E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthehet paqja zgjedhore, BE kërcënon Shkupin: Kujdes

Maqedonia i kthehet qetësisë pas disa ditë plot tension të fillimit të fushatës për zgjedhjet parlamentare, të cilat zhvillohen më datë 1 qershor. Tensioni është ndalur si me magji menjëherë pas reagimit të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar.

Ndërkaq, në këtë situatë ka ndërhyrë edhe Tirana zyrtare, e cila ka bërë përpjekjet e saj për qetësimin e situatës. Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, deklaroi dje se ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim të shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, lidhur me atentatin ndaj tij para pak ditësh. Berisha, në bisedën me Ahmetin, dënoi edhe një herë me ashpërsinë më të madhe aktin e shëmtuar kriminal ndaj kryetarit të BDI-së, duke i shprehur njëkohësisht të gjithë solidaritetin e tij dhe të qeverisë shqiptare. "Unë shpreh kënaqësinë që krimineli nuk arriti të realizojë qëllimin e tij ogurzi e po ashtu shpreh kënaqësinë për faktin që qeveria maqedonase arriti me shpejtësi të arrestojë autorin e këtij akti shumë të rëndë", ka deklaruar Berisha. Përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar kanë lëshuar deklarata mjaft paralajmëruese ndaj autoriteteve maqedonase. Madje, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup ka kërcënuar krerët e Maqedonisë se do të shtyhen negociatat për anëtarësim nëse nuk zhvillohet fushatë e qetë zgjedhore. Ambasadori Ervan Fuere theksoi dje se "nëse nuk bëhen përpjekje për përmirësimin e imazhit të vendit në këtë periudhë parazgjedhore dhe në vetë ditën e zgjedhjeve, Maqedoninë e presin vlerësime negative dhe moscaktim të datës për fillimin e bisedimeve këtë vit". Sipas Fuere, "kjo është një tragjedi, pasi para 2 muajve komisari erdhi këtu dhe tha që ky vit mund të jetë historik për shtetin dhe qytetarët e Maqedonisë të rrisin aspiratat për t‘u bashkuar me BE-në, dhe të plotësojë kushtet dhe do të mund të rekomandojmë një datë për fillimin e negociatave nëse këto kushte do të plotësoheshin. Prandaj, është një përgjegjësi e madhe që kanë liderët për të siguruar që këto zgjedhje do të jenë më të lirat deri më tani", tha Fuere. Ai u bëri thirrje shërbimeve kompetente, veçmas Ministrisë së Brendshme, të jenë më të vendosur në hetimin dhe arrestimin e personave, të cilët shkaktojnë incidente parazgjedhore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›