Rikthehet rreziku i përmbytjeve, por situata mbetet nën kontroll

Qeveria ringre Komitetin e Emergjencave Civile në Shkodër
Këshilli i Ministrave vendosi dje ringritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile për të menaxhuar situatën përkeqësuar në zonën e Shkodrës, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, të cilat mbrëmë arritën në 3 mijë m3/sekondë, më të mëdhatë e shënuara këtë vit.
Duke e konsideruar situatën emergjente, kryeministri Berisha tha se Komiteti i Emergjencës do të fillojë nga funksionimi menjëherë.
“Sërish, kemi një situatë emergjente. Mbrëmë, prurjet e të dy degëve të Drinit kanë arritur në 3 mijë m3/sekondë. Të jashtëzakonshme kanë qenë prurjet lumenjve të Alpeve, si dhe ka një rritje të ndjeshme të Kirit dhe Gjadrit. Ndaj për t’u përballur me këtë situatë të re është e domosdoshme të ngremë sërish Komitetin Ndërministror të Emergjencës, i cili duhet të nisë veprimtarinë që sot”, tha Berisha.
Shefi i ekzekutivit, informoi se ndodhen në zonë dhe po shqyrtojnë situatën ministri i Brendshëm Basha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë dhe komandantë të forcave të tjera.
Kryeministri kërkoi marrjen e masave të menjëhershme për kapërcimin e kësaj situate me dëmet më minimale të mundshme.
“Prurjet e mbrëmshme, tha Berisha, që ishin më të mëdhatë e këtij viti, në 3000 m3/sekondë, kanë rënë, nuk janë në këto nivele, por në 1500-1400 m3/sekondë. Të tilla janë edhe ato të Komanit. është e rëndësishme të marrim të gjitha masat mbi bazën e praktikës së suksesshme që u krijua në operacionin e parë dhe ta kapërcejmë këtë situatë emergjence, me dëmet më minimale të mundshme. Duhet të jemi energjikë, të vendosur, të mirëorganizuar. Të gjitha mjetet të s’postohen drejt zonave potencialisht të mundshme për t’u përmbytur, të bëhen të gjitha planet e evakuimit, të ndihmës. Ne duhet të bëjmë çdo gjë për të mbrojtur çdo jetë njerëzore, çdo gjë të gjallë të mundshme, në rast se situata thellohet, ndonëse rënia e prurjeve ka përgjysmim, nga 3000 në 1500 m3/sekondë, në rast se do të ketë reshje të tjera shumë të fuqishme, gjë që nuk besoj se do të jenë në rritje kaq të mëdha, por kjo nuk dihet. Në fakt, në sasi kolosale ka shkrirë edhe dëbora. Moti ka qenë shumë i thellë”.
Kryeministri Berisha shpjegoi gjithashtu se, si pasojë e reshjeve të mëdha, një rrufe në Vaun e Dejës bllokoi transmetimin e energjisë elektrike dhe për një periudhë zhyti vendin në black out.
“Kjo, tha kryeministri, ishte shkaku i asaj që ndodhi mbrëmë, në orën 9.15 minuta të darkës. Por u punua dhe u rivendos me shpejtësi transmetimi”.
Lulzim Basha, nëkrye të strukturave të emergjencës
Menjëherë pas ringritjes nga qeveria të Komitetit të Emergjencave Civile, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, mblodhi strukturat përkatëse, për riorganizimin e strukturave policore dhe të ushtrisë në evakuimin e banorëve në rast rreziku, si pasojë e shkarkimeve të pritshme të HEC-eve në kaskadën e Drinit.
Basha deklaroi se përgjatë tri javëve ka rënë mbi 600 milimetra shi, dhe vetëm 12 orët e fundit ka rënë 70 milimetra shi.
Ministri i Brendshëm informoi se shkarkimet nga H/C i Vaut të Dejës janë 1300 m3/s. Prurjet nga Lumi Kir janë 800 m3/s, nga Lumi Gjadër rreth 200 m3/s.
“Niveli i hidrometrit të Dajçit është 6,55 m, ndërsa i Urës së Bunës 8,55 m. Rezervuari i Shtodrit është i mbushur me kapacitet të plotë dhe për këtë shkak nga Drejtoria e Bordit të Kullimit ka filluar të lëshohet ujë nga portat fundore dhe katastrofike të këtij rezervuari. Kjo situatë ka krijuar probleme në lagjet periferike të qytetit Shkodër, si në Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe, Lagja “Mar Lulaj”. Po kështu probleme ka në fshatrat Kuç dhe Vukatanë të Komunës Guri i Zi, në fshatin Obot të komunës Ana e Malit si dhe në Dajç”, u shpreh ministri Basha.
Për sa u takon detyrave dhe vendimeve të marra për përballimin e situatës, Komiteti i Emergjencave Civile, kërkoi mbështetjen e strukturave aktuale të policisë dhe ushtrisë të dislokuara në Shkodër, me forca e mjete të tjera të strukturave mbështetëse të Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
“Ngritja dhe funksionimi i Komisioneve të Emergjencave Civile në njësitë vendore të Qarkut Shkodër, të cilat do të koordinojnë strukturat nën juridiksionin e tyre për evakuimin e komunitetit. Krijimi i Qendrës Operacionale pranë Institucionit të Prefektit me numrat e telefonit sipas zyrave përkatëse, të cilat të marrin masat e duhura për hartimin e planeve operacionale dhe krijimin e infrastrukturës së tyre për drejtimin e strukturave në funksion të evakuimit dhe transportimit të banorëve. Marrja e masave nga kryetarët e komunave për lajmërimin e komunitetit në rast evakuimi duke bashkëpunuar me strukturat e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura. Marrja e masave nga Drejtoria Rajonale e Arsimit për mbylljen e shkollave në komunat Ana e Malit, Dajç, Guri i Zi, Lagjet Bahçallëk, Ajasëm, Livadhe, për 24 orët në vijim, deri në një urdhër të dytë, si dhe vënia në dispozicion të KECQ të njërit nga konviktet e shkollave të mesme profesionale për akomodimin e komunitetit që mund të evakuohet. Dërgimi i ndihmave ushqimore të nevojshme nga Drejtoria e Rezervave Materiale të Shtetit.
Kufizimi i aksit të rrugës së Dajçit me treguesit e rrugëve për identifikimin e saj. Paraqitja e kërkesës pranë FA për vënien në dispozicion të KECQ të 8 mjeteve vetëshkarkuese, 2 fadromave, 2 ekskavatorëve dhe 20 varkave me motor”.
Në funksion të drejtimit të operacioneve të evakuimit, shpëtimit dhe transportit të komunitetit nga ana e strukturave të ushtrisë të vihen në dispozicion 2 varka në komunën Dajç, 2 varka në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit për llogari edhe të transportit edhe nga komuna Dajç, 1 varkë tek Ujësjellësi i Trushit, 1 varkë në komunën Velipojë, 1 varkë në fshatin Kuç të Komunës Guri i Zi, 1 varkë në lagjen Ajasëm, 1 varkë në zonën e breg liqenit(Livadhe) të Bashkisë Shkodër, ndërsa varkat e tjera të vihen në dispozicion të KECQ në varësi të precipitimit të situatës.
Nga Komiteti i Emergjencave Civile, është kërkuar edhe ngritja e kampingjeve me çadra në Pentar dhe Sukadajç të Komunës Dajç dhe në Bërdicë.
Ministri Basha në Darragjat, bën thirrje për nisjen e evakuuimit
Reshjet e dendura të shiut të cilat kanë filluar gjatë pasdites së djeshme deri në mëngjesin e sotëm të cilat kanë rritur ndjeshëm nivelin e lumejve Kir, Bunë dhe Gjadër, si dhe nivelin e liqenit të Shkodrës kanë krijuar një situatë të vështirë në zonën e Nënshkodrës. Situata më problematike paraqitet në komunën e Dajcit.
Vetë ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka inspektuar situatën e cila rrezikon të përkeqësohet nëse dëmtohet argjinatura dhe e tërë komuna rrezikon të përjetojë përmbytjen e fillim janarit.
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha, mbërriti në Shkodër, orët e para të mëngjesit të djeshëm, për të inspektuar situatën e krijuar në këtë qark. Banorët kanë nisur të evakuojnë gjënë e gjallë.
Vetë ministri i Brendshëm Lulzim Basha u ka bërë thirrje banorëve të Darragjatit, fshat i kësaj komune që të evakuohen. Problematik është dhe fshati Ashtë, ku 1 shtëpi rrezikojnë nga gërryerja e tokës për shkak të derdhjes së lumit Kir. Në fshatin Obot, prej dy ditësh rruga që të con në fshat është e bllokuar. Edhe në fshatin Kuc është rritur prezenca e ujit dhe ka mbërritur pranë oborreve të banesave.