E Shtunë, 31 Tetor 2026

Supersfida e parë në Itali, betejë zjarri në "San Siro"

ROME - Seria A zhvillon sot "big match"-in e parë të sezonit, teksa Interi dhe Roma do të përballen në "San Siro" në një betejë të zjarrtë, që vlen jo vetëm tre pikë, por edhe për të treguar se sa janë përforcuar ekipet në merkaton e verës. Zikaltërit e nisën sezonin me një triumf në Peskara, ndërsa sot do të kenë përballë një kundërshtar aspak komod në vitet e fundit. Interi e Roma kanë luftuar për tre sezone për titullin, ndërkohë që verdhekuqtë kanë arritur të krijojnë befasi të shumta në përballjet me rivalët e tyre. "Unë mendoj se kemi bërë një merkato inteligjente, - e nisi konferencën për shtyp trajneri i Interit Andrea Stramaçoni. - Ndoshta na shpëtoi ndonjë goditje e madhe si Lukas dhe Laveci, por mendoj se kemi hedhur bazat për ndërtimin e një skuadre të madhe. Interi i ka reduktuar në 40 milionë euro rrogat e lojtarëve", shtoi ai. Stramaçoni është një nga ata që e respekton shumë Zdenek Zeman, teknikun e Romës, me të cilin sot në mbrëmje do të jetë kundërshtar. "Zeman është Zeman. Është i veçantë në mënyrën e të bërit futboll. E admiroj shumë, ndonëse tani jemi rivalë. Ne do të përpiqemi ta fitojmë ndeshjen, siç bëjmë gjithmonë. Por, ai nuk mund të imitohet, sepse është ai. Bën futbollin e tij, është i bindur te loja dhe kredoja e vet", tha tekniku zikaltër. Në të shkuarën, Stramaçoni ka qenë pjesë e Romës, duke drejtuar të rinjtë e kësaj skuadre. "Nuk kërkoj asnjë hakmarrje. Nëse jam tek Interi, është për shkak të 6 viteve të kaluara te Roma", deklaron ai.
Zeman
Zdenek Zeman është gjithnjë një personazh më vete kur flet. Në prag të ndeshjes me Interin, tekniku çek i Romës ka përgëzuar merkaton e bërë nga drejtuesit e klubit, ndërsa ka bërë të ditur se do të hedhë në fushë tre sulmues. Ndërkohë, ai ka zbuluar edhe një prapaskenë të merkatos, kur Masimo Morati e kërkonte tek Interi. "Janë gjëra antike, më mirë të mos flas. Ndonjë mundësi e kisha, por moralisht isha i impenjuar me skuadra të tjera", thotë Zeman. Ai ka shpjeguar më pas edhe shitjen e Bojan Kërkiç: "Ishte një lojtar i zoti, por gjatë grumbullimit më kërkoi disa minuta më shumë në fushën e lojës dhe unë nuk mund t'ia garantoja. Përveçse ishte i dëmtuar, nuk pati as durim". Në lidhje me Interin, Zdenek Zeman është i njëjti. Ai kërkon një futboll sulmues dhe skuadra të zbresë si e barabartë në fushën e lojës. "Shpresoj që djemtë të luajnë si të barabartë, me synimin për fitore. Nëse japin atë që kemi provuar në stërvitje, them se do të dalim mirë. Dua një futboll të bukur. Mua më pëlqejnë këto sfida, sepse luan ndaj lojtarëve të fortë dhe dëshiron të fitosh për të treguar se je më i fortë", deklaroi trajneri i Romës. 

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›