Alikaj: Ndeshja me Skënderbeun vlen sa për gjithë sezonin
Mesfushori i Kastriotit, Enkel Alikaj, flet për humbjen ndaj Tomorit dhe vlerëson takimin e së mërkurës për kupë me Skënderbeun
Ekipi i Kastriotit këtë të shtunë ka dalë pa pikë nga transferta e vështirë në qytetin e Beratit, duke humbur ndaj Tomorit. Edhe pse e mbylli pjesën e parë në avantazh të një goli, Tomori arriti të përmbysë gjithçka në fraksionin e dytë të lojës. Protagonisti për ekipin krutan ishte mesfushori Enkel Alikaj, i cili shënoi golin, që i dha avantazhin e përkohshëm ekipit të tij. Ndaj Tomorit e nisëm shumë mirë takimin, duke i bërë presion kundërshtarit.
E arritëm këtë gjë dhe gjatë pjesës së parë e administruam lojën mjaft mirë. Mirëpo, në pjesën e dytë, ekipi i Tomorit, hyri në fushë me më shumë grintë dhe ne u përgjigjëm me të njëjtën monedhë. Krijuam gjithashtu mjaft raste për shënim, por nuk arritëm ti finalizonim. Tomori u tregua i vëmendshëm dhe rastet e krijuara, i shfrytëzoi mjaft mirë duke fituar dhe takimin.
Për sa i përket kartonit të dytë të verdhë, mendoj se ndikuan shumë rastet e humbura nga ekipi për të shënuar dhe duhet ta pranoj se jemi njerëz prej mishi dhe gjaku dhe normalisht mund të nervozohesh në raste të tilla, është shprehur Alikaj për ndeshjen e humbur në Berat.
Nesër me Skënderbeun Ditën e mërkurë ekipi i Kastriotit do të luajë në stadiumin e tij një tjetër sfidë të vështirë, atë të kthimit kundër Skënderbeut, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e parë ka përfunduar në favor të ekipit korçar me rezultatin 3-1 dhe Kastrioti shpreson në një përmbysje të madhe, kjo dhe sipas mesfushorit Alikaj dhe pse jo, arritjen në finalen e këtij kompeticioni.
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për forcën e ekipit të Skënderbeut, pasi është ekipi kampion i Shqipërisë dhe kontigjenti që ka të detyron të tregosh respekt, por jo frikë ndaj tyre. Edhe avantazhi që ata kanë në këtë ndeshje, e bën më të vështirë kualifikimin, duke qenë se vijnë në këtë sfidë të kthimit me një rezultat që normalisht i favorizon ata.
Megjithatë, ne jemi duke punuar dhe duke u përgatitur seriozisht, në mënyrë që të përballojmë me sukses, në të gjitha aspektet, këtë takim dhe ta fitojmë atë me një rezultat që do të na çonte në finale. Do të jetë shumë e vështirë arritja e këtij objektivi, por mendoj se gjithçka përfundon kur gjyqtari të ketë vërshëllyer për përfundimin e ndeshjes dhe deri në atë moment, ne do të luftojmë për të marrë atë që kërkojmë.
Do të tregojmë gjithë potencialin tonë kundër Skënderbeut, sepse në këtë takim luhet mundi dhe puna e një sezoni të tërë. Mendoj se është sfida më e rëndësishme deri në këtë pjesë të sezonit. Duam me çdo kusht të arrijmë objektivin që i kemi vënë vetes në këtë sezon, kapjen e Europës. Në kupë, ndoshta është më reale të realizohet ky qëllim, pasi e kemi vetë në dorë fatin tonë, duke marrë parasysh që në kampionat jemi 5 pikë prapa vendit të katërt.
Shpresojmë që të arrijmë fitoren e dëshiruar dhe kam besim se mund ta arrijmë këtë gjë të mërkurën, sepse luajmë dhe në stadiumin tonë dhe gjithashtu duam tu japim kënaqësi maksimale tifozëve tanë, – përfundon organizatori i ekipit të Kastriotit, Enkel Alikaj.
