E Shtunë, 31 Tetor 2026

Remzi Hoxha, kërkime për Kumbaron në Angli

Prokuroria britanike shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në ekstradimin e një prej të akuzuarve në çështjen e zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha. Ish-zyrtari i SHIK-ut, Ilir Kumbaro, sipas prokurorisë dyshohet se fshihet në Britaninë e Madhe, por zyrtarët britanikë kërkuan plotësimin e dosjes për të nisur procedurat zyrtare të kërkimit dhe ekstradimit të tij. "Në rast se ekziston një person që fshihet në Britani dhe që ka prova të mjaftueshme që e implikojnë atë, atëherë ne do të bëjmë ç‘është e mundur për ta ekstraduar në Shqipëri", u shpreh Prokurori i Përgjithshëm britanik, Ken Mekdonald. Ilir Kumbaro, një nga katër shikasit që kanë rrëmbyer Remzi Hoxhën, është personi i vetëm i shpallur në kërkim për këtë ngjarje. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për "Shqip" se Kumbaro, gjatë vitit 1997, është larguar në Angli, ku dyshohet se banon. Hetuesit e çështjes i kanë dërguar një letër-porosi Interpolit për arrestimin e tij dhe sjelljen në Shqipëri. Burimet saktësojnë se në vitin 1995, Kumbaro së bashku me Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budion Meçen, dyshohen se kanë rrëmbyer Hoxhën në afërsi të firmës së tij. Hetimet kanë nxjerrë në dritë se, pasi është rrëmbyer Remzi Hoxha është dërguar në Lezhë nga këta persona. Gjatë marrjes në pyetje, Sefgjini dhe Meçe kanë pranuar se e kanë çuar Hoxhën në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›