E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata e Prokurorëve: Stop ndërhyrjeve për dosje të veçanta



Shoqata Kombëtare e Prokurorëve të vendit, nëpërmjet një deklarate për shtyp, ka vlerësuar punën e organit të Akuzës, qëndrimet institucionale të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, ndryshimet e fundit që ka pësuar ky sektor si dhe kanë dënuar ato që cilësohen prej tyre fryma denigruese të mbajtura nga institucione e persona me pushtet e imunitet, duke kërkuar dhënien fund të këtyre praktikave, që pengojnë hetimin e gjithanshëm si dhe procedimin e barabartë dhe të drejtë të çdo autori të dyshuar për kryerjen e veprave penale. Reagimi i prokurorëve të vendit erdhi në fund të një mbledhjeje të organizuar prej tyre, ku gjithashtu me shqetësim konstatohej intensiteti në rritje i krimit të organizuar. “Shoqata e Prokurorëve u bën thirrje, nëpërmjet kësaj deklarate, të gjithë anëtarëve të saj në të gjitha shkallët e procedimit penal, të tregojnë profesionalizëm, përkushtim dhe objektivitet në ushtrimin e detyrës, duke mënjanuar çdo lloj ndërhyrjeje e presioni, pavarësisht se nga vjen ai dhe çfarë qëllimi synon”, - vijonte deklarata e përfaqësuesve të Akuzës. Më tej thuhej se kjo shoqatë inkurajon, në mënyrë të posaçme, prokurorët, anëtarë të saj, që procedojnë në çështje penale të rëndësishme, që kanë për autorë anëtarë të grupeve kriminale si: të ashtuquajturat banda e Aldo Bares, të organizatës “Hakmarrja për drejtësi”, çështjen penale të “Gërdecit”, si dhe procedimet penale në fushën e korrupsionit. Në këtë deklaratë konstatoheshin gjithashtu përmirësimet e ndjeshme në veprimtarinë e institucionit, në hetimin, zbulimin dhe procedimin e veprimtarisë kriminale, si dhe rritjen e bashkëpunimit me Policinë e Shtetit dhe strukturat e tjera shtetërore. Shoqata kërkon gjithashtu të ketë rol aktiv në diskutimin e projekteve të paketës ligjore, pjesë e reformës në Drejtësi.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›