E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibia e bojkotit s’u mbrojt dot nga kërcënimet për grushte e dhunë ndaj deputetëve

Fatmir Toçi ka kryesuar dje celulën e ngarkuar të intimidojë deputetët e LMN-së, por metoda e kaçakut s’ka pasur sukses dhe të ashtuquajturat provokacione shumë shpejt mund të shndërrohen në një guerrilje në guerrilje në korridoret e selisë së PS-së

Kryebojkotuesi Edvin Kristaq Rama tregoi “lakuriqësinë” para deputetëve opozitarë gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist, duke deklaruar se bojkoti nuk ishte një zgjedhje e mirë, por se ishte i vetmi instrument që mund të keqpërdorej dhe të vihej në shërbim të klikës keqndjellëse për kapjen e pushtetit.
Qëndrimi i kryesocialistit në detyrë, vjen në një moment kritik për të ardhmen e tij politike, teksa ka rënë peng i një logjike disfatiste, pasi pranoi gabimin më të madh dhe dëmin më permanent që mund t’i bëhet institucioneve demokratike, nëpërmjet rrugës së bojkotit, ndërsa udhëzoi deputetët që nesër t’i drejtohen sallës së Kuvendit.
Në prani të 64 mandateve të selisë rozë, paturpësisht, lakuriqi u përpoq dje pasdite të justifikohej se i kishte mbajtur ata jashtë dyerve të parlamentit, jashtë sistemit të kontributit ligjvënës, jashtë kryerjes së detyrimeve të tyre ndaj elektoratit dhe njëherazi duke i lënë pa rroga për 6 muaj resht, për një arsye të vetme, se dyshonte fort, por pa argumente, se i ishin vjedhur votat më 28 qershor.
Mungesa e koherencës së Edvinit me realitetin politik është e thekshme. Ai akuzoi për presione të jashtëzakonshme nga diversione të rrezikshme për të rikthyer PS në Kuvend. Kësisoj, ai indirekt shigjetoi deputetët dhe përfaqësuesit e PS të mendimit ndryshe, të cilët tashmë, kanë arritur një fitore madhore kundër aleancës antidemokratike që synonte destabilizimin politik të Shqipërisë, madje edhe duke paralajmëruar skenarë të frikshme si ato të vitit të “lulëzimit” të rebelimit neokomunist, të ‘97-ës. Por, rruga e baltosjes së të ashtuquajturve “diversione” sipas Edvinit shtrihet deri te lideri historik i socialistëve, Fatos Nano, i mbështetur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
“Nesër (sot) jemi në parlament, jo për të hyrë dhe për të dalë, por për të bërë transparencën. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se një parim jo një Pazar, një nder jo një favor, duam gjykimin e popullit sovran. Falënderoj ata që mbështetën kauzën tonë. Duam hetim parlamentar. Ndërkombëtarët kanë mbështetur kërkesën tonë për hapje të kutive, ndonëse kanë pranuar debatin politik dhe atë parlamentar. Bojkoti ishte e vetmja zgjidhje për të drejtat tona të dhunuara. Në respekt të miqve tanë ndërkombëtarë jemi të gatshëm për rikthimin e opozitës në parlament, por që t’i hapim rrugë transparencës. Berisha thotë se në Ruzhdije ka humbur një mandatet, le ta vendosë të lexojë votat që ndodhen brenda në kuti në të gjithë vendin dhe t’i shohë mandatet e tij. Ne kërkojmë që të vendoset drejtësia. Ne nuk duam të dhunojmë, gjykatat, rendin kushtetues, duam vetëm transparencë. Gjatë këtyre muajve, janë përpjekur të përbaltin imazhin e PS, si forcë që synon të sfidojë ligjet dhe kushtetutën e vendit. Presione të jashtëzakonshme kanë ardhur nga diversione të rrezikshme për të rikthyer PS në Kuvend. Ne kërkojmë hetim parlamentar dhe një transparencë pa kushte”, u shpreh kryesocialisti në detyrë, Edvin Rama.
Megjithatë, skema e thyerjes së bojkotit nuk ka shkuar edhe aq qetë në seancën e mbrëmshme të Grupit Parlamentar. Fatmir Toçi ka qenë njeriu i përcaktuar për të zbritur në kërcënime fizike ndaj Ben Blushit dhe të tjerëve, në rast se ata do të tentonin që të merrnin fjalën dhe ashtu ka ndodhur sapo Edvini ka mbaruar fjalën e tij. Klithjet se “s’duhet të flasin krijesat e medias dhe bukëshkalët”, pas Toçit, i kanë marrë edhe toçë politikë të PS-së, duke shkaktuar një situatë krize, prej së cilës është dalë veç pas një pushimi. Më pas ka ardhur kërcënimi i Edi Ramës se Blushi dhe të tjerët nuk do lejohen t’i prishin atij mbledhjet, çka është lexuar edhe si një paralajmërim se tashmë vendimi për përjashtimin e tyre nga partia është marrë dhe është i formës së pakthyeshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›