E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosti: Ka ardhur koha që Elbasani të fitojë jashtë

Nga Elton Karaj

Numri 2 i stolit verdheblu, Muharrem Dosti, beson se ekipi do të kthehet me fitore nga Saranda këtë fundjavë

Është lënë pas fitorja me Kukësin nga verdheblutë, të cilët janë fokusuar te transferta e Sarandës. Në këtë ndeshje pritet edhe kthesa e madhe e Elbasanit për ndeshjet jashtë, që janë edhe Thembra e Akilit për këtë ekip. Vetë shifrat e vërtetojnë këtë fakt, pasi verdheblutë kanë marrë vetëm 1 pikë në 3 transferta. Futbollistët janë të motivuar maksimalisht, sepse e kanë të qartë se në vallen e pretendentëve mbeten vetëm nëse fitojnë me Butrintin.

Elbasani synon të fitojë terren në tabelë dhe jo të humbasë. Ky është gjykimi i numrit 2 të stolit verdheblu, Muharrem Dostin, i cili për “Sportin shqiptar” shprehet: Besoj se do të jetë ndeshja e kthesës për Elbasanin për sa u takon transfertave. Pa dyshim që do të jetë e vështirë, por Elbasani është i gatshëm të përballojë edhe të tilla sfida. Fakti që luhet pa praninë e tifozëve na favorizon disi.

Po përgatitemi shumë seriozisht për Butrintin, sepse e kemi të qartë se duhet të kthehemi me 3 pikë nga Saranda. Mendoj se do ta fitojmë këtë ndeshje delikate, që do të ketë ndikim të madh për ecurinë e mëtejshme të Elbasanit, ka theksuar zv/trajneri Dosti.

Gjendja e ekipit Për Dostin, futbollistët janë në gjendje shumë të mirë dhe me moralin e duhur pas fitores me Kukësin: Dua ti përgëzoj të gjithë futbollistët për shpirtin e lartë të garës që shfaqën në ndeshjen me Kukësin, edhe pse fituam me një rezultat të ngushtë. Elbasani, edhe kur nuk është në ditën e tij më të mirë, i ka elementët që i japin fitoren.

Kërkoj nga djemtë që të kenë qëndrueshmëri në lojë dhe ta tregojnë veten edhe jashtë fushe, ku besoj se do të arrijnë fitoren e parë këtë të shtunë. Duke fituar edhe jashtë, patjetër që do të jemi në vendin që duhet në fund të fazës së parë, – ka përfunduar ndihmëstrajneri Muharrem Dosti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›