Ylli Pinari kundërshton sekuestrimin e dokumenteve
Njëri prej të akuzuarve, si përgjegjës për ngjarjen tragjike të Gërdecit, por në të njëjtën kohë edhe i konsideruari si bashkëpunëtor i drejtësisë për këtë ngjarje, ka kundërshtuar sekuestrimin e dokumenteve që janë gjetur në zyrën e tij. Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore MEICO, ka ngritur një padi me objekt "vlerësim sekuestroje", të cilën e ka depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë në kryeqytet. Në këtë padi ai e ka e konsideruar si të paligjshëm veprimin e ndërmarrë ndaj dokumenteve dhe materialeve që janë gjetur gjatë kontrollit të zyrës së tij, duke kërkuar rikthimin e tyre. Padia i është nënshtruar shortit elektronik dhe, sipas tij, kjo çështje do të gjykohet nga gjyqtari Petrit Çomo. Pinari, së bashku me administratorin e firmës "Albademil", Mihal Delijorgji, dhe drejtorin e fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, Dritan Minxolli, përbëjnë treshen e të arrestuarve për ngjarjen e 15 marsit, prej së cilës humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Sipas deklarimeve publike të kryeprokurores Ina Rama, ish-drejtori i MEICO-s ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, duke rrëfyer ato që ai di lidhur me aferat dhe përgjegjësitë për fabrikën e demontimit. Gjithsesi, ai kërkon nga gjykata që dokumentet dhe materialet që janë sekuestruar në zyrën e tij gjatë kontrollit, t‘i kthehen sërish.