Thom Jones dhe "Boksieri në pushim"
05/04/2005 Kujdes mos u nxitoni. Nuk bëhet fjalë për këngëtarin e madh amerikan, pasi emri i tij shkruhet thjesht Tom, pa h, ndërsa personi në fjalë është një shkrimtar amerikan, i cili vjen në Evropë me një libër të botuar 12 vite më parë, të titulluar "Boksieri në pushim". Ky libër që doli në qarkullim para disa javësh në Francë, nuk është vlerësuar mirë nga kritika, në një ndër të cilat thuhej se, "ky roman i Jones ishte shumë i thellë për ta bërë të ndjeshëm ndaj komplimenteve të menjëhershëm. Shumë alkool, shumë ndeshje boksi, shumë goditje të marra. Deri në atë masë që personazhi të kthehej në epileptik, për t'u larguar nga Vietnami". Sikundër u kuptua është një libër që i referohet ngjarjeve të luftës në Vietnam, i botuar në vitin 1993, në SHBA, duke përbërë edhe veprën e parë të këtij autori. Një libër që, sipas kritikës, përmban dhunë, frikë, dhimbje dhe çmendurinë në zemër të këtij universi të pamëshirshëm, por jo i zhveshur nga poezia dhe humori. "Gjithë sadizmi i Jones është ky: të në lajë fytyrën me një grusht të akullt, kohë e nevojshme rekuperimi, midis dy gjuajtjeve në brinjë", shkruante e përditshmja franceze "Le Figaro". Ashtu si edhe në libra të tjerë mbi Vietnamin, edhe në këtë libër "ndjehen zhurmat e xhunglës, kërcitjet e shuleve të AK-47, britmat nga torturat, muzika e Doors, Stones, amfitaminat, haluçinacionet etj., por Jones u shton të gjitha këtyre referenca nga filozofia e Kafkës, Dostojevskit, Spinozës, Niçes etj. Fjalë për të shëruar të keqen. Emocione që të bëjnë të ndjesh nën lëkurë ëndrrën e keqe të ushtarit amerikan...". Në këtë roman e keqja është e sigurtë, por gjithsesi, një dritë shprese del diku nga thellësia e natës së errët. Në fund, një amerikan epileptik, ikën nga lufta drejt shtëpisë, pa asnjë bagazh, me dhimbjen e një bishe të plagosur. Një boksier që ndjehet njëlloj si ky ushtar që shkon të takohet me mentorin e tij të vjetër, njohës i thellë i teorisë së Niçes. "Dhimbja dhe mëshira, dhuna e fjalëve dhe e gjesteve, mohimi i ekzistencës..., një luftëtar i pamëshirshëm në shpirt...". Në fakt, Jones ka shkruar dy libra të tjerë pas këtij të parë, si "Cold Snap" (1995) dhe "Sonny Liston Was a Friend of Mine", në vitin 1998.
.
.