E Diel, 1 Nëntor 2026

Allegro e Zadesë nën trion greke

05/04/2005  Dje në Akademinë e Arteve, në kuadrin e stinës koncertore "Allegreto Albania", u dha koncerti i trios greke, ku merrte pjesë edhe violinistja shqiptare Margarita Bashari, pjesëtare e orkestrës filarmonike shtetërore të Greqisë, së bashku me kolegët e saj, Petros Apostolidhis dhe Evangjelos Skuras, një koncert që u parapri nga një konferencë për shtyp në mesditë, me pjesëmarrjen edhe të ambasadorit grek në Tiranë, Pantelis Carcabasis, një koncert homazh për Papa Gjon Palin e II

Pas fjalës përshëndetëse, ambasadori grek në Tiranë, Pantelis Carcabasis, u kërkoi të pranishmëve në sallën e Akademisë së Arteve, që para se të shijonin tingujt e magjishëm të Zadesë, Franck dhe Brahms, të mbanin një minutë heshtje në homazh të Papa Gjon Palit II. Pas heshtjes së thellë në sallë kumbuan tingujt e sonatës për violinë dhe piano të të paharrueshmit Zadeja, nën interpretimin virtuoz të Margarita Basharit dhe të Petro Apostolidhit, në piano. Koncerti i trios së instrumentistëve të ardhur nga Greqia në Tiranë, ku merr pjesë edhe violinistja shqiptare Margarita Bashari, ishte përcaktuar muaj më parë në axhendën e aktiviteteve të stinës koncertore "Allegretto Albania", por, në të njëjtën kohë, koincidoi të zhvillohej në ditën e zisë kombëtare të shpallur në vend nga Qeveria, për nder të Papa Gjon Palit II, duke u kthyer kështu edhe në një koncert homazh për nder të tij. Ambasadori grek, Pantelis Carcabasis, i cili ishte i pranishëm në konferencën për shtyp, dhënë dje në mesditë për këtë rast, theksoi se ishte shumë krenar që ky aktivitet organizohet nën kujdesin e ambasadës greke në Tiranë. Në lidhje me faktin që ky koncert do të jepet në një kohë që në Shqipëri është shpallur ditë zije, për nder të Papa Gjon Palit II, i cili u nda nga jeta vetëm dy ditë më parë, Carcabasis u shpreh: "Unë besoj se nuk ka homazh më të mirë se sa muzika dhe besoj se mendimi ynë do të unifikohet në këtë drejtim, gjatë koncertit që do të jepet sot në darkë". Ambasadori grek në Tiranë nuk ka harruar të falenderojë të gjitha kompanitë që sponsorizuan dhe mundësuan zhvillimin e këtij aktiviteti (Interalban, Hellenic Petrolium, Alpha Bank dhe shoqërinë lundruese Venturis Ferris).

"Ndjehem si në shtëpinë time..."

Pianisti grek, Petros Apostolidhis, shprehu gëzimin e tij të madh që ndodhej në vendin tonë, i cili, pavarësisht se ndodhet ngjitur me vendin e tij, "për shumë vite ishte shumë e vështirë ta vizitoje" dhe theksoi shumë sinqerisht se ndjehej si të ishte "në shtëpinë e tij". "Kjo për dy arsye: së pari, se kemi dhjetë vjet bashkëpunimi me Margaritën dhe, së dyti, në Athinë, aty ku unë banoj, banojnë shumë shqiptarë në vitet e fundit, me të cilët kam marrëdhënie shumë të ngushta miqësie, kështu që edhe udhëtimi me avion Athinë-Tiranë, më krijoi përshtypjen se shkoja nga një shtëpi te tjetra", tha pianisti Apostolidhis, duke shtuar se prej shumë vitesh kishin patur dëshirën e madhe për të dhënë këtë koncert në Shqipëri, i cili u "realizua në sajë të ndihmës shumë të madhe të z.Carcabasis. Ndjehemi shumë të lumtur që me koncertin tonë do të shprehim nderimin tonë, pavarësisht nga besimi i çdo kujt, për Papën, një homazh për njeriun, i cili besoi më shumë se kushdo tjetër te nocioni njeri dhe humanizmi". Margarita Bashari, vilonistja shqiptare theksoi se ndjehej shumë e emocionuar që ndodhej përsëri në godinën ku ajo studioi dhe, "sot ndodhet në të njëjtin vend, për të dhënë një koncert, pas plot 15 vitesh". Bashari theksoi se ishte hera e dytë që vinte në Shqipëri, pas koncertit të saj të parë vitin e kalur, në një bashkëpunim me orkestrën e Radiotelevizionit, nën drejtimin e dirigjentit grek, i cili është edhe drejtor i konservatorit ku ajo jep mësime violine. Ky koncert i parë krijoi edhe mundësinë për këtë koncert të dytë, pas një ftese të bërë nga vetë ambasadori Carcabasis, "një ftesë të cilën e pranova me kënaqësi shumë të madhe. Por ajo që më shkaktoi emocion akoma më të madh, ishte propozimi i ambasadorit, që ne të luanim një vepër shqiptare të kompozitorit të madh Çesk Zadeja, fakt që e konsideroj një nder shumë të madh për mua". Bashari tha gjithashtu se, pavarësisht se në këtë koncert ajo vjen si pjesëtare e orkestrës filarmonike shtetërore greke, së bashku me dy kolegët e saj, Apostolidhis dhe Skuras, me të cilët ka një miqësi të madhe, pas dhjetë vitesh bashkëpunimi të ngushtë, ajo ndjehet shqiptare dhe shumë e gëzuar që realizon këtë koncert në vendin e saj.

Evangjelos Skuras: "Muret" ndarës politikë, jo realë

Duke folur për "Metropol", kornisti Evangjelos Skuras theksoi se, pavarësisht se nuk njeh kompozitorë shqiptarë apo krijime të tyre, njihet me shumë instrumentistë dhe dirigjentë shqiptarë. Ai thekson gjithashtu se "muret" ndarëse midis popujve janë politikë dhe jo realë.

A njiheni me vepra të tjera të kompozitorëve shqiptarë, përveç kësaj të Çesk Zadesë?

Të them të vërtetën jam në dijeni të kësaj krijimtarie, por, personalisht nuk e njoh, ndërkohë që njoh shumë instrumentistë apo dirigjentë. Pavarësisht nga kjo, unë jam nga Korfuzi dhe që kur kam qenë i vogël, malet përballë vendit tim kanë qenë një enigmë e madhe. Madje, mund të them se kur kam qenë i vogël shikonim në televizor edhe kanalin shtetëror shqiptar. Por në realitet u njohëm me muzikantë shqiptarë vetëm pas hapjes së kufijve, kur ata erdhën në Greqi, atëherë u njoha me Margaritën, por edhe shumë të tjerë. Ajo që mund të them është se ne ndjehemi njëlloj, pasi problemet për ne muzikantët janë të përbashkëta, si për grekët, ashtu edhe shqiptarët.

Pavarësisht nga përpjekjet e artistëve apo edhe të tjerëve, midis dy vendeve tona ekzistojnë "mure" ndarës. Besoni se vazhdimi i kontakteve edhe nëpërmjet koncerteve të tilla ndihmon në rrëzimin e këtyre "mureve" ndarës?

Besoj se "muret" janë politikë dhe nuk kanë të bëjnë me popujt. Jam i bindur për këtë pas një vizite që kam bërë vite më parë në Turqi. Por, natyrisht, njerëz jemi dhe kemi të metat tona, por nuk besoj se në këtë çështje përballemi me probleme esenciale. Besoj se jo vetëm me artin, por edhe sporti apo edhe veprimtari të tjera ndihmojnë në zhvillimin e marrëdhënive, pasi midis njerëzve nuk ka ndryshime, qofshin këta grekë, shqiptarë apo çfarëdo tjetër. Unë këtë besoj, pasi kudo ku kam shkuar nuk kam patur probleme me njerëzit e thjeshtë.

Pantelis Carcabasis: Prej 18 vitesh luftoj të rrëzoj "muret" që na ndajnë

Ambasadori grek në Tiranë, Pantelis Carcabasis ka thënë për "Metropol", se prej "18 vitesh luftoj për rrëzimin e 'mureve' që ndajnë të dy popujt tanë. Kur erdha për herë të parë në Shqipri, 'muret' ishin shumë të lartë. I pari që u përpoq t'i rrëzonte këto 'mure' është Presidenti aktual i Greqisë, Jorgos Papulias. Që prej asaj kohe, pavarësisht nga shkëputjet të detyruara nga detyrat diplomatike, merrem me marrëdhëniet greko-shqiptare. Aktivitetet kulturore dhe ato sportive, të mëdha apo të vogla, në varësi të mundësive që kemi, ndihmojnë ndonjëherë më shumë se diplomacia tradicionale. Këtë linjë ambasada greke e ka ndjekur besnikërisht. Përpiqemi vazhdimisht të sjellim artistë të njohur për publikun shqiptar, si Marinela, Dalara etj., dhe shpresojmë ta realizojmë, duke ditur se pëlqehen shumë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›