet që hetimet të zbardhin përveç autorit të krimit edhe faktin nëse dosja u manipulua qëllimisht apo për shkak të paaftësisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›