Konsorciumi amerikano-zviceran, pronari i ri i “ARMO”-s
Konsorciumi amerikano-zviceran “Refinery Associates of Teksas, Mercuria Energy Group Ltd, Anika Enterprises Sa” do të jetë pronari i ri e kompanisë shqiptare të naftës “ARMO”. Ky konsorcium i fuqishëm, i shtrirë me përfaqësitë e tij në vendet më të zhvilluara të botës, ka qenë pjesëmarrës në tenderin për blerjen e 85 për qind të aksioneve shtetërore të “ARMO”-s, nga ku ka marrë dhe pikët më të larta, 93.14 pikë, mes konkurrentëve të tjerë. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëri publik dje vlerësimin e ofertave që dhanë 4 kompanitë e huaja për privatizimin e 85 për qind të aksioneve shtetërore të gjigantit publik të naftës shqiptare. Burime zyrtare nga METE kanë bërë dje të ditur se në bazë të vlerësimit të Komisionit, “në kualifikimin përfundimtar, konsorciumi ‘Refinery Associates of Teksas, Mercuria Energy Group Ltd, Anika Enterprises Sa’ mori pikët maksimalen prej 93.14 pikësh”. Ndërsa kompania "Vitol, Euroil sha, NFS Partners sa and USBCF Inc" ka marrë 69.49 pikë dhe kompania e tretë, "Petrofac Energy Developements International Limited", ka marrë 30.52 pikë. Sipas vendimit të qeverisë, të tre kandidatët janë kualifikuar në bazë të ofertave financiare dhe teknike. Kështu, për ofertën financiare “Refinery Associates of Teksas, Mercuria Energy Group Ltd, Anika Enterprises Sa”, ka marrë 75 pikë për ofertën që paraqiti në tender, me vlerën 125 milionë euro. Kompania "Vitol, Euroil sha, NFS Partners s.a and USBCF Inc" mori vlerësimin prej 58.2 pikësh për ofertën 97 milionë euro, ndërsa kompania "Petrofac Energy Developements International Limited" mori 17.46 pikë për ofertën 29.1 milionë euro. Për vlerësimin teknik, konsorciumi amerikano-zviceran mori 18.16 pikë, kompania "Vitol, Euroil sha, NFS Partners sa and USBCF Inc", 11.29 pikë dhe "Petrofac Energy Developements International Limited" 13.06 pikë.
10 Qershor 2008