E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dialogu, vetëm në parlament, jo në rrugë”

Reagon komisionari evropian për Zgjerimin, Stefan Fule

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Stefan Fule reagon përsëri duke iu referuar situatës politike në Shqipëri, duke shtuar se dialogu politik mund të zhvillohet vetëm në parlament dhe jo në rrugë, siç ka bërë së fundmi Partia Socialiste.
“Unë kam bërë një deklaratë ku kam inkurajuar partitë politike, qeverinë dhe opozitën që të zgjidhin çështjen e dialogut politik në mënyrë që procesi politik të bëhet në parlament dhe jo në rrugë. Nuk dua të spekuloj, se ç’farë impakti kjo çështje do të ketë, nëse ajo s’do të zgjidhet, pasi shpresoj, që përgjegjësia do të mbizotërojë dhe që do të kem një vlerësim pozitiv të situatës politike në vend për opinionin që Komisioni do bëjë për Shqipërinë”, u shpreh ai.
Lidhur me një vizitë të mundshme në Shqipëri, Fule shtoi se nëse situata politike nuk do të jetë zgjidhur deri atëherë, pika kryesore e vizitës së tij dhe takimeve me përfaqësuesit politik do jetë pikërisht ngërçi politik, para se Komisioni Evropian të përpilojë opinionin përfundimtar për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj drejt procese të integrimit.
“Ne jemi në një diskutim konkret me autoritetet shqiptare për kohën e vizitës time. Ata e dinë që dua që të vizitoj Shqipërinë. Do të jetë shumë inkurajuese për vizitën time, nëse kjo çështje do të jetë zgjidhur, por nëse jo, kjo do të jetë një nga pikat kryesore ku do të mbështetemi në diskutime me qeverinë dhe opozitën”, deklaroi më tej, Stefan Fule, kryekomisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›