Alibeaj, takim për reformën në Drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, priti dje në një takim koordinatorin e Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, Erhard Busek, i cili pasi vlerësoi ecurinë e reformës në Drejtësi, shprehu interes për iniciativat ligjore që po ndërmerren me qëllim krijimin e një klime investimesh më të favorshme të biznesit në Shqipëri. Ministri Alibeaj e informoi zotin Busek, për progresin e bërë në ndryshimin e disa ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me organizimin e Gjyqësorit, por edhe për disa ndryshime ligjore që do të përmirësojnë më tej klimën e biznesit në vend. “Dhe pse është e vonuar në kohë, në ndihmë të përmirësimit të klimës së biznesit, jemi duke hartuar ligjin për gjykatat administrative. Kjo është një iniciativë ligjore që rregullon më tej marrëdhëniet mes biznesit dhe shtetit”, - u shpreh ministri Alibeaj. Ai e informoi z. Erhard Busek për ndryshimet e reja në ligjin "Për Prokurorinë", atë të Policisë Gjyqësore, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe për profesionet e lira. Busek e përgëzoi ministrin Alibeaj për arritjet pozitive në reformën për Drejtësi dhe u shpreh se ndryshimet e shpejta shpesh duan kohën e tyre për t’u zbatuar. Por ai u shpreh i sigurt se ato do të përmirësojnë edhe më tej cilësinë e gjykimit dhe do të eliminojnë tendencat për korrupsion. Të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në ndihmën e çmuar që po jep misioni EURALIUS në Shqipëri në ndryshimet e pritshme ligjore.
Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, Erhard Busek, ndodhet në Shqipëri me cilësinë e presidentit të Forumit Ekonomik të Vjenës.
10 Qershor 2008