E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndalohet tregtimi i kripës së zezë për shkak të nivelit të ulët të jodit që përmban

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rreth 70 % e popullsisë së zonës së Kukësit janë të prekur nga sëmundja e strumës, e cila shkaktohet nga mungesa e jodit. Biznesit në qarkun e Kukësit i është ndaluar tregtimi i kripës së zezë ku shkak është mungesa te kjo lloj kripe e jodit, gjë që rrit rrezikun e prekjes nga sëmundja e strumës. Kjo sëmundje është mjaft e përhapur te banorët e Verilindjes. "Vetëm gjatë periudhës nga muaji janar deri më 15 maj të këtij viti janë kryer 50 analiza të kripës që përdor komuniteti, ku ka rezultuar se niveli i jodit arrin në 25 - 40 p.pm, që konsiderohet brenda normës së lejuar shëndetësore",- thekson Neritan Biba, përgjegjësi i zyrës së higjienës në Drejtorinë e Shëndetit Publik të rrethit të Kukësit. Po sipas tij, krahas kontrolleve u është kërkuar tregtarëve ndalimi i tregtimit të kripës së zezë për konsum, për shkak të nivelit të ulët të jodit që përmban ajo. Shkaku i një mase të tillë nga institucionet shëndetësore është niveli i lartë i të sëmurëve në këtë zonë me sëmundjen e strumës (në gjuhën popullore sëmundja e gushës) që aktualisht ka prekur afro 70 për qind të banorëve të zonës verilidore. "Nga kontrollet e ushtruara gjatë këtij viti rezulton se mbi 98 për qind e konsumatorëve përdorin tashmë kripë të jodizuar, ndërsa për situatën e krijuar u është kërkuar që kjo lloj kripe të përdoret edhe për blegtorinë, për shkak se kësisoj rritet niveli i jodit edhe te nënproduktet blegtorale", - shpjegoi më tej Biba. Ndërkohë, krahas kontrolleve në subjektet tregtare, janë organizuar në zonat e thella edhe biseda me komunitetin për domosdoshmërinë e përdorimit të kripës së jodizuar si një masë efikase për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes së strumës.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›