E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alkoolizmi, gati shërbimi i ri psikoterapik-farmaceutik

Autori i Lajmit: red.
Shërbimi i ri për trajtimin e të alkoolizuarve tashmë është gati. Sipas burimeve nga QSUT-ja, godina e vendosur në një pjesë të godinës së vjetër të Spitalit Psikiatrik ka mbaruar së rikonstruktuari. “Ajo është pajisur me mjetet e nevojshme, janë vënë 12 shtretër dhe tashmë pritet kompletimi i stafit",- tha për mediat Alvi Bajramaj, zëdhënësi i QSUT-së. Ngritja e këtij shërbimi u realizua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Shkollën Evropiane të Alkoologjisë me qendër në Udine (Itali). Sipas burimeve struktura e stafit do të ketë një mjek përgjegjës, 4 infermiere, një kryeinfermiere dhe një psikolog. Aktualisht, drejtoria e QSUT-së po përzgjedh një mjek, nga dy kandidatë që kanë mbaruar specializimin në Itali. Kjo klinikë përbën të parin shërbim alkoologjik të mirëfilltë në vendin tonë, pasi individët e varur nga alkooli nuk do të trajtohen vetëm për çrregullimet e tyre organike. Klinika e re do të ofrojë një shërbim afatgjatë, ku do të ketë kombinim të psikoterapisë dhe terapisë farmaceutike. Ngritja e një klinike për trajtimin e varësisë alkoolike është në përputhje edhe me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të cilën abuzimi me alkoolin është problem prioritar i shëndetit publik, për patologjitë e rënda (si ciroza hepatike), por dhe për impaktin e tij social. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në një kohë kur alkoolizmi në vendin tonë ka marrë përmasa me të vërtetë shqetësuese, ky projekt është një domosdoshmëri. Shifra domethënëse të përmasave shqetësuese të abuzimit me alkoolin në vendin tonë vijnë nga një studim i kohëve të fundit, i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilit, alkooli konsumohet nga rreth 350 mijë shqiptarë, prej të cilëve 58 për qind konsumojne alkool tej masës së lejuar dhe 22 për qind janë të varur prej tij.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›